Ekonomisti i KESH dhe 4 të tjerë ndajnë para për vota

Ekonomisti i KESH në Shkodër dhe 4 persona të tjerë janë kapur nga policia, duke ndarë para në këmbim të votës për Partinë Socialiste. 5 persona kanë rënë në prangat e policisë, pasi janë arrestuar në flagrancë, duke dhënë para në këmbim të votës. Sipas njoftimit të policisë, ekonomisti i KESH në Shkodër dhe 4 persona të tjerë janë kapur, duke shpërndarë para në shkëmbim të votës në lagjen “Guerrile” të qytetit të Shkodrës.
Në njoftimin e Policisë thuhet se, Policia mori një informacion se persona të paidentifikuar ishin duke shpërndarë vlera monetare në vendin e quajtur Lagjia ‘Guerrile’ Shkodër. “Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër shkuan në vendin konkret, ku u konstatua automjeti me targë AA 147 NC, tip ‘Ford’ me ngjyrë të bardhë me logo dhe në pronësi të KESH Tiranë.
Në mjet u gjetën shtetasi A. Gj., 48 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë ekonomist në Drejtorinë Ekonomike të KESH, së bashku me shtetasit A.P, G.L, P.Ll. dhe N.N., të cilët u shoqëruan në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.
Gjatës deklarimeve, shtetasi A. Gj, pohoi se prej rreth një muaji ishte autorizuar nga Korporata Energjitike Shqiptare për shpërndarjen e dëmshpërblimeve (në çeqe) në zonat e përmbytura për rrethin e Shkodrës sipas VKM-së nr. 842 datë 16.12.2011 dhe urdhërit nr. 150 datë 18.04.2017 të ministrit të Energjetikës.
Ai me vete kishte dhe listën e personave përfitues të dëmshpërblimeve, në të cilën figuronin dhe shtetasit e lartpërmendur. Materialet do t’i referohen Prokurorisë, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për vlerësim të rastit”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Artikulli paraprakPako me ushqime për votat, arrestohet kreu i PSD
Artikulli tjetërMinistrat e Ramës dhunë ndaj emigrantes pse i pyeti për drogën