Pako me ushqime për votat, arrestohet kreu i PSD

Një tjetër rast blerje vote është evidentuar në Shkodër. Kryetari i Partisë Social Demokrate (PSD) në Shkodër është arrestuar nga Policia, pasi shpërndante pako me ushqime në këmbim të votave. Pavarësisht se Tom Doshi, kandidat i PSD-së në Shkodër, deklaronte me zë dhe figurë se pakot me ushqime po i jepte për Ramazanin dhe Ditën e Bajramit, një veprim i tillë është konsideruar i jashtëligjshëm edhe nga policia, e cila ka çuar dosjen penale në Prokurorinë e qytetit.
Një parti politike në këmbim të votave për ditën e dielë, 25 qershor, kishte vendosur të shpërndante ushqime për një lagje në qytetin e madh të Veriut. Burime nga Policia thanë se ditën e sotme rreth orës 15:30 është marrë informacion se në Lagjen “Liria” Shkodër, tek një zyrë elektorale, po bëhej shpërndarje pakosh me ushqime në këmbim të blerjes së votave.
Në njoftimin e saj për shtyp, policia sqaron se janë shoqëruar dy persona në lagjen “Liria” në Shkodër, ku në një zyrë elektorale të PDS-së, po shpërndaheshin pako me ushqime në këmbim të votës.
Policia ka shoqëruar kryetarin e PDS-së së Shkodrës, shtetasin P.Rr, 49-vjeçar, si dhe një 29- vjeçar me inicialet S.Gj. Sipas njoftimit të policisë, ishin këta dy shtetas që po shpërndanin pakot me ushqime. Në fund të njoftimit, policia saktëson se ndaj këtyre shtetasve i janë referuar materialet Prokurorisë së Shkodrës, për akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje.

Artikulli paraprakAbuzime me ndihmën ekonomike në Korçë
Artikulli tjetërEkonomisti i KESH dhe 4 të tjerë ndajnë para për vota