Euro kuriozitet, Shqipëri-Zvicër ndeshja më e lirë e kompeticionit

Me europianin në prag, mediat ndërkombëtare nxitojnë të nxjerrin fakte të evenimentit që do të zhvillohet në Francë. Kuriozitetet kanë të bëjnë sigurisht me gjëra që nuk i përkasin fushës së lojës, duke nisur nga qytetet më të shtrenjta apo më të lira, ndeshjet më të kushtueshme apo më të lira të europianit, tifozeritë më të nxheta e të tjerë. “Gazzetta Dello Sport” në Itali nxjerr 10 fakte interesante për lexuesit e saj, midis të cilave përmendet edhe Kombëtarja Shqiptare. Kështu sipas prestigjiozes italiane ndeshja më e shtrenjtë do të jetë Itali-Irlandë, ku në të përfshihen çmimet e hoteleve dhe të biletës së stadiumit. Nga 10 qytetet organizatore më i shtrenjti çuditërisht nuk është konsideruar Parisi, por Lila.
Në mënyrë ironike qyteti më i lirë është Lens që gjendet vetëm 27 km larg Lilës, teksa në të nuk do të luhen ndeshjet më të rëndësishme të turneut. Dhe këtu lidhja bëhet me Kombëtaren Shqiptare, pasi sfida debutuese e kuqezinjve ndaj Zvicrës është konsideruar si ndeshja më pak e kushtueshme, kjo duke parë çmimet e hoteleve. Një dhomë dyshe për një natë kushton 134 euro, çka duke i shtuar çmimin e biletës e bën këtë sfidën më të lirë ekonomikisht të turneut. Ndër kuriozitetet e tjera “Gazzetta” rendit edhe tifozët më të interesuar, që shihen hungarezët, skuadër që rikthehet në një europian pas 44 viteve. Ndërsa më pak të interesuar duken tifozët e Rusisë. Gjithashtu është bërë edhe një renditje që sheh tifozët çek si më dorështrënguarit e turneut dhe ata të Zvicrës të gatshëm të paguajnë edhe 436 euro për një mbrëmje.
Duke qëndruar tek tifozët, më entuziastët duken ata të Francës, që nuk tremben aspak nga forma e Gjermanisë dhe Spanjës. Vendasit kanë besim tek skuadra e Dechamps dhe kërkesat e tyre për të qenë në kryeqytet për finalen janë të mëdha.

Artikulli paraprakAnçeloti këshillon Gotze të largohet nga Bayern
Artikulli tjetërRrezikon 3 vite burg