E djathta populiste, një tendencë europiane në forcim

Berndt RIEGERT

Eurodeputeti dhe kreu i partisë populiste të djathtë, AfD, Jörg Meuthen u shpreh i gëzuar për rezultatin e papritur në Tyringji këtë javë. Për herë të parë në një land gjerman u zgjodh një kryeministër me ndihmën e AfD-së.

Meuthen tha për gazetën “Frankfurter Allgemeinen Zeitung”, se partia e tij AfD, kristiandemokratët e CDU-së dhe liberalët e FDP-së krijojnë një “rreth konservator-liberal”.

Ndërkohë politikani i zgjedhur i FPD-së në Tyringji si kryeministër, Thomas Kemmerich u dorëhoq nga posti, por për AfD-në mbetet suksesi i futjes në “kampin liberal-konservator”. Eurodeputeti i majtë, Martin Schirdewan e kritikoi ashpër bashkëpunimin kohëshkurtër mes CDU, FDP dhe AfD si “thyerje tabuje”.

Për populistët e djathtë në Europë, që paraqesin ndërkohë grupin parlamentar të katërt më të madh, Tyringjia paraqet një hap tjetër suksesi, një simptomë e një trendi të dukshëm prej vitesh në BE.

Në shumë vende populistët e djathtë janë pjesëmarrës në qeveri, krijojnë grupimin më të fortë parlamentar ose i kanë dobësuar ndjeshëm partitë tradicionale. Gjermania ishte deri të mërkurën një përjashtim.

Vetëm në muajt e fundit në Austri dhe Itali populistët e djathtë pësuan disa goditje. Tyringjia, megjithë dorëheqjen e Kemmerichs, duket se i jep më shumë besim AfD-së dhe grupit parlamentar populist “Identiteti dhe demokracia” (ID) në Parlamentin Europian.

Krahas AfD-së aty janë të përfaqësuar edhe Lega e radikalit të djathtë, Matteo Salvini, partia austriake FPÖ e shkundur me themel nga skandali i (i njohur si afera e Ibicës, shën red.) dhe “Asambleja Kombëtare” franceze e Marine Le Pen.

Të qenit djathtas në Austri është prej kohësh normale
Në Austri, FPÖ ka qenë e përfaqësuar disa herë në nivel qeveritar federal. Partia kristiandemokrate, ÖVP nën kreun e saj “fleksibël”, Sebastian Kurz është afruar me pozicionet e FPÖ-së dhe gati e përqafoi këtë parti. Në disa lande, po ashtu FPÖ ka qenë e përfaqësuar.

Madje edhe me socialdemokratët ka pasur në landin “Burgenland” një koalicion deri në skandalin e “Ibicës” vitin e kaluar. Vitin e kaluar, atëherë kreu i FPÖ-së, Strache donte t’i shiste shërbimet politike një gjoja vajze të një oligarku. Kjo u zbulua përmes një videoje të filmuar fshehurazi. Qeveria u rrëzua dhe FPÖ u largua nga qeveria.

Kreu i FPÖ-së në parlamentin austriak, Herbert Kickl i mbështeti të premten kolegët e partisë mike në Tyringji duke i quajtur zhvillimet në Tyringji si “përshtypje e një shtrembërimi total të demokracisë” që ofrojnë “të vetëemëruarit mbrojtës të gralit të shenjtë”. Kickl kishte parasysh këtu kritikën që iu bë CDU dhe FDP në Tyringji që zbutën vijën ndarëse me AfD.

Në Itali nuk ka drojë
Edhe në Itali kufijtë ndarës me kristiandemokratëve, konservatorëve dhe radikalëve të djathtë kanë rënë prej kohësh. Partia nacional-konservatore, “Forza” e Silvio Berlusconit punon hapur me populistët e djathtë të Legas dhe neonazistët e “Fratelli d’Italia”.

Të treja partitë duan në zgjedhjet e ardhshme të fitojnë si aleancë e djathtë mbi kampin e majtë të populistëve të “5 Yjeve” e socialdemokratëve. Lega e Matteo Salvinit ka bashkëqeverisur në Romë. E Salvini vazhdon të jetë shumë popullor, edhe pse zgjedhjet rajonale në rajonin e Emilia Romagnas i humbi me distancë të vogël votash. “Thyerja e tabusë” ka ndodhur prej vitesh në Itali. Në Itali qytete, komuna e rajone të tëra qeverisen nga populistët e djathtë.

Populistët e djathtë të forcuar
Në Francë partia e Marine Le Pen, “Asambleja Kombëtare” pret që të fitojë ndjeshëm në zgjedhjet komunale në mars. Le Pen që e ktheu Frontin Nacional në “Asamble Kombëtare” ka kohë që ka hyrë thellë në kampin liberal-konservator. Partitë e dikurshme konservatore janë zvogëluar. Le Pen synon që nga bashkitë të ngjitet në pushtet në nivel kombëtar.

Në vitin 2022 ajo synon të jetë presidente e Francës e do të dalë kundër Emmanuel Macron në zgjedhje. Një zgjedhje si në Tyringji nuk do të shokonte askënd në Francë. Në Spanjë konservatorët dhe populistët e djathtë të Vox bashkëpunojnë në Andaluzi.

Artikulli paraprakSinn Fein dëbon nga froni partitë tradicionale në Irlandë
Artikulli tjetërVdekja e një “gënjeshtari”, që u kthye në hero kombëtar