Euro në nivelin më të ulët prej fillimit të shtatorit

Euro e ka nisur javën e zhvlerësuar në raport me lekun në tregun vendas. Monedha e përbashkët u këmbye sot në nivelin e 133.36 lekëve, apo 0.05 lekë më pak se fundi i javës së kaluar. Ky është niveli më i ulët që prej fillimit të shtatorit, ku euro këmbehej poshtë nivelit të 133.4 lekëve.
Që prej datës 13 tetor, euro ka hyrë në një trajektore rënëse edhe pse diferencat kanë qenë të vogla. Në të njëjtën periudhë një vit më parë, euro filloi të zhvlerësohej me ritme të shpejta, duke zbritur poshtë nivelit të 137 lekëve, rreth 3 lekë më shumë se niveli aktual i këmbimit.
Ekspertët e këmbimit valutor pohuan për “Monitor” se nuk është një trend normal i valutës, pasi historikisht me përfundimin e efekteve sezonale (fundi i sezonit turistik dhe i fluksit të emigrantëve), monedha e përbashkët forcohej. Arsyet e nënçmimit të euros, sipas ekspertëve, argumentohet me ofertën e lartë të valutës në treg dhe me qarkullimin e ulët të monedhës vendase.
Përpos ofertës së lartë të valutës, ekspertët e argumentojnë zhvlerësimin edhe me qarkullimin e ulët të lekut në vend për shkak të rënies së konsumit.

Forcohet dollari

Nënçmimi i euros në bursa, nën nivelin e 1.16 dollarëve, është reflektuar në forcimin e monedhës së gjelbërt. Dollari amerikan është këmbyer dje në tregun vendas me 114.93 lekëve, 0.37 lekë më shumë se fundi i javës që lamë pas.
Sipas ekspertëve të këmbimit valutor, niveli i këmbimit euro/lekë nuk ndikohet prej zhvillimeve në bursa, por nga niveli i ofertës dhe kërkesës për valutë në vend. Zhvillimet në bursa reflektohen në nivelin e këmbimit dollar/lek.

Artikulli paraprakGazetari që përdoret nga Tahiri tjetër pistë të rreme
Artikulli tjetërQeveria: Taksë progresive mbi të gjitha të ardhurat