Efekti “Skënderbeu”!

Mund të quhet ndryshe efekti Skënderbeu. Korçarët tashmë nuk janë vetëm skuadra që po bën ligjin në futbollin shqiptar, por janë edhe një ekip me fytyrë europiane. Pjesëmarrja në grupet e Europa League do të thotë shumë dhe nëse je aktualisht pjesë e Skënderbeut e ke shumë të thjeshtë të grumbullohesh edhe nga ekipet kombëtare. Këtë e dinë shumë mirë emra të tillë si Jashanica, Aliti, Lilaj, Sowe dhe sëfundmi Sahiti, pa harruar që më herët pjesë e kombëtareve respektive kanë qenë edhe futbollistë të tjerë të Skënderbeut si Shehi, Osmani, Berisha e Latifi.
Grumbullimi i Jashanicës dhe Alitit nga përfaqësuesja e Kosovës në kualifikueset e Botërorit rus u ka hapur rrugën shumë të tjerëve. Cristian Panucci ka grumbulluar Sabien Lilajn për miqësoren ndaj Turqisë, Kosova ndërkohë për duelin ndaj Letonisë në mungesë të Jashanicës, që është i dëmtuar ka thirrur dy lojtarë të korçarëve, Fidan Alitin që e ka grumbullimin e dytë dhe sëfundmi Suad Sahitin që edhe pse është një lojtar stoli te skuadra e Dajës ka marrë ftesën e parë nga përfaqësuesja e vendit të tij, një sinjal ky se trajnerët e skuadrave kombëtare e shohin me tjetër sy faktin që lojtarët luajnë te një klub si Skënderbeu.
Sowe ndërkohë falë formës së treguar me bardhekuqtë ka fituar grumbullimin me kombëtaren e Gambias. Pas tyre rradhën për të qenë pjesë e përfaqësueseve respektive mund ta kenë emra të tillë si Gavazaj, Nimaga apo edhe i riu i talentuar Demte, e gjithë kjo meritë e një klubi model që i ka dhënë një tjetër dimension futbollit shqiptar në arenën europiane, duke vënë në dukje edhe cilësitë e futbollistëve.

Artikulli paraprakHoyt Yee: E turpshme që udhëheqës të korruptuar në Ballkan mirëpriten në kryeqytete evropiane
Artikulli tjetërFIFA gjobit Serbinë, UEFA “mbyll sytë”?