E ardhmja e Grezdës në Serinë A

Paraqitja pozitive e Eros Grezdes në sfidën e “Loro Boriçit” ndaj të kaltërve, ka tërhequr vëmendjen e mediave italiane që parashikojnë një të ardhme në Serinë A për mesfushorin me tipare sulmuese. Faqja e specializuar, “Tuttomercatoweb” thekson fillimisht se Grezda e vuri disa herë në vështirësi portierin Giggi Buffon, duke i dhënë një ndihmë të madhe në krahun e majtë edhe kapitenit Agolli. “Në aspektin e grintës, ai e vuri disa herë në vështirësi skuadrën e Venturës në ndeshjen e Shkodrës, kjo për meritë edhe të eksperiencave në disa kampionate konkurruese”, thekson faqja italiane që shton më pas se, Grezda u bashkua që në moshën 15-vjeçare me Dinamon e Zagrebit dhe më pas provoi disa eksperienca të ndryshme në Austri dhe Slloveni përpara se të rikthehej në Kroaci te Lokomotiva e Zagrebit, ku bëri hapin e madh të karrierës.
“Tuttomercatoweb” thekson se, në krahun e djathtë të sulmit, ai arrin të shfaqë gjithë potencialin e tij dhe kontrata e tij me klubin aktual të Osijek skadon në vitin 2021. “Trajneri Zekic ka në dispozicion një thesar, të cilit mund t’i besojë shumë dhe nuk është rastësi që janarin e shkuar Crotone shfaqi interes për të. Kjo ndodhi pak ditë përpara debutimit të tij me Shqipërinë në Palermo dhe me shumë mundësi, gjatë merkatos së dimrit, interesi për të do të rikthehet”, përfundon shkrimin “Tuttomercatoweb”.

Artikulli paraprakPSG, Hatem Ben Arfa pranë kalimit te Lille
Artikulli tjetërShqipëria humbet 5 vende në FIFA