Fatos Nano rishfaqet me një mision në Maqedoni…

Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe lider i dikurshëm i Partisë Socialiste, Fatos Nano, gjatë fundjavës ka qëndruar për vizitë në Maqedoni ku ka takuar disa autoritete politike të vendit.
Si mëson KDPolitik.com nga burime diplomatike, Nano ka takuar kryeministrin Zoran Zaev, ish-liderin e LSDM-së Branko Cërvenkovski, liderin e BDI-së Ali Ahmeti, kryeparlamentarin Talat Xhaferi dhe disa politikanë tjerë me ndikim në vend. Ai thuhet të ketë një miqësi me Cërvenkovskin që nga koha kur ky i fundit ishte kryeministër i Maqedonisë, e që ende ka ndikim mbi partinë kryesore në qeverinë e Shkupit LSDM.
Në fund ka takuar Ahmetin, me të cilin thuhet të kenë një miqësi të hershme. Takimi është realizuar në shtëpinë e Ahmetit në Zajaz të Kërçovës dhe i njëjti ka zgjatur më shumë se 6 orë. Njerëz zë afërt me Nanon thonë se gjatë këtij takimi është ritheksuar orientimi strategjik i shqiptarëve drejt Perëndimit dhe nevoja e realizimit të këtij përcaktimi nëpërmjet zgjidhjes së çështjes së emrit, si pengesë kryesore. Nano dhe Ahmeti thuhet të kenë theksuar rëndësinë e motos “dielli për shqiptarët lind në Perëndim”, që ka kuptimin e një orientimi pa alternativë dhe me prioritet më të lartë.
Ish-kryeministri shqiptar ka filluar misionin e tij në Maqedoni gati në të njëjtën kohë kur ish-kryeministri grek Jorgos Papandreu merr një rol kyç në zgjidhjen e problemit 27 vjeçar të emrit midis Shkupit dhe Athinës. Ditë më parë Papandreu relaizoi një takim me kryeministrin aktual grek Alexis Tzipras, ku iu dha mandati që të të nisë këtë mision.
“Për të ecur përpara, konsensusi kombëtar dhe kompromisi janë të nevojshme. Dhe ne të gjithë kemi për detyrë t’i shërbejmë”, tha Papandreu pas takimit, duke konfirmuar rolin kyç diplomatik në zgjidhjen e emrit. “Politika e jashtme, veçanërisht në momentet kritike për Greqinë, kërkon përgjegjshmëri dhe zëra të pastërt”.
Ai sot në Sunio, një vend turistik grek, ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov.
“Takim inspirues me Papandreun për të ardhmen e dy vendeve tona, të cilat kanë mundësi historike që në të ardhmen të jenë aleatë të afërt. Historia është e rëndësishme. Por, ne kemi mund ta ndryshojmë vetëm të ardhmen”, ka shkruar Dimitrov në Tëitter pas takimit.
Dimitrov qëndron në Sunio me ftesë të homologut të tij grek, Nikos Kotzias, ku merr pjesë në takimin e dytë të ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve Ballkanike dhe grupit të Vishegradit.
Papandreu dhe Nano, ndërkaq, janë dy ish-kryeministra që kanë marrëdhënie të ngushta miqësore dhe ndikim në skenën politike të Greqisë dhe Maqedonisë.

“KDPolitik.com”

Artikulli paraprak“Po fole ti, do të flas edhe unë”, si Rama tenton të shantazhojë ambasadorin Lu
Artikulli tjetërBatërdia me ilaçet e “rimbursuara”, mjeku: Se me çfarë do të mjekohen të semurët Zoti e di