Fitore me vuajtje

Sulmuesi i Real Madrid, Alvaro Morata konfirmoi se gjatë merkatos se verës mori ofertë nga Napoli. Spanjolli u aktivizua për 2 sezone te Juventusi, para se “Los Blancos” të ushtronin të drejtën e riblerjes së kartonit të tij, për 30 milionë euro. Megjithatë 23-vjeçari theksoi se nuk mund të transferohej tek të kaltërit për shkak të respektit që ka për “Zonjën e Vjetër”. Morata shtoi më tej se u trishtua për largimin nga Juventusi, pasi bardhezinjtë janë shtëpia e dytë për të. Në fund Morata i uroi sa më shumë suksese bardhezinjve, duke shpresuar që të fitojnë gjithmonë përveçse kur të përballen me Realin e Madridin.
Real Madrid e nis sezonin europian me një fitore spektakolare në “Santiago Bernabeu”. Skuadra e Zinedine Zidane fiton në shtëpi ndaj Sportingut të Lisbonës pas 95 minutave që dhuruan tri gola në Madrid, ku fillimisht portugezët kaluan në avantazh me Bruno Cesar, ndërsa Cristiano Ronaldo barazoi në minutën e fundit. Ishte Alvaro Morata ai që shënoi golin e fitores në minutën e 5 shtesë, duke shpëtuar kampionët e Europës nga hapi fals në ndeshjen e parë të Grupit F, ku Borussia e Dortmundit shkatërroi 6-0 Legian e Varshavës.
Serinë e golave në kryeqytetin polak e hapi Gotze që në minutat e para, ndërsa në fund ishte Aubameyang ai që vulosi fitoren tenistike të gjermanëve. Në Torino, Juventusi nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0 ndaj Sevillas. Skuadra e Allegrit zhgënjeu jo vetëm në rezultat, por nuk tregoi pothuajse asgjë nga potenciali i saj edhe në lojë. Pak raste dhe shumë paqartësi në sulmin bardhezi për një barazim të bardhë ndaj kampionëve në fuqi të Europa League.
Po në Grupin H, Lyoni kaloi 3-0 Dinamon e Zagrebit. Në Grupin E, Monaco siguroi një fitore të artë 2-1 ndaj Tottenham Hotspur, ndërsa Bayer Leverkusen barazoi 2-2 ndaj CSKA-së së Moskës. Ndërkohë, kampionët e Anglisë, Leicester City nuk e patën të vështirë në Brugge ku shënuan tri gola ndaj vendasve që nuk e gjetën asnjëherë rrjetën, ndërsa Porto u ndal në shtëpi 1-1 nga Kopenhagen. Në takimin e fundit mes Manchester City dhe Borussia Mounchengladbach, skuadra e Guardiolës shkatërroi gjermanët me rezultatin 4-0 ku tri gola u shënuan nga Kun Aguero.
Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane ka thënë se është i lumtur me ndeshjen kundër Sportingut, pasi lojtarët nuk u dorëzuan asnjëherë. Real ishte duke humbur deri në minutën e 89’, por atëherë në skenë dolën Cristiano Ronaldo dhe Alvaro Morata, të cilët ia dhuruan fitoren e parë kampionëve të Evropës. “Ne jemi shumë të lumtur, pasi besuam deri në fund dhe asnjëherë nuk u dorëzuam. Ndonjëherë luajmë kundër disa skuadrave që luajnë mirë, por ne mund të ndryshojmë gjërat në një minutë”, tha Zidane pas ndeshjes.

Artikulli paraprakBesnik Hasi: Humbja ndaj Dortmundit, katastrofë!
Artikulli tjetërFestimi i veçantë i 11-metërshave