Ekonomia amerikane pas 8 nëntorit

“The Indipendent”

Të martën Shtetet e Bashkuara do të kenë një president të ri. Debate nga më të ndryshmet kanë karakterizuar këto zgjedhje unike, por në fund, ajo që i intereson vërtet zgjedhësve amerikanë është ekonomia. A do të jenë Shtetet e Bashkuara ekonomisht më të sigurta me presidentin e ri? A mund të mbajë Donald Trump të gjitha premtimet e tij ekonomike apo do të përfundojë me një politikë të uljes së taksave dhe të marrëveshjeve protektive? Nga ana tjetër, planet e Hillary Clintonit janë përpjekje konvencionale për t’i dhënë shtysë rritjes ekonomike përmes ndërhyrjeve modeste, me qëllimin e deklaruar të përmirësimit të kushteve të punës dhe të ardhurave të fituara nga shtresa e mesme e popullsisë. Si do të jetë ekonomia amerikane në duart e secilit kandidat?

Ekonomia sipas Donald Trump
A mund t’i mbajë Donald Trump premtimet e dhëna gjatë fushatës? Problemi – dhe kjo vjen për cilindo kandidat presidencial – është që levat ekonomike që një president mund të tërheqë në Shtetet e Bashkuara janë më të dobëta krahasuar me demokracitë e tjera perëndimore. Ka dy arsye për këtë. Së pari, sistemi është i krijuar pikërisht në këtë mënyrë, me kontrollet dhe balancat e tij. Për sa i përket buxhetit, shprehja që e karakterizon është: “Presidenti propozon, Kongresi refuzon”. Me pak fjalë, do të jetë e rëndësishme se cila parti do të ketë në kontroll Kongresin, po aq sa edhe kandidati që do të ulet në Zyrën Ovale.
Së dyti, thuhet se ekonomia amerikane ka një mendje të sajën. Bëhet fjalë për një ekonomi aq komplekse dhe populli amerikan është aq fleksibël dhe “shpikës”, sa edhe presidenti më i vendosur, me Kongresin më mbështetës, do të kishte një influencë relativisht të vogël. Në një kohë krize. Lidershipi është thelbësor – siç e pamë të gjithë përmes kundërpërgjigjes efektive të Shteteve të Bashkuara gjatë krizës financiare. Por në kohë normale, polika në ekonomi vjen më pak se në çdo fushë tjetër.
Thënë kjo, cili është plani i Donald Trumpit? Dimë që quhet “Amerika vjen e para” dhe përmban tre elementë: një shtysë fiskale të madhe që do të mundësohet nga ulja e taksave; rinegocimi i marrëveshjeve tregtare; dhe ndryshime ligjore për emigracionin dhe sistemin bankar, ndër të tjera.
Elementi i parë pritet të reduktojë normalen e taksës federale mbi të ardhurat nga 39,5 në 33 për qind me tri fasha ndarëse në vend të shtatë dhe taksa e korporatave do të reduktohej nga 36 në 15 për qind. Për këtë plan ka vlerësime të ndryshme për sa i përket kostos që do t’i shtohej Thesarit të Shteteve të Bashkuara, por këshilltarët e Trumpit argumentojnë se rritja më e shpejtë ekonomike do të kompensonte humbjet.
Shpenzimet aktuale mbi programet federale, si për shembull Medicare, do të qëndronin dhe askush deri tani nuk ka mohuar se do të vërehej një rritje e borxhit kombëtar. Pikëpyetjet janë nëse rritja e borxhit do të ishte e përballueshme dhe nëse një plan i tillë do të rriste normat e interesit dhe deri në cilin nivel.
Marrëveshjet tregtare janë në thelb proteksionizëm. Për shembull, Trump ka propozuar një tarifë prej 45 për qind mbi importet kineze dhe një tjetër prej 35 për qind mbi ato meksikane. Problemi në këtë rast është nëse kjo është vetëm një strategji negociuese apo është një plan serioz, sepse nëse është i tillë, pasojat do të jenë së paku hakmarrëse.
Është shumë e vështirë të vlerësosh pasojat potenciale të një lufte tregtie, por konsensusi është që politika të tilla do të ishin thellësisht dëmtuese për rritjen ekonomike amerikane. Është e vështirë të gjesh shembuj për rezultate pozitive të kësaj qasjeje dhe politike në të shkuarën, përveç rasteve kur flitet për pasoja afatshkurtra.
Fusha e tretë e madhe e ndryshimet do të ishin rregullimet. Do të kishte kontrolle të shtuara nbi emigracionin – një mur ndarës ndërmjet Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara – por më pak kontroll për sistemin bankar dhe për çështjet mjedisore. Trump ka thënë se do të kundërshtojë Aktin Dodd-Frank dhe se do të mbyllte përfundimisht Byronë e Mbrojtjes Financiare të Konsumatorit të Shteteve të Bashkuara. Ai ka thënë gjithashtu se do të ndërpriste menjëherë Planin e Energjisë së Pastër të administratës Obama. Nëse i mbledhim të gjithë ndryshimet së bashku, Donald Trump pretendon se do ta rrisin ekonominë amerikane me 3,5 deri në 4 për qind në vit dhe do të krijojnë 25 milionë vende të reja pune. A është e besueshme kjo?
Shumica e ekonomistëve thonë se jo, pjesërisht për shkak se targeti është joreal dhe tepër ambicioz – në këtë rast Amerika do të duhet të rritej ekonomikisht më shpejt se e gjithë ekonomia botërore së bashku – dhe pjesërisht për shkak se shumë ekspertë besojnë se një plan i tillë do ta ngadalësonte në të vërtetë rritjen dhe do ta çonte vendin drejt recesionit. Ajo që është bërë mëse e qartë është se tregjet financiare nuk e pëlqejnë.
Sa herë që Donald Trump del në avantazh nëpër sondazhe, vlera e aksioneve në treg bie dhe e kundërta. Kjo është diçka ndryshe nga eksperienca e mëparshme e fushatave, sepse tregjet kanë tendencë të favorizojnë kandidatët republikanë, edhe pse rezultatet ekonomike pas zgjedhjeve të administratave demokrate dhe republikane kanë qenë pak a shumë të ngjashme.
Fitorja e Trumpit do të ishte pa dyshim një tronditje e madhe për biznesin amerikan dhe komunitetin financiar. Premtimet e Trumpit janë aq ekstreme dhe aq të paarritshme, sa çështja tani është se deri në ç’pikë do të arrinte Kongresi ta mbante atë nën kontroll. Problemi është se ende nuk e dimë se cila parti do të fitojë kontrollin e Kongresit.
Nëse rezultati i zgjedhjes së tij do të ishte një version më i zbutur i planeve, me një reduktim më të ulët të taksave dhe disa marrëveshje proteksioniste të vogla, pasojat ekonomike do të ishin të menaxhueshme. Por në rast se implementohet versioni i plotë i planit, kjo do të frikësonte së tepërmi biznesin dhe financat amerikane, së bashku me pjesën tjetër të botës.

Ekonomia sipas Hillary Clinton
Ajo që thotë fushata e kandidatit republikan, Donald Trump është thelbësisht e vërtetë: Nëse votoni për Hillary Clinton, fitoni Obamën. Propozimet e saj ekonomike janë praktikisht një vazhdimësi e politikave të vendosura nga administrata Obama, por me disa inovacione të vogla të politikave fiskale, tregtare dhe rregullatore. Por si çdo aspirant për presidencën e Shteteve të Bashkuara, pyetja është nëse ajo do të ketë një Kongres mbështetës apo kundërshtues.
Të gjithë presidentët amerikanë kanë vështirësi me Kongresin. Duke gjykuar nga toni i fushatës aktuale, Hillary Clinton ka gjasa të ketë më shumë probleme se kushdo. Megjithatë, ajo duket se do të mirëpritej nga tregjet financiare dhe nga komuniteti i biznesit brenda Shteteve të Bashkuara për shkak se është parë si një figurë që paraqet stabilitet. Fakti që disa nga planet e saj të rritjes së taksave do të kundërshtohen egërsisht në Kongres, mund ta bëjë programin e saj ekonomik më të pëlqyeshëm për liderët e biznesit.
Për sa i përket politikës fiskale, Clinton propozon rritjen e shpenzimeve shtesë për të ndihmuar studentët të paguajnë tarifat tepër të larta të universiteteve amerikane, në infrastrukturë të re, në kujdesin shëndetësor të fëmijëve dhe në energjinë e rinovueshme. Për të financuar këtë, ajo do të rrisë normën e taksës mbi të ardhurat për individët me të ardhrat më të larta, një rritje prej 4 për qind të të ardhurave që e kalojnë nivelin e 5 milionë dollarëve në vit, një normë minimale prej 30 për qind për të ardhurat mbi 1 milion dollarë në muaj dhe një rritje të taksës së pronave.
Do të pësojë rritje edhe taksa mbi të ardhurat kapitale, madje mendohet që kjo taksë të dyfishohet në periudhën afatshkurtër. Hillary Clinton mendon të sjellë një taksë të re mbi kompanitë amerikane që e transferojnë aktivitetin e tyre jashtë vendit duke marrë kompani të huaja në pronësi, të ashtuquajturat “inversione”. Qëllimi këtu është që të rriten të ardhurat, por edhe të dekurajohen kompanitë që kërkojnë ta transferojnë biznesin e tyre jashtë vendit.
Për sa i përket politikës së tregtisë. Clinton tani e kundërshton marrëveshjen tregtare të Partneritetit Trans Paqësor (TTP), për të cilën ka qenë pjesë e negociatave gjatë kohës që ishte sekretare e Shtetit, por mbështet Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut. Në mbrojtje të pozicionit të saj kundrejt marrëveshjes së TTP-së, Hillary Clinton ka thënë se kur ishte sekretare Shteti drafti final i marrëveshjes nuk i plotësonte standardet që ajo kishte vendosur.
Për rregullimet, Clinton kërkon ta fuqizojë Aktin Dodd-Frank dhe të imponojë rregulla të reja për bankat e mëdha që vlerësohet se ndërmarrin politika të rrezikshme. Ajo do ta rrisë pagën minimale në 15 dollarë/ora dhe do të rrisë përfitimet e punonjësve, për sa i përket çështjeve ambientale. Hillary Clinton mbështet fuqimisht distancimin nga përdorimi i qymyrgurit dhe e konsideron gazin si një urë kalimi ndërmjet qymyrgurit dhe burimeve të energjisë së rinovueshme. Çmimet e ulëta të gazit në Shtetet e Bashkuara e bëjnë këtë politikë të mundshme. Në periudhën afatgjatë, ajo mbështet edhe idenë se Shtetet e Bashkuara duhet të përfitojnë 25 për qind të energjisë që konsumojnë nga energjia e rinovueshme deri në vitin 2025.
Të marra së bashku, planet e Clintonit janë një përpjekje konvencionale për të nxitur rritjen ekonomike përmes investimeve modeste. Qëllimi i deklaruar prej saj është të përmirësojë kushtet dhe të ardhurat që përfitojnë shtresa e mesme e popullsisë amerikane. Si fillim, duhet thënë se ky nuk është një program radikal dhe sidoqoftë do të shkurtohet ndjeshëm më pas nga Kongresi. Për hir të së vërtetës, nuk është një program që do të emocionojë shumë njerëz.
Masat e saj fiskale komplikojnë së tepërmi sistemin e taksimit, në vend që ta thjeshtojnë atë. Janë tepër të moderuara në krahasim me planin e saj të vitit 2008 kur kërkonte kandidaturën për presidente. Në atë kohë, Hillary Clinton propozoi një buxhet të balancuar që do të kërkonte që çdo plan i ri shpenzimi të shoqërohej me masa të reja të rritjes së të ardhurave.
Plani i saj aktual, në të kundër, duket shumë antiWall Street – por nëse Hillary Clinton zgjidhet si presidente e Shteteve të Bashkuara, tregjet financiare ndoshta do të qetësoheshin. Shtetet e Bashkuara më në fund po përpjetojnë periudhën e tretë më të gjatë të ekspansionit ekonomik prej shumë kohësh. Ndoshta tregjet financiare dhe komuniteti i biznesit do të ishin më të gatshëm të mirëprisnin vazhdimësinë në vend të ndryshimit radikal dhe të papriturës.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakOdisea hapësinore e Evropës
Artikulli tjetërVladimiri i Arabisë