Eksperti: Tërheqja e Amerikës nga OBSH, fitore politike për Kinën

Presidenti Donald Trump përsëriti kërcënimet se Shtetet e Bashkuara do të anulojnë pagesat e anëtarësisë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Ekspertët paralajmërojnë se një hap i tillë do të dëmtonte përpjekjet globale kundër koronavirusit dhe do të ishte fitore politike për Kinën.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë historikisht mbështetësi kryesor me fonde i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duke ofruar çdo vit rreth 450 milionë dollarë. Lawrence Gostin, ekspert i shëndetit publik thotë se tërheqja nga organizata do të ishte e pafalshme në këtë situatë:

“Nuk ka asgjë me ndikim më global se të kesh një rol udhëheqës në një krizë të shëndetit në mes të një pandemie. Kina po përpiqet tani ta marrë këtë rol. Kina nuk ka të drejtë të dalë në rol udhëheqës, sepse kurrë nuk është sjellë si qytetare globale”, thotë zoti Gostin.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, thotë Profesor Gostin po i bën një dhuratë Kinës nëse tërhiqet nga OBSH. Presidenti Trump i adresoi një letër drejtorit të përgjithshëm të organizatës duke ngritur shqetësimin se Kina “vazhdon të minojë rregullat ndërkombëtare për shëndetin”.

Profesor Gostin pohon se Kina nuk është treguar transparente, por shton se pezullimi i fondeve për OBSH nuk dëmton vetëm këtë organizatë, por edhe interesat kombëtare amerikane:

“Amerika po vepron kundër interesave të saj duke nxitur këtë retorikë histerike e me gjithë këto kërcënime. Askush nuk do të dëgjojë kërcënime të tilla. Kinës mund t’i kërkohet me fakte të tregohet më transparente dhe të bashkëpunojë më shumë”, thotë ai.

Eksperti shton se megjithë kërcënimet e presidentit se brenda 30 ditësh do të ndërpresë fondet për OBSH, nëse organizata nuk dëshmon ndryshime substanciale, asgjë nuk do të ndryshojë:

“Ai nuk gëzon autoritetin ta bëjë këtë gjë. Duhet vendim nga Kongresi dhe nuk ka asgjë gjasë që Kongresi të mbështesë ndërprerjen e fondeve dhe tërheqjen e Amerikës nga organizata”.

Kina ndërkohë ka shtuar mbështetjen financiare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe është zotuar të mbështesë me fonde prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinës kundër koronavirusit.

Artikulli paraprakKurti denoncon Ramën: Demokracia nuk është spektakli i propagandës së pushtetit, që ua ledhaton mjekrat atyre
Artikulli tjetërProblemi që ka ndihma nga komunistët e Kinës