Ekonomia amerikane pas zgjedhjeve

Ishte tronditja që u ndje në mbarë botën – rezultati i papritur dhe i pabesueshëm i zgjedhjeve historike të Shteteve të Bashkuara. Tregjet financiare në mbarë botën pritet të mbeten të paqëndrueshme, derisa investitorët të mësohen me idenë se si një udhëheqës i ri, pa eksperiencë do të ndikojë ekonominë më të madhe të botës. Por, siç raporton Mil Arcega, disa besojnë se ende nuk ka arsye për panik.
Edhe para se të shpalleshin votat e fundit, tregu i aksioneve Dow filloi të pësonte ulje të thella, tregjet aziatike po ashtu, dhe investitorët në Evropë i krahasuan zgjedhjet në Amerikë me votën për largim të Britanisë nga BE. “Reagimi fillestar ishte ai që pritej. Ishte shumë i ngjashëm me reagimet pas ‘Brexit-it’…një rënie shumë e mprehtë në tregje”, tha analisti Michael Hewson.
Pavarësisht se çmimet e aksioneve u rikthyen në shifrat e zakonshme, disa ekonomistë thonë se ndikimi i presidencës së Donald Trump-it në ekonominë amerikane do të jetë i konsiderueshëm. Ne biseduam me ekonomistin Gus Faucher në Skype. “Flitet për të gjithë ekonominë. Për fuqinë punëtore – çfarë do të ndodhë me emigracionin. Flitet për eksportet dhe importet dhe tregtinë, se si do të ndikojnë mbi konsumatorët. Bëhet fjalë për kujdesin shëndetësor, shfuqizimin e mundshëm të ligjit të sigurimit shëndetësor” tha ai.
Përveç pasojave të mundshme ndaj tregtisë ndërkombëtare, korrespondentja e “Zërit të Amerikës” për tregjet, Jill Malandrino thotë se ndër fituesit përfshihet industria e energjisë dhe aksionet financiare.
“Zoti Trump është zotuar se do të investojë ndjeshëm në infrastrukturë, dhe kjo është gjë e mirë për industrinë e bakrit dhe burime të tjera. Në Shtetet e Bashkuara ka një mungesë çeliku, dhe rënia e importeve do të përmirësojë fuqinë për të caktuar çmimet”, thotë korrespondentja Jill Malandrino.
Derisa presidenti i zgjedhur të plotësojë detajet e planit të tij ekonomik, shqetësimet afatgjata përfshijnë fuqinë e pakontrolluar të një presidenti të ri që mbështetet nga një shumicë republikane në të dyja dhomat e Kongresit. Në afat të shkurtër, rezultati i papritur mund të ndalojë planin e Rezervës Federale për të rritur së shpejti normat e interesit.
“Kemi parë rënie në çmimet e aksioneve. Kemi parë rritjen e paqëndrueshmërisë pas zgjedhjeve. Mendoj se nëse do të vazhdojë kështu kur të vij koha e takimit të Rezervës Federale në mes të dhjetorit, ata ka të ngjarë të mos rrisin normat e interesit dhe të presin derisa gjërat të qetësohen”, tha eksperti Gus Faucher.
Tregjet globale mund të jenë të paqëndrueshëm për ca kohë, por zonja Malandrino e “Zërit të Amerikës” thotë se, investitorët duhet të qetësohen.
“Do të ketë shumë presion që zoti Trump të sqarojë disa nga synimet e tij, dhe pas kësaj mund të shohim qëndrueshmëri, siç ndodhi pas Brexit-it. Në fund të ditës, bota e korporatave në Amerikë përshtatet shpejt”, tha ajo.

Artikulli paraprakArrestohen 4 tregtarë të duhanit, i lirë oficeri që i kërcënoi me armë
Artikulli tjetërShkodra e Lezha nën ujë, banorët kërkojnë ndihmë