E enjtja e asgjësë

Nga Namir Lapardhaja

Edi Rama është i kënaqur më shumë se kushdo tjetër, kur lë në shfaqjen e tyre deputetët e Rithemelimit, ata që do duhet të ishin alternativë e pushtetit. Shprehja e tij e famshme se ‘ne nuk jemi më të mirët, por shih kë kemi përballë’, e polarizon maksimalisht votën e shqiptarëve, mban solide atë socialiste, dekurajon votën gri dhe të pakënaqurit dhe, më së paku, e lë situatën kështu siç është. Rama vijon i qetë në pushtet, i mbytur nga skandalet dhe korrupsioni, kjo ‘opozitë’ në të njëjtat pozita, për shkak të moskuptimit dhe të mos nxjerrjes mësim nga asgjë e shkuar.

Sali Berisha është i kënaqur më shumë se të tijët dhe njëlloj me Edi Ramën. Një shfaqje e tillë, dy herë në javë, të hënën në komisione dhe të enjten në seancë plenare, e mban atë në lojë për t’iu fshehur drejtësisë, për të mos të shkuar në gjykatë për t’u përballur me hallin e tij. Të hënën e parë dhe të tretë të muajit, ai, në vend që të jetë për të dhënë gjenealitetet përpara oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimeve, del dhe u jep leksione demokracie shqiptarëve që e kanë dëbuar nga pushteti me një milion vota. ‘Aksioni’ i Berishës i kamufluar për të ‘shpëtuar’ opozitën dhe shqiptarët, po ia del më së miri, deri më tani, për t’iu shmangur drejtësisë. Pra, atë që thotë se po e bën për të tjerët, në fakt, po ia del më së miri ta bëjë për vetveten.

‘Heronjtë e kangjellave’ po ia dalin për t’i treguar militantëve që ne jemi bërë gardh për të mbrojtur liderin historik dhe, sido të shkojnë punët, meritojmë të jemi pasardhësit e tij, sepse, kur ai kishte hallin e madh, i dolëm në mbrojtje me të gjithë mënyrat.

Kjo skenë e shëmtuar nuk prodhon politikisht asgjë, nuk lejon qarkullimin e ideve, nuk siguron ndryshimin e elitave, nuk mundëson dëgjimin e zërave të arsyeshëm, nuk shfaq asnjë alternativë qeverisjeje për çështjet aktuale, mban në pushtet Edi Ramën dhe PS-në, nuk u ofron zgjidhje shqiptarëve për asnjë problematikë dhe, mbi të gjitha, vijon të mashtrojë demokratët për fitoret imagjinare të Revolucionit të asgjësë.

Artikulli paraprakPas situatës kaotike në Kuvend, Nikolla mbyll seancën plenare pas 20 minutash
Artikulli tjetërFoshnja e braktisur ndërroi jetë, reagon materniteti “Koço Gliozheni”, publikon shkakun e vdekjes