Euro vijon të forcohet në tregun vendas, dollari mbetet i dobët

Me përfundimin e efekteve sezonale, monedha e përbashkët europiane e mbylli javën më e fortë përkundrejt monedhës vendase. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro këmbehet sot në tregun vendas në nivelin e 133.43 lekëve. Gjatë muajit dhjetor, euro kaloi një periudhë të dobët ndaj lekut si pasojë e fluksit të emigrantëve, që kthehen në vend për festa dhe rritjes së qarkullimit të parasë në vend. Gjatë dhjetorit, euro zbriti poshtë nivelit të 133 lekëve, duke arritur nivelet rekord të ulëta që prej gushtit të këtij viti. Sipas ekspertëve të këmbimit valutor, gjatë janarit aktiviteti tregtar është shumë më i vakët, dhe valuta fillon e forcohet në vend. Forcimi i euros në vend është ndikuar dhe prej forcimit në tregjet ndërkombëtare. Ndërkohë që dollari amerikan po përjeton një periudhë të dobët, në vend dhe jashtë. Dollari ka rënë poshtë nivelit të 111 lekëve. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një dollar u këmbye sot në tregun vendas me 110.8 lekë.

Artikulli paraprak290 mijë shqiptarë nuk sigurojnë dot as një vakt ushqimi në ditë
Artikulli tjetërShqiptarët, lënë 140 milionë dollarë në vit tek lojërat e fatit