Eurodeputetët kërkojnë sqarime Ramës për dëbimin e Çelik: Po rrezikoni të ardhmen në BE

Eurodeputetët Ramona Strugariu dhe Vlad Marius Botos i janë drejtuar me një letër Presidentit Ilir Meta, Kryeministrit Edi Rama, ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe kreut të Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, lidhur me dëbimin drejt Turqisë të shtetasit Harun Çelik, i akuzuar nga Turqia si pjesëtar i organizatës Gylen.

“Ne kemi ndjekur me shqetësim të thellë rastin e shtetasit turk Harun Çelik, i cili u dëbua nga Shqipëria në 1 janar dhe u deportua në Turqi, ku ai përballet me kallëzime penale për dyshimin se ka mbështetur klerikun turk të mërguar Fethullah Gulen.

Ne dëshirojmë t’ju kërkojmë disa sqarime në lidhje me Çelik dhe situatën e tij juridike, veçanërisht në lidhje me parimet e së Drejtës Evropiane dhe Ndërkombëtare në lidhje me ekstradimin, kthimin e shtetasve të huaj dhe mbrojtjen e azilkërkuesve.

Ju lutemi ndani me ne rrethanat e sakta dhe bazën ligjore me të cilën është kryer ky operacion, veçanërisht pasi autoritetet shqiptare këmbëngulin se gjithçka është bërë në përputhje me procedurat normale për dëbimin e një shtetasi të huaj”, thuhet në letrën e eurodeputetëve.

Në vijim, ata kërkojnë sqarime të mëtejshme në lidhje me procedurën e azilit që kishte filluar Harun Çelik, nëse kërkesa e tij ishte përpunuar nga autoritetet shqiptare në kohën e dëbimit të tij dhe hapat e ndjekur në këtë procedurë.

“Legjislacioni shqiptar për azilin dhe të huajt, përkatësisht Ligjin Nr. 121/2014 dhe Ligji Nr. 108/2013 njohin të drejtën e azilit ndaj një të huaji që është jashtë vendit të tij për shkak të një frike të themeluar të përndjekjes për arsye të mendimit politik, si dhe parimit të mos-refuzimit, dhe ofron mundësinë për të apeluar çdo vendim të dëbimit, urdhrave të heqjes apo ekstradimit, në përputhje me angazhimet evropiane dhe ndërkombëtare të marra nga Republika e Shqipërisë.

Për më tepër, legjislacioni shqiptar ndalon dëbimin e azilkërkuesve përpara vlerësimit të kërkesave të tyre. Në këto rrethana, ne do të dëshironim të dinim nëse këto procedura janë përmbushur dhe nëse Çelik iu dha mundësia të shfrytëzonte të drejtën e tij për të apeluar çdo vendim dëbimi kundër tij.

Së dyti, ne do të dëshironim të pyetnim nëse autoritetet turke kishin filluar zyrtaritetin për një procedurë ekstradimi, nëse një Gjykatë Shqiptare kishte vlerësuar këtë kërkesë dhe për përfshirjen e përgjithshme të autoriteteve turke në procesin e riatdhesimit të Çelik.

Do të donim të rikujtonim që Shqipëria ka nënshkruar dhe ratifikuar Konventën e Këshillit të Evropës për Ekstradimin, e cila sipas nenit 3, ndalon çdo formë të ekstradimit me bazë politike.

Më në fund, Shqipërisë iu dha statusi i vendit kandidat për në BE në vitin 2014. Gjatë viteve të kaluara, Shqipëria ka filluar dhe ka kryer reforma ambicioze në fushat e gjyqësorit, administratës dhe ekonomisë së saj, në përpjekjet e vendit për të përparuar drejt anëtarësimit në Union, dhe Parlamenti Evropian ka qenë një mbështetës i fortë i perspektivës evropiane të Shqipërisë.

Neni 19 paragrafi 2 i Kartës Evropiane për të Drejtat Themelore përcakton me vendosmëri që “askush nuk mund të hiqet, dëbohet ose ekstradohet në një shtet ku ekziston rreziku serioz që ai ose ajo do t’i nënshtrohet dënimit me vdekje, torturës ose trajtimit ose dënimit tjetër çnjerëzor ose poshtërues”.

Respektimi i të drejtave themelore të përcaktuara në Kartën dhe Traktatet, si dhe respektimi i normave të së drejtës evropiane dhe ndërkombëtare janë kushte të domosdoshme për të vazhduar në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Nëse kjo është mënyra se si Shqipëria e kupton respektimin e të drejtave themelore të njeriut, kjo mund të ndikojë në perspektivën e saj evropiane.

Ne mezi presim përgjigjen tuaj dhe dëshirojmë të theksojmë se zhvillime të tilla do të diskutohen në kuadrin e Delegacionit të PE në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri dhe përpara Samitit të Zagrebit 2020. Realiteti i respektimit të të drejtave themelore është një parakusht i çdo bisedimi të ardhshëm”, thuhet në letrën që i është drejtur autoriteteve shtetërore nga dy eurodeputetët.

1 9

celik

Artikulli paraprakRrëzimi i avionit në Iran, identifikohet shtetësia e viktimave
Artikulli tjetërBerisha publikon fotot: Vuçiç flet me Carin dhe Sulltanin edhe në emër të argateve të tij në Tiranë