FIFA: Udhëtimi mahnitës i Shqipërisë

Kualifikimi në Euro 2016 është vlerësuar edhe nga FIFA. Për këtë fakt i ka dedikuar kuqezinjve një speciale. Në kronikën e FIFA-s shfaqen me radhë disa nga protagonistët e suksesit kuqezi, si Etrit Berisha, Ermir Lenjani, Lorik Cana apo Armando Sadiku, të cilët flasin për këtë sukses të pabesueshëm
Përpos tyre, hapësirë u është dhënë edhe mendimeve të trajnerit Giani De Biazi dhe presidentit të FSHF-së, Armand Duka. “Kjo është një ndjenjë e jashtëzakonshme, ka qenë ëndërr e imja që kur kam filluar të luaj futboll. Kam dashur të arrij një gjë të tillë me kombëtaren”, ishin fjalët e Berishës.
“Është e pabesueshme për shqiptarët kudo në botë, arritëm diçka që nuk është bërë më parë dhe nuk do të harrohet kurrë”, u shpreh Lenjani.
“Kualifikimi është diçka e jashtëzakonshme për Shqipërinë, për faktin se kemi mundësinë të tregojmë para të gjithë botës se çfarë mund të bëjmë dhe arrijmë”, ishte mesazhi i kapitenit Cana.
Presidenti Duka ka treguar se gjërat kanë ndryshuar pozitivisht edhe falë punës që është bërë në institucionin që ai drejton.
“Shumë gjëra kanë ndryshuar. Ka një menaxhim më të mirë të ekipit, shumë shqiptarë luajnë jashtë dhe ne morëm maksimumin nga fëmijët e emigrantëve”, tha ai para mikrofonit të FIFA-s.
Pjesë e suksesit padyshim që është edhe Giani De Biasi. “Në jetë, nëse beson me të vërtetë diçka, mund ta arrish. Askush nuk e besonte të mundur kualifikimin, por ia dolëm, falë talentit dhe bashkimit të grupit. Kam arritur disa suksese në karrierë, por ky është padyshim më i madhi. Kjo për faktin se, gëzon një komb të tërë. E rëndësishme është që bashkuam njerëzit nën të njëjtin flamur. Kjo është gjëja më e rëndësishme nga të gjitha”, tha trajneri i kuqezinjve në këtë speciale të FIFA-s.

Artikulli paraprakGati anti-Zvicra!
Artikulli tjetërRaporti: Ministri rus Mutko i involvuar në skandal të dopingut