E ku qëndron problemi?!

“Monitor”

Për çdo vit, rritja e punësimit asnjëherë nuk e ka kaluar rritjen ekonomike për arsye që mbeten të vjetra dhe që fatkeqësisht nuk janë kuruar ende. Madje është ngarkuar me shkaqe të reja.
Biznesi i vogël dhe i mesëm në Shqipëri zë mbi 1/3 e të punësuarve. Nëse do të zhvishej sektori i bujqësisë, ky raport do të ishte më i lartë, duke na treguar se burimi i “sëmundjes” nis prej këtej.
Mazhoranca e re e majtë që tani është në fund të mandatit të saj të parë, kërkoi të rrisë cilësinë e ofertës në tregun e punës, duke reklamuar dhe duke investuar në politika që nxisin arsimin profesional. Rritja e cilësisë së krahut të punës dhe qasja ndaj ekonomisë me më shumë “ustallarë” në vend të punonjësve me arsim të lartë, u mendua si një rrugë që mund të nxiste punësimin. Por, megjithëse kjo përpjekje është e pëlqyeshme, ajo nuk po jep ndonjë rezultat që mund të mbahet mend. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se pjesëmarrja e të rinjve në shkollat profesionale mesatarisht çdo vit, nuk është më e lartë se sa në fund të viteve 2004-2005 dhe disa herë më pak se fillimi i viteve ‘90. INSTAT tregon se për shembull, në vitin 2014-2015, numri i nxënësve në shkollat profesionale ishte mbi 26 mijë, në sezonin 2015-2016, ky numër është më i vogël, rreth 25 mijë, pavarësisht bombardimit mediatik e politik të së majtës gjatë këtij mandati.
Krahasimi i këtij treguesi dëshmon se tregu nuk është i gatshëm të thithë këtë forcë pune, sado e rritur të jetë cilësia e saj.
Në shkrimin e saj kryesor të mbështetur me intervista të drejtpërdrejta me bizneset që kanë mbyllur aktivitetin gjatë këtyre 6 muajve të fundit, dëshmohet se biznesi i vogël dhe i mesëm në Shqipëri vuan nga të njëjtat shkaqe që ka vajtuar prej vitesh me radhë, përveçse janë shtuar edhe disa faktorë të rinj.
Shkaqet kryesore janë taksat e papërballueshme dhe kostot e tjera, mungesa e mekanizmave mbështetës, përqendrimi i xhiros në pak biznese.
Aktualisht, Shqipëria vazhdon të mbetet ndër vendet me taksën më të lartë mbi punën dhe kapitalin në rajon, ndërkohë që edhe pse ka një nga popullsitë më të varfra, ka ende taksën mbi pasurinë shumë të vogël.
Ndërkohë që biznesi i vogël dhe i mesëm, edhe pse ka të punësuar pjesën më të madhe të popullatës, konsumon 1/10 e xhiros vjetore të ekonomisë, pasi pjesa më e madhe është torta e bizneseve të mëdha.
Nga ana tjetër ka faktorë që janë rigjallëruar, si rritja e kërkesës nga tregu i huaj për forcë pune të kualifikuar dhe pasiguria politike, të cilat kanë rritur emigracionin dhe nuk po i japin mundësi biznesit të prodhojë më shumë vlerë të shuar.
Kriza e vërtetë e ekonomisë është punësimi dhe shëndeti i saj nuk mund të përmirësohet nëse nuk funksionon zemra e saj, biznesi i vogël dhe i mesëm.
Italia është një vend që na e përfaqëson konkluzionin që parashtruam. Megjithëse ishte një vend që, pas Greqisë u kap më rëndë nga kriza e borxheve publike, nuk ra në grackën e saj. Larmia dhe vitaliteti i biznesit të vogël dhe të mesëm në këtë vend dhe gatishmëria e çdo ngjyre politike për ta mbështetur, u vlerësua nga ekspertët si të ishin zemra e ekonomisë së këtij vendi. Ekonomia jonë nuk po mundet të shëndoshet, sepse vazhdon ta ketë zemrën e dobët, për të njëjtat shkaqe dhe duke mos mundur ta kuptojë se ku “qëndron problemi”.

Artikulli paraprakBE të mos injorojë atë që po ndodh në Ballkan
Artikulli tjetërKing Doktori