E djathta ekstreme me rezultat historik

Kryetarja e Frontit Nacional në Francë, Marine le Pen, deklaroi në Twitter: “Një bravo për aleatët tanë të AfD-së për këtë rezultat historik”. Ky është “një simbol i ri për zgjimin e popujve europianë”.
Edhe populisti i djathtë holandez, Geert Wilders uroi AfD: “Urime Frauke Petry dhe AfD!!”, shkruan Wilders në Twitter.
Sekretari i Përgjithshëm i populistëve të djathtë të Austrisë, Herbert Kickl, tek ky rezultat sheh të pasqyrohet dëshira e zgjedhësve për ndryshime në Europë. Kancelarja Angela Merkel përmes politikës së saj “Refugees-Welcome” ka bërë dëm. “Shpërndarja e parave të taksave të fituara me djersë në ndonjë vend të falimentuar dhe vala e paimagjinueshme e migracionit në Europë në vitin 2015” sipas tij, tregon, se europianët mezi presin ndryshime të politikës së deritanishme, deklaroi Kickl, sikurse citon agjencia austriake e lajmeve “APA”.
Në janar 2017 populistët e djathtë europianë u mblodhën në Koblenz në Gjermani në një kongres të përbashkët, ku demonstruan unitet.
Le Pen në zgjedhjet presidenciale në maj në Francë ia doli të konkurrojë deri në balotazh, ku edhe humbi ndjeshëm kundrejt social-liberalit Emmanuel Macron.
Wilders me partinë e tij të lirisë, PVV, në zgjedhjet parlamentare në mars në Holandë doli në vendin e dytë. Në Austri populistët e djathtë për pak mund të arrinin të kishin presidentin e vendit nga radhët e tyre. AfD në Gjermani në zgjedhjet e së dielës (24.09) arriti të fitojë me 13% duke dalë forca e tretë në vend e kësisoj ajo do të jetë e përfaqësuar në Parlament. Kjo është hera e parë që në Parlamentin e Gjermanisë përfaqësohet një parti populiste e djathtë.

Artikulli paraprakMungesa e votave lë Kosovën jashtë INTERPOL-it
Artikulli tjetërSi e komenton SHBA fitoren e katërt të Merkel