Ferri i klandestinëve shqiptarë në Holandë-Angli

Vincent TRIEST

Askush nuk di tamam se sa shqiptarë kalojnë me sukses në mënyrë ilegale nga Holanda në Angli. Por, sipas autoriteteve holandeze ky shans është shumë i vogël. Çuditërisht numri i klandestinëve shqiptarë në këtë vend, është gjithnjë në rritje, pasi në muajt e fundit janë arrestuar qindra shqiptarë. Përveç numrit në rritje, tashmë ata po përdorin edhe metoda të reja të trafikimit që janë më të rrezikshme. Dhe për t’iu fshehur syrit të autoriteteve të sigurisë, gjatë ditës ata jetojnë në kushtë çnjerëzore në bunkerët në afërsi të portit. Gazeta “Shqiptare” sjell sot pamjet nga Hoek van Holland, vendi që mund të konsiderohet ferri i klandestinëve shqiptarë në Holandë.
Në Hoek van Holland, një fshat i vogël në Holandë, gjatë verës ka plot turistë. Ky fshat me plazhet e tij të gjata me rërë, është një nga vendet të preferuara të qytetarëve të Rotterdamit për të pushuar. Që nga momenti që lind dielli deri kur perëndon, këtu mund të gjenden pushues të cilët kanë ardhur për të kaluar një ditë të bukur në plazh. Por që nga fillimi i këtij viti, një numër i lartë shqiptarësh kanë filluar të frekuentojnë këto plazhe, por me një synim të ndryshëm nga pushuesit lokalë.
Kur perëndon dielli në këtë fshat piktoresk, klandestinët shqiptarë fillojnë të dalin nga bunkerët që ndodhen rreth 250 metra nga porti. Këto bunkerë janë të ndërtuar gjatë Luftës së Dytë Botërore nga forcat gjermane për të mbrojtur bregdetin nga një pushtim i mundshem nga Anglia. Askush, gjatë ndërtimit të këtyre dhjetëra bunkerëve, nuk do të kishte menduar që pikërisht këto ndërtesa ushtarake do të shërbejnë si bazë për të ikur në Angli. Por kreativiteti i klandestinëve shqiptarë dhe nevoja për një vend të thatë dhe të ngrohtë ka bërë që këto bunkerë të përdoren vazhdimisht nga emigrantët shqiptarë.
Fenomeni i klandestinëve shqiptarë në Holandë, por dhe në vende të tjera si Franca dhe Belgjika, nuk është një fenomen i ri. Pas mbylljes se Calais dhe Dieppe në Francë, shqiptarët kanë kërkuar mënyra të reja për të kaluar në Angli. Por në qoftë se në Dieppe, kishte disa kushte jetese, si krevate, çadra dhe ushqim që u garantohej nga organizata bamirëse, në Hoek van Holland, shqiptarët duhet t’ia dalin plotësisht vetë.
Mjafton të kërkosh pak për të gjetur një nga bunkerët që përdoren nga këta klandestinë shqiptarë. Këto vepra janë ndërtuar në pika strategjike tek dunat dhe hyrjet janë të fshehura nëpër shkurre. Por në momentin që tentojmë të hapim derën, dëgjojmë një zhurmë nga pjesa e pasme e bunkerit. Klandestinët, nga frika e policisë, janë larguar me vrap dhe kanë lënë në bunker gjithçka që kanë.
Pasi të kesh kaluar shkallët, duhet të ecësh dhe rreth 20 metra në një tunel që të çon në një nga vendet ku jetojnë klandestinët shqiptarë. Pavarësisht që bunkerat janë ndërtuar për t’i rezistuar predhave, këtu duket sikur ka shpërthyer një bombë. Gjithandej mund të gjesh plehra, në anë të mureve janë vendosur dyshekët për të fjetur. Në mesin e “dhomës” ndodhet një dërrasë e madhe, që shërben si një sofër. Mbi sofrën e improvizuar ndodhet një bukë e sapohapur, sallam, djathë, domate dhe sallatë.
Në afërsi të dritares së vetme në dhomë ka dru dhe plehra të djegura, të cilat gjatë natës kanë shërbyer për të ngrohur burrat shqiptarë.
Zjarri ka dhe një qëllim tjetër. Efektivët e policisë na tregojnë që shqiptarët tashmë përdorin një metodë të re në tentativë për të ikur në Angli. Pasi ka disa muaj që në port është vendosur një gardh i ri me rrymë elektrike, e cila ka vështirësuar hyrjen në port për shqiptarët. Synimi janë kamionët të parkuar në port që nisen për në Angli. Me thika, shqiptarët çajnë plastmasin që mbulon trailerat, ku tentojnë të fshihen më pas.
Por me gardhin e ri me rrymë elektrike, mënyra e vjetër nuk punon më. Tashmë shqiptarët janë të detyruar të hidhen në det për të notuar në drejtim të trailerit të parkuar. Kjo i detyron klandestinët të notojnë rreth 400 metra, para se ata të tentojnë të fshihen në një nga qindra kamionët e parkuar në port. Ata që nuk ia dalin, duhet të kthehen me not dhe të ngrohen në një nga zjarret e improvizuara në një nga bunkerët.
Për policët, kjo është një metodë e rrezikshme. Gurët e mbuluar me alga bëjnë që një person mund të rrëshkasë lehtësisht dhe të përplaset me gurët në det. Kjo do të shkaktonte humbjen e ndjenjave dhe pavarësisht që në Holandë tani është mesi i verës, uji i ftohtë gjatë darkës bën që një person mund të kalojë shpejt në një gjendje hipotermike. Përveç këtij rreziku, ky kanal që jep akses në portin më të madh të Europës është dhe një nga zonat me trafikun më të lartë të anijeve në Europë. Helikat e këtyre anijeve gjigande rrezikojnë të thithin personat që janë në ujë, diçka që do të sjellte vdekjen e menjëhershme.
Rrugëtimi pas hyrjes së linjës së re direkte me avion midis Tiranës dhe Amsterdamin, ka bërë që rruga të jetë edhe më e kollajshme. Iliri, një nga djemtë e rinj që ka provuar kalimin në Angli shpjegoi edhe si është organizuar rruga. “Unë thjesht bleva një biletë drejt Amsterdamit. Mora trenin deri në Rotterdam dhe pastaj me taksi deri në Hoek van Holland. Me Google Maps pashë se ku ishte vendi më i mirë për të futur në terminal për tek kamionët. Arrita të futem, por euforia ishte e shkurtër. Më kapi Policia pas disa minutash”.
Deri tani një aksident me vdekje nuk ka ndodhur, por me rritjen e numrit të shqiptarëve autoritetet e sigurisë thonë se ky nuk është një skenar që përjashtohet. Mundësitë e policisë për t’i frenuar, janë shumë të vogla, pasi për shkak të liberalizimit të vizave një shtetas shqiptar mund të qëndrojë legalisht për tre muaj në këtë fshat. Ata mund të ndalohen vetëm në momentin që futen në territorin e portit. Por për shkak të punës se zezë në Angli dhe fitimet që mund të bëjnë, problemi i klandestinëve shqiptarë mund të zgjidhet vetëm në Shqipëri.

Artikulli paraprakGjykata e Lartë rrëzon qeverinë: Profesionet e lira nuk do të paguajnë TVSH
Artikulli tjetërShqipëria vazhdon të digjet, në Fier rrezikohen disa banesa