Fermerët e Beratit në protestë, janë përmbytur tre herë, asnjë qindarkë dëmshpërblim nga qeveria

Fermerët dhe banorët e fshatrave të Beratit protestuan për mashtrimin e qeverisë me dëmshpërblimin ndaj tyre. Dhjetëra hektarë janë përmbytur dhe qindra tonë prodhime bujqësore janë shkatërruar nga përmbytjet e tri viteve të fundit dhe qeveria ka qenë inekzistente, nuk u ka kushtuar asnjë vëmendje. Kanë humbur gjithë pasurinë dhe nuk kanë sot me çfarë të jetojnë. Banorët e fshatrave Kuç, Çiflig, Hink, Arrëz, Banaj thanë se kanë investuar mundin dhe sakrificën e gjithë jetës në fermat dhe tokat, të cilat u përmbytën tri herë. Sekretari për Aksionin Qytetar në PD, Ervin Salianji dhe Dega e PD në Berat duke mbështetur protestën e fermerëve theksuan se qeveria dhe Edi Rama grabisin fshatarët me NIPT-et dhe taksat e larta dhe nuk denjojnë as të zbresin në terren e të dëgjojnë hallet e banorëve të cenuar nga përmbytjet. “Të gjithë vuani nga një gjë, jeni braktisur nga qeveria. Gjithë investimin e jetës e keni hedhur në bujqësi sepse bujqësia është jeta juaj, tek toka, në bujqësi keni hedhur mundin, djersën, sakrificat e një jete, bukën e fëmijëve dhe e gjitha u është përmbytur nga fatkeqësi natyrore. Jo vetëm që nuk po ju japin para, por nuk ka ardhur t’u dëgjojë asnjeri. Ky është një problem i gjithë komunitetit. Qeveria e ka braktisur totalisht qytetarin. Siç ka ndodhur këtu tek ju që i ka dhënë lekët tek një grup i ngushtë që kanë ngritur serra për të marrë lekët tuaja, ashtu po funksionon në të gjithë Shqipërinë. Qeveria nuk shkon pranë qytetarit, nuk e dëgjon atë, nuk vjen këtu dhe t’i japë zgjidhje. Sepse në fund të fundit për çfarë e duam qeverinë? Qeveria votohet nga ju, paguhet nga taksat tuaja dhe nga qytetarët e tjerë pikërisht për të ardhur dhe për t’i dhënë zgjidhje problemeve. Qeveria mbështet importuesin, i cili fiton miliona në kurrizin e djersës dhe mundit tuaj, vetëm e vetëm se është klient i qeverisë dhe ka lidhje të drejtpërdrejta me ministrat, me kryetarin e Bashkisë dhe me deputetët e PS, që ju vijnë këtu vetëm për zgjedhje. Ne sot nuk jemi në fushatë, por kemi ardhur të dëgjojmë e të diskutojmë për problemin tuaj dhe këtë problem e kemi ngritur dhe do të vazhdojmë ta ngrejmë publikisht, do e ngrejmë zërin në Parlament, do ta trajtojmë në Departamentin e Bujqësisë në PD dhe ju garantoj që gjithë mundi juaj do të shpërblehet sepse në fund të fundit paratë e qeverisë nuk janë paratë e qeveritarëve, por janë paratë tuaja, të cilat duhen administruar për ju”, u shpreh Salianji. “Dega e PD Berat mbështet protestën e fermerëve të fshatrave Kuç, Çiflig, Hink, Arrëz, Banaj, të cilët janë përmbytur. Megjithëse u është premtuar që do të dëmshpërblehen nga ana e qeverisë dhe qeveria ka akorduar nëpërmjet fondit të emergjencave një fond të posaçëm deri më sot kanë përfituar vetëm njerëzit që kanë qenë afër PS. Paratë, taksat e këtyre fshatrave dhe gjithë qytetarëve shqiptarë po trajtohen si pronë dhe si çiflig i partisë në pushtet. PD është e vendosur të mbështesë fermerët deri në dëmshpërblimin e tyre duke përshkallëzuar protestën”, tha kryetari i PD-së së Beratit, Gazmend Azizi. “Unë kam në Sheq dy dylymë e gjysmë mandarina të përmbytura. Uji qëndroi mbi një muaj e kusur. Qeverinë as e kam parë e as kam dëgjuar. Kam tre dylymë grurë dhe kam marrë vetëm katër kuintalë grurë se është përmbytur”, u shpreh një banore. “Unë kam tre dylym serra, më është përmbytur në nëntor të 2014 dhe në shkurt të 2015. Dy herë jam përmbytur. Qeveria nuk ka marrë masa për asgjë, ndau ca lekë sivjet. Kemi bërë aplikime, por s’kemi marrë lekë. Nuk na përfshijnë tek dëmshpërblimet”, u shpreh një kryefamiljar i zonës. “Kërkojnë tatimet këta, kërkojnë NIPT-e po malli që është prishur apo që nuk shitet ku ta çojmë. Këta na blenë ne ullirin, mandarinën, plehun kimik, që tani na kërkojnë lekët, taksat?”, ankohet një tjetër. “Jam përmbytur dy herë në nëntor të 2014 dhe në shkurt të 2015. Fusha ka mbetur pesë ditë nën ujë, kam mbjellë shtatë dylym mandarinë. Investimi im është tetë milionë lekë. Kam blerë 400 mijë rrënjë mandarinë. Nga shteti nuk është vënë dorë fare. Ka ardhur një herë ministri i Bujqësisë dhe Edi Rama ka bërë një mbledhje lart, na ftuan të merrnim pjesë në takim, por pastaj na thanë largohuni se do të ulen dhe do të bëjnë pyetje vetëm gazetarët, nuk na premtuan asgjë. Unë i kërkova ministrit të ndërtohen kanale, por ata vijnë vetëm për fushatë”, thotë një fermer. “Mua më është prishur një autokombajnë me vlerë dy milionë e gjysmë lekë. Na kanë shkuar dëm kuintalë të tërë ullinj, dy kuintal qepë, 50 gjela deti dhe dhjetëra kuintalë mandarina. Nuk më ka ardhur njeri të më pyesë as edhe çfarë dëmesh kam patur”. “Pata tre dylym fasule dhe grurë dhe ato m’u përmbytën. Kam një invalid të sëmurë në shtëpi dhe dy pleq të moshuar që i mbaj unë me punën time në bujqësi. Rropatem gjithë ditën dhe serra ime është përmbytyr katër herë këto vite. Lekët i kanë marrë njerëzit pranë pushtetarëve”, denoncon një nënë.

Artikulli paraprakDenoncimi i Filip Morris: Kontrabanda e duhanit arrin në 50 milionë euro
Artikulli tjetërBasha pret nënkampionin e botës në karate