Fassone paralajmëron Montellën

Administratori i deleguar kuqezi paralajmëron këtë herë Milanin dhe Vincenzo Montellën. “Nuk pres vetëm një lojë të bukur, por edhe rezultate. Në fund të fundit, futbolli është një sport që varet nga rezultatet”, thotë Marco Fassone. Për drejtuesin e “djallit”, ringritja e ekipit kuqezi nuk mund të përparojë nëse mungojnë pikët dhe rezultatet pozitive.
Edhe pse ishte pjesëmarrës në një shfaqje bamirësie, me Fondacionin e Milanit që dhuronte 10 defibrilatorë për shkollat, administratori i deleguar foli kryesisht mbi momentin jo të mirë që po kalon skuadra. “Njerëzit duan të shohin rezultatet. Jam i bindur se jemi në drejtimin e duhur, edhe pse disi me vonesë krahasuar me pritshmëritë tona”, ka theksuar Fassone.
Sa i përket ndeshjeve në Europë, duke qenë se të enjten Milanin e pret një transfertë në Athinë të Greqisë, pas barazimit 0-0 që AEK-u rrëmbeu në “San Siro”, Fassone shprehet kategorik. “Kupat europiane janë si gjithmonë shtëpia e Milanit. Athina më shumë se kushdo tjetër. Shpresoj dhe uroj që të enjten të shohim një ndeshje të bukur, sigurisht edhe një rezultat pozitiv”, tha ai.
Dy ditë më parë ish-trajneri i Milanit, Karlo Ançeloti analizoi situatën e Milanit të tij dhe theksoi rëndësinë e krijimit të VAR në të gjitha garat e mundshme. “Në futboll nuk ka magjistarë, me një shkop magjik. Kjo lojë kërkon durim, për të gjetur lojtarët që i përshtaten projektit. Milani ka bërë një merkato të bollshme në verë dhe njerëzit thanë se do të ishte skuadër e jashtëzakonshme, por jo në gjashtë muaj. Pasi ke bërë grupin e duhur të lojtarëve për ekipin, kërkohet kohë dhe këmbëngulje në investime, si edhe punë. Vendi i katërt për Milanin është shumë i rëndësishëm, sepse e lejon të luajë në Ligën e Kampionëve dhe të bëjë investime, por është edhe më e rëndësishme të mos bjerë, kur gjërat të shkojnë keq”.

 

Artikulli paraprakFMN e prerë: Jo uljes së pragut të TVSH-së tek biznesi i vogël
Artikulli tjetërRobben: “Mund të luaj në majën e sulmit