Emigrantët sollën 121 milionë euro më pak në tre muaj

Ndonëse në tremujorin e dytë, pothuajse e gjithë Europa ishte e mbyllur, shqiptarët që punojnë e jetojnë jashtë ia kanë dalë të dërgojnë 121 milionë euro tek të afërmit në Shqipëri, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në bilancin e pagesave.

Gjithsesi, kjo shumë është 34% më e ulët se e njëjta periudhë e një viti më parë, duke reflektuar më shumë karantinën e fqinjit tonë Itali, ku ndodhen pjesa më e madhe e emigrantëve.

Për 6-mujorin, prurjet e emigrantëve ishin 273 milionë euro, me një rënie prej 18.5% me bazë vjetore. Ky është niveli më i ulët i remitancave që nga viti 2008, kur banka raporton të dhënat.

Elton Çollaku, CEO i Unionit Financiar Tiranë, agjent i transferimit të parave të Western Union, për Shqipërinë, Maqedoninë dhe Kosovën, tha se muajt e parë të vitit kishin nisur me një tendencë mjaft pozitive. Por, në 10-ditëshin e fundit të muajit mars, krijimi i një situate kaotike paniku në vendet fqinje, si dhe mbyllja e menjëhershme e vendeve të punës, sidomos në Itali, dha efekt të menjëhershëm në paratë që dërgoheshin në Shqipëri. Kjo tendencë ishte më e dukshme kryesisht nga Italia dhe Greqia, që janë dhe dy shtetet kryesore nga vijnë remitancat në Shqipëri.

Muaji prill dhe maj, tha ai, ishin shumë negativë, sidomos nga Italia, shteti që u dëmtua më shumë nga pandemia, por edhe nga Greqia. Nga shtetet e tjera, rënia ka qenë më e ulët. Ndërsa nga qershori, kur filloi hapja, situata u rikthye drejt normalitetit.

Çollaku thotë se tremujori i tretë ka rezultuar pozitiv, dhe tendenca ka qenë më lart se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Bllokimi i lëvizjes së lirë, si rrjedhojë e kufizimit të udhëtimeve të njerëzve, si me rrugë tokësore ashtu dhe ajrore, të cilat shpesh përdoren nga emigrantët për dërgesat e remitancave nëpërmjet të afërmve e miqve, mund të ketë ndikuar në kalimin e një pjese të remitancave drejt kanaleve formale. Edhe rritja e numrit të të papunëve në vend (sipas të dhënave zyrtare të INSTAT rreth 50 mijë persona dolën nga puna në 6 muajt e parë të vitit), ka qenë një faktor i cili ka nxitur emigrantët të ndihmojnë të afërmit e tyre në Shqipëri.

Që nga 2014-a, remitancat kishin hyrë në një cikël të ri rritës, pas rënies së tyre periudhën 2009-2013, duke reflektuar rigjallërimin e emigracionit në vend.

Artikulli paraprakNdryshime në Kodin Rrugor, 10-fishohet gjoba për celularin, konfiskohen makinat e blinduara pa autorizim
Artikulli tjetërRevolta/ Naftëtarët e Ballshit priten në besë nga qeveria Rama: Ta dimë që vdesim, nuk presim njeri përveç…