Europa Juglindore do të ndalë rritjen ekonomike në 2018

Kombinimi i kërkesës së shëndetshme globale, stimulimi masiv i politikës fiskale dhe rritja e absorbimit të fondeve të BE-së ishin ndër faktorët kryesorë që ndikuan në nxitjen e rritjes ekonomike në të gjithë rajonin e Europës Juglindore në tremujorin e tretë të vititi 2017, shkruan Focus Economist.
Sipas një vlerësimi paraprak, ekonomia e rajonit u rrit me 6.0% në tremujorin e tretë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nëse kjo rritje konfirmohet, ajo do të shënonte edhe ritmin më të shpejtë të rritjes që nga tremujori i parë i 2008-ës. Të dhënat e regjistruara për rritjen në TM3 janë shumë të larta edhe po t’i krahasojmë me tremujorin e mëparshëm, ku rritja ishte në 4.2%. Rritja është shumë më e lartë edhe se vetë parashikimi i bërë, që mendohej se do të arrinte në 5.4%.
Sidoqoftë, situata nuk paraqitet edhe aq pozitive, sepse retë e zeza po fillojnë që të bëhen gjithnjë e më të dukshme së bashku edhe me zhbalancimet makroekonomike. Sipas Focus Economist, rritja rajonale pritet të ngadalësohet në 3.7% gjatë tremujorit të katërt. Duke e parë më nga afër rritjen ekonomike të këtyre vendeve të Europës Juglindore, për të cilat janë të disponueshme të dhënat e tremujorit të tretë, Rumania ishte ajo që u dallua nga të tjerat, ku rritja u përshpejtua nga 6.1% në tremujorin e dytë në 8.8% në një nivel nëntëvjeçar.
Kjo rritje erdhi si pasojë e nxitjeve të politikës fiskale dhe hyrjeve të mëdha të fondeve të BE-së, duke e vendosur këtë ekonomi në nivelin e saj më të mirë që prej vitit 2008. Edhe pse në shifra më të ulëta, edhe ekonomia e Bullgarisë ka shënuar rritje nga 3.6% në tremujorin e dytë në 3.9% në tremujorin e tretë. Kjo rritje ishte njëkohësisht më e larta që nga viti 2011, dhe erdhi kryesisht si pasojë e rritjes së fondeve të marra nga BE-ja, uljes së papunësisë dhe rritjes së nivelit të pagës.
Ekonomia serbe gjithashtu ka performuar më mirë në tremujorin e tretë nëse e krahasojmë me tremujorin e mëparshëm. Të dhënat e nivelit të PBB-së për tremujorin e tretë janë ende të pakonfirmuara për vendet e tjera të mbetura në rajon, por analistët e Focus Economics shprehen se presin që pjesa më e madhe e vendeve të ketë shënuar rritje. Të dhënat kryesore në Turqi tregojnë se ekonomia shënoi rritje të fuqishme në tremujorin e tretë pas një ecurie shumë të mirë edhe në gjysmën e parë të vitit. Edhe të dhënat në sektorin e prodhimit industrial kanë qenë të mira, ndërsa rimëkëmbja në sektorin e turizmit minimizoi efektet negative të një monedhe vendase të dobësuar dhe të çmimeve të larta të naftës.
Në mënyrë të ngjashme, edhe ekonomia kroate pritet të shënojë rritje nga tremujori i kaluar në tremujorin e tretë, si pasojë e një sektori të jashtëm të shëndetshëm dhe shifrave të larta të punësimit. Ekonomia greke pritet të shënojë rënie në tremujorin të tretë, pavarësisht efektit të fortë bazë të ndihmuar nga një treg pune që po shënon rritje graduale. Përveç situatës tejet pozitive të rritjes ekonomike të shënuar në tremujorin e tretë, në qendër të vëmendjes u vendosën edhe shitjet e mëdha të Lirës turke me Lei rumun në tregun valutor. Lei rumun ra në nivele shumë të ulëta kundrejt Euros në fund të muajit nëntor të këtij viti.
Edhe Lira turke shënoi ulje në fund të nëntorit, pasi “zënkat diplomatike” midis zyrtarëve turq dhe amerikanë u intensifikuan dhe Presidenti Erdogan përsëriti angazhimin e tij për të luftuar normat e larta të interesit. Situata e fundit ka bërë që analistët e tregut të vënë në pikëpyetje pavarësinë e Bankës Qendrore, e cila deri më tani ka reaguar vetëm ndaj shitjeve të rënda me rritje të ndjeshme ndaj normës efektive të financimit përmes kanaleve sekondare.
Rritja rajonale pritet që të pësojë ngadalësim në tremujorin e katërt. Në Turqi, inflacioni i pakontrolluar, mungesa e stimujve fiskalë, çmimet më të larta të naftës dhe një efekt i fortë bazë pritet të ndikojnë në ecurinë e ekonomisë. Pasiguria mbetet e lartë në lidhje me rrugën e Bankës Qendrore dhe shtrëngimin e kërkuar në kushtet monetare mund të ndikojë në vendosjen e zyrtarëve të Bankës në kundërshtim me Presidentin Erdogan dhe kabinetin e tij. Në Rumani, rritja ekonomike për tremujorin e katërt pritet të qetësohet disi, ndërsa diku tjetër në rajon, rritja e PBB-së pritet të jetë disi më e mirë.

Artikulli paraprakStoke City emëron trajnerin e ri
Artikulli tjetërBumi i Gjermanisë dhe problemet e Evropës