Farsa e mashtruesit, hiqet pezullimi i tenderave

Agjencia e Prokurimit Publik pasi njoftoi pezullimin e të gjithë procedurave të prokurimit me përjashtim të atyre që lidheshin me nevojat për shkak të situatës së COVID-19 ka bërë një sqarim të fundit për autoritetet kontraktore. Sipas kësaj të fundit procedurat e prokurimit mund të vijojnë edhe për procesin e rindërtimit si dhe për shërbime të lidhura me komunitetin që kryesisht zbatohe nga ana e bashkive.

“Në vijim të Njoftimit Nr.2371 Prot., datë 31.03.2020 për pezullimin e shpalljes së procedurave të reja të prokurimit publik, si dhe atyre që janë në proces, Agjencia e Prokurimit Publik (në vijim “APP”) në mbështetje të nenit 13 të Ligjit Nr. 9643 datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, nisur edhe nga pyetjet e shumta dhe problematikat që janë adresuar për zgjidhje pranë saj, sjell në vëmendje të autoriteteve kontraktore si më poshtë vijon:

Njoftimi për pezullimin e procedurave të prokurimit i referohet të gjitha procedurave të prokurimit, përfshirë këtu edhe procedurat e prokurimit me vlerë të vogël, për ato objekte prokurimi, të cilat nuk lidhen ngushtësisht me situatën e pandemisë dhe për ato objekte që nuk janë te domodoshme.

Në këtë kuptim, sqarojmë se autoritetet kontraktore mund të vijojnë procesin e prokurimit (shpalljet e reja apo procedurat që janë në proces) për mbulimin e nevojave te dala në kuadër të situatës së shkaktuar nga pandemia Covid 19, dhe për ato objekte që janë të domosdoshme për mbarëvajtjen e punës së autoriteteve kontraktore, duke përfshirë objektet e prokurimit të lidhura me ofrimin e shërbimeve për komunitetin.

Po kështu, pasur në konsideratë domosdoshmërinë e nevojave të krijuara nga tërmeti, procesi i prokurimit vijon edhe për procedurat që zhvillohen në kuadër të procesit të rindërtimit, sipas parashikimeve të Aktit Normativ nr. 9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me Ligjin nr.97/2019.

Së fundmi, sjellim në vëmendjen e të gjithë autoriteteve kontraktore dhe operatorëve ekonomikë se, sistemi i prokurimit elektronik është në punë (on line) 24 orë, çdo ditë të javës. Po kështu dhe stafi i APP-së është në dispozicion për çdo kërkesë për asistencë, pyetje apo paqartësi, të cilat mund t’i dërgoni në adresën e-emailit: [email protected]” thuhet në sqarim.

Artikulli paraprakEuro ka shënuar rritje gjatë ditës së sotme, pas një jave radhazi në rënie të fortë
Artikulli tjetërTrajtim çnjerëzor/ Bardhi publikon videon: Një vend anëtar i NATO-s nuk mund të sillet si Korea e Veriut