Eksportet gjermane nuk do të ndalen

Eksportuesit gjermanë janë aktualisht tepër të sigurt për perspektivat e shitjes së prodhimeve të tyre. Rezultatet e një sondazhi të Institutit të Kërkimeve Ekonomike IFO në Mynih tregojnë se indeksi i perspektivave të biznesit të kompanive gjermane arriti në maj nivelin më të lartë që nga janari 2014.
“Eksportet gjermane vazhdojnë të rriten”, tha drejtori i institutit IFO Clemens Fuest. “Më i madh optimizmi është në sipërmarrjet e industrisë së veshjeve”.
Edhe sipërmarrjet e sektorit të prodhimeve të makinerive kanë marrë shumë më tepër porosi nga jashtë. Indeksi i tyre arriti këtë vit nivelin më të lartë që nga shkurti i vitit 2011. Kurse në sektorin e industrisë elektrike dhe elektronike ka pasur një lloj uljeje.

Ankesat e Trumpit
Presidenti amerikan, Donald Trump u ankua gjatë një takimi me përfaqësues të Bashkimit Evropian sërish për suficitin tregtar gjerman, i cili sipas mendimit të tij është tepër i lartë.
“Gjermanët janë të këqinj, tepër të këqinj”, me këto fjalë e citon presidentin amerikan revista “Spiegel Online” duke iu referuar pjesëmarrësve në takim. “Shikoni miliona makinat që ata shesin në SHBA. E tmerrshme”.
Bilanci i tregtisë mes Gjermanisë dhe SHBA-së është negativ për SHBA-në. Deficiti vitin e kaluar ishte rreth 65 miliardë dollarë – një fakt për të cilin Trumpi dhe këshilltarët e tij ankohen në mënyrë të përsëritur. Blerjet nga Gjermania kapën shifrën 114 miliardë dollarë, kurse shitjet e produkteve nga SHBA-ja në Gjermani kapën vlerën 49 miliardë dollarë.
SHBA-ja është tregu më i madh për produktet gjermane. Veçanërisht të kërkuara janë makinat, makineritë dhe produktet e industrisë farmaceutike.
Trumpi nuk është i vetmi që është ankuar për suficitin gjerman. Edhe Christine Lagarde, shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe presidenti francez Emmanuel Macron e kanë kritikuar suficitin tregtar gjerman.

Artikulli paraprakNë kujtim të Brzezinski: Europa më e zgjeruar i vjen për shtat edhe Moskës
Artikulli tjetërParisi dhe Moska nën hijen e problemeve