E mbyll me gol te Pas Janina

Fundjavë fantastike për futbollistët shqiptarë që luajnë në Europë. Andi Lila dhe Ergys Kaçe lanë shenjën e tyre në kampionatin grek me nga një gol të rëndësishëm, ndërsa Sokol Cikalleshi dhe Armando Sadiku nga bombera u kthyen në njeriun asist për skuadrat e tyre. Lamtumirë më të bukur për Andi Lilën nga Pas Janina nuk mund të kishte. Në ndeshjen e tij të fundit me skuadrën greke pasi sezonin e ardhshëm do të luajë në kampionatin azer, futbollisti i kombëtares kuqezi realizoi një gol shumë të bukur. Në javën e fundit të Superligës greke, Lila me një gjuajtje fluturimthi nga distanca i dha avantazhin 1-0 Pas Janinës në sfidën ndaj AEK-ut të Athinës, por nuk mundi t’i jepte dot fitoren ekipit të tij pasi në pjesën e dytë skuadra kryeqytetase barazoi rezultatin.
Ky ishte goli i 9-të me fanellën e Pas Janinës për 31-vjeçarin kavajas, i cili sezonin e ardhshëm do të provojë një aventurë të re në Azerbajxhan. Të shohësh Ergys Kaçen të realizojë një gol me kokë rrallë ndodh. Mesfushori shtatshkurtër me një finalizim shumë spektakolar, i dha avantazhin 1-0 PAOK-ut të Selanikut në sfidën ndaj Kerkyras së Korfuzit, takim që u fitua me shifrat 5-1 nga skuadra e futbollistit shqiptar. Kaçe, i cili ka rifituar vendin e tij në formacion te PAOK-u tashmë përgatitet për të dhënë kontributin e tij te skuadra selanikase në play off-in e Championsit, pasi PAOK-u e mbylli kampionatin në vendin e 2-të.

Artikulli paraprakLila: Në Shqipëri pas disa vitesh, vetëm te Tirana
Artikulli tjetërPSG-ja “lëshon” titullin ndaj Nice