Ekspertët: Ekonomia këtë vit do tkurret edhe më shumë

Ekonomia e Shqipërisë pritet të ngadalësohet në dy vitet e ardhshme. Banka Botërore në projeksionet që bën për ekonominë botërore në çdo fillim viti shprehet pesimiste në lidhje me nivelin e rritjes ekonomike në Shqipëri. Ekspertët i shpjegojnë se këto pritshmëri lidhen me përfundimin e investimeve të mëdha në vend si dhe krijimin e një klime të pafavorshme për të bërë biznes. Banka Botërore ka rishikuar me ulje ecurinë ekonomike të Shqipërisë për dy vitet e ardhshëm, duke mos qenë aq optimiste sa qeveria shqiptare. Sipas të dhënave për vitin 2019, rritja ekonomike e Shqipërisë me një ulje prej 0.3% ndërsa për 2020 parashikimi mbetet po 3.5%. Ekspertët e shpjegojnë këtë projeksion me përfundimin e investimeve. “Investimet e huaja direkte kanë rëndësi shumë të madhe, sepse ato gjallërojnë pjesën e ekonomisë shqiptare, siç është HEC gjigant që po ngrihet, apo TAP”, thotë Malaj. Për Selami Xhepën parashikimet e Bankës Botërore janë më realiste dhe larg atyre të qeverisë për një rritje ekonomike me 5%. “Gjendjen e investimeve të brendshme në ekonomi, qoftë investime të huaja dhe të investimeve private reflekton në gjendjen e sektorit financiar në Shqipëri dhe vaktësinë në të cilën sektori financiar po e mbështet rritjen ekonomike”, thotë Xhepa. Ekspertët sugjerojnë që të merren masa për të stimuluar rritjen e ekonomike. “Duhet marrë shumë seriozisht nga politikëbërësit shqiptarë, duhen çliruar energjitë e zhvillimit ekonomik shqiptar në nivel vendor dhe qendror, duhen shkurtuar burokracitë, duhen shkurtuar kostot direkte dhe indirekte”. Sipas Selami Xhepës, klima politike është ajo që ndikon në stepjen e investitorëve. “Ajo çfarë mund të bëhet kuptohet që është një faktor si një çështje politike që shkon përtej mundësisë për të ndihmuar apo ndikuar me instrumenta të posaçme të politikave ekonomike”. Rritja ekonomike e Shqipërisë për dy vitet e ardhshme sipas Bankës Botërore projektohet nën mesataren e rajonit.

Parashikimi i zymtë i Bankës Botërore

Ndryshe nga të gjitha institucionet e tjera ndërkombëtare, Banka Botërore duket se ka një qëndrim krejt të kundërt sa i përket rritjes ekonomike të rajonit. Projeksionet e fundit, të publikuara nga institucioni me bazë në Uashington në një raport të veçantë tregojnë se, Shqipëria nuk do të jetë aspak vendi me rritjen më të shpejtë në rajon, as këtë vit, as atë të ardhshëm e as në vitin 2019. Pra, Banka Botërore ka një qëndrim krejt tjetër me atë të Komisionit Europian, Fondit Monetar Ndërkombëtar e institucioneve të tjera në këtë drejtim. Të dhënat për vitin aktual tregojnë se, vendi ynë është i treti në listë, pas Malit të Zi dhe Kosovës, me një normë rritje të ekonomisë të projektuar në 3.6%. Sa i përket vitit të ardhshëm, Shqipëria është e dyta në listë pas Kosovës. Sa i përket vitit 2019 ndërkohë, Shqipëria e ndan vendin e tretë së bashku me dy shtete të tjera; Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën. Kosova dhe Maqedonia ndërkohë, projektohen me një rritje ekonomike në 4 dhe 3.9% respektivisht. Dy vitet e ardhshme, Kosova projektohet si ekonomia me rritjen më të shpejtë në rajon. Gjithsesi, duke bërë një mesatare të të treja viteve, rezulton se vendi ynë ka ecurinë më të qëndrueshme dhe është i dyti pas Kosovës në terma rritje ekonomike. Ndërkohë, Banka Botërore ka përditësuar së fundmi indikatorët botërorë të qeverisjes. Këta indikatorë janë gjashtë në total: përgjegjësia, stabiliteti politik dhe mungesa e dhunës, efektshmëria e qeverisjes, cilësia e rregullatorëve, sundimi i ligjit dhe kontrolli mbi korrupsionin. Të gjashtë këta indikatorë vlerësohen me përqindje, ku përqindja sa më e lartë të jetë, aq më mirë performon një vend. Të dhënat e fundit i referohen vitit 2016, dhe bëhet një krahasim me të gjitha vitet e kaluara, ndërkohë që ne po i referohemi 2015-ës. Në krahasim me 2015-ën, katër ndër 6 indikatorët në vendin tonë kanë pësuar përkeqësim, ndërkohë që progres shënon vetëm indikatori i kontrollit të korrupsionit dhe ai i cilësisë së rregullatorëve. Siç duket qartë nga ky grafik, Shqipëria së bashku me Kosovën janë të fundit në rajon në indikatorin e sundimit të ligjit për vitin 2016. Sa i përket kontrollit të korrupsionit, ndërkohë, me një përqindje në 41, Shqipëria vjen pas Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Ekzaktësisht e njëjta gjë vlen për indikatorin që i referohet efektshmërisë së qeverisë, ku Shqipëria arrin të lërë pas vetëm Bosnje Hercegovinën dhe Kosovën. Kur bëhet fjalë për stabilitetin politik dhe mungesën e dhunës, Shqipëria regjistron performancën më të mirë në rajon, paçka se, është përkeqësuar në krahasim me vitin 2015. Ndërkohë, për përgjegjësinë e qeverisë, Shqipëria është në vend të dytë, shumë pranë Serbisë së vendit të parë.

Artikulli paraprakPo plas flluska bombë e ndërtimeve
Artikulli tjetërTë pashpresë, të gjithë duan të ikin