“Dyshimet për një marrëveshje të fshehtë”/ Letra e Eisenhower për Stalinin dhe përplasjet amerikano-britanike gjatë fundluftës së Dytë Botërore: Pse u shqetësua Churchill

Ambasadori Bashkim Zeneli përmes librit “Berlin 1945-Maji i fitores” hedh dritë mbi ngjarjet e fundluftës së Dytë Botërore, më e madhja dhe më e përgjakshmja që ka përjetuar njerëzimi. Libri mbart një pasuri personazhesh, ngjarjesh, psikologjish e ndjesish që na jepen pikërisht përmes “Berlin 1945 – Maji i Fitores” i ambasador Bashkim Zenelit.

Bota berlineze e majit të vitit 1945 është e pafundme, një kozmos më vete, e pangjashme me asnjë kozmos dhe e papërsëritshme për të medituar përshkrimin e saj. Libri i diplomatit të njohur ka patur një interes të veçantë dhe se i referohet pa fund burimeve arkivore rreth luftës së pamëshirshme që udhëhoqi Hitleri.

Historiani e politikani I njohur, Prof.Dr.Paskal Milo në parathënien e librit vlerëson se ambasadori Bashkim Zeneli në librin e tij me disa qindra faqe, jep një mësim e shërben si model. Sipas z. Milo, ai dëshmon së është një njeri me vullnet dhe pasion që bën punën e një instituti të tërë. Bashkim Zeneli na rikujton të gjithëve se kush harron dhe shtrembëron të shkuarën është i prirur të gabojë në të tashmen e të ndërtojë keq të ardhmen.

BASHKIM ZENELI, MJESHTËR I MADH

“Past is Prologue-E kaluara është prologu”
Njohja e së shkuarës është parakusht për t’u orientuar drejt së ardhmes”
Arkivi Kombëtar i SHBA, Uashington

PJESA E PARË

Tensioni në bunker po rritej nga dita në ditë. Nuk vinte më asnjë lajm pozitiv. Raportohej vetëm për humbje të ushtrisë naziste, si në perëndim, ashtu edhe në lindje e juglindje. Ndonjë rezistencë ishte krejt e papërfillshme. Hitleri e priste ofensivën si nga perëndimi, ashtu edhe nga lindja, por vetëm se nuk ishte i sigurt se kur do të ndodhte kjo. Më shumë se asgjëje ai i trembej sulmit të ushtrisë së kuqe, që ishte afër Berlinit dhe që do ta merrte atë para amerikanëve dhe britanikëve. Në çmendurinë e tij, do t’i thoshte Goebelsit se “lufta për të marrë Berlinin ishte një komplot bolsheviko-hebre”. Ndërkohë, ai nuk i kishte pranuar as gjeneralit Heinrici plan për evakuimin e popullsisë civile. Jo vetëm aq, por gjendja po rëndohej edhe nga mungesa e madhe e ushqimeve në kryeqytet. Asgjë nuk kishte edhe nga ai premtim i Goebelsit për të furnizuar Berlinin me mish dhe me qumësht pluhur.

Më 31 mars, do të shënohej një ngjarje e rëndësishme që jepte sinjalin e nisjes së shpejtë të ofensivës së ushtrisë sovjetike. Udhëheqësi sovjetik, Stalin, thërret për të biseduar në zyrën e tij ambasadorët e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, Harriman dhe Clark Kerr së bashku më shefat e misionit ushtarak amerikan dhe britanik, gjeneralin John Dean dhe admiralin Ernest Archer. Paraprakisht, ata ishin njoftuar nga kabineti i Stalinit se do të bisedohej lidhur me zhvillimet e forcave aleate në Gjermani tani në prag të përgatitjes për ofensivën përfundimtare. Do të bisedohej edhe për letrën që gjenerali Eisenhower i kishte dërguar Stalinit pak ditë më parë. Gjenerali Dean, paraprakisht do të njihej në detaje me letrën që Eisenhower-i i kishte dërguar Stalinit.

Takimi me udhëheqësin sovjetik nuk do të zgjaste shumë. Stalini që në fillim do t’u thoshte bashkëbiseduesve se e mbështeste planin e gjeneralit Eisenhower. Ai do të thoshte se “në këtë sulm frontal, Gjermania do të ndahej në dy gjysma dhe armikun qendror do ta kishte në pjesën perëndimore të Çekosllovakisë dhe në Bavari.

Stalini mbështeste strategjinë e anglo-amerikanëve, por për planin e tij, nuk u foli bashkëbiseduesve. Porsa i përket koordinimit me planin e ushtrisë sovjetike, ai u tha bashkëbiseduesve, se për këtë, më parë ai do të duhej të konsultohej me shtabin e tij. Stalini u thotë gjithashtu se brenda 24 orëve do t’i përgjigjet letrës së gjeneralit.

Të ftuarit në këtë bisedë, do t’u raportonin menjëherë qeverive të tyre. Gjenerali amerikan Dean do të vinte në dijeni menjëherë edhe gjeneralin Eisenhower, i cili do të mbetej shumë i kënaqur nga përgjigjja e Stalinit për letrën e tij. Deri tani, letra e gjeneral Eisenhower dërguar Stalinit kishte qenë objekt sulmesh e spekulimesh, edhe dyshimesh, nga britanikët, për mundësinë e ndonjë marrëveshjeje të fshehtë.

Veçanërisht i shqetësuar për këtë letër ishte kryeministri britanik Churchill. Ai i kishte thënë shefit të shtabit të tij, gjeneralit Sir. Hostings Ismay se dyshonte në një marrëveshje të fshehtë amerikano-sovjetike, “kundër britanikëve” Churchill-i do të kujtonte letrën e gjeneralit të tij Montgomery 2-3 ditë më parë, ku i shkruante se “duke ecur drejt Elbës, nëpërmjet autostradës do të shkonte në Berlin”. Kjo i kishte pëlqyer kryeministrit britanik dhe tani, dukej se planet kanë ndryshuar. Ai po shihte se “marrëdhëniet midis të treve nuk qenkan të mira”.[1]

Ai do t’i thoshte gjeneralit Ismay se “ato që Eisenhower-i i ka përcjellë Stalinit, më duken shumë kontradiktore me ato që më ka njohur Montgomery, në lidhje me marshimin drejt Elbës, e më tej, drejt Berlinit.”[2]

Po atë ditë, Feldmarshalli britanik Brooke, shumë i nervozuar dhe pa dijeninë e Churchill-it dhe as të gjeneralit Montgomery do t’i dërgonte një notë proteste Uashingtonit se “si mund ta lejonte Eisenhower-in të komunikonte drejtpërdrejt me Stalinin dhe se më parë duhej të merrte vendim për këtë në Shtabin e Përgjithshëm… Feldmarshalli Brooke kërkonte të dinte se “çfarë ka ndryshuar në koordinimin e planeve të përbashkëta për të shkuar drejt Elbës”.

Letra e marshallit Brooke do të linte të befasuar gjeneralin amerikan George Marshall, shef i Shtabit të Shefave të Ushtrisë. Britanikët, me synimin e njohur për të marrë ata të parët Berlinin, tani donin të dinin se çfarë ka ndryshuar. Gjenerali Marshall do të komunikonte menjëherë me gjeneralin Eisenhower dhe ky do t’i thoshte se “britanikët donin me çdo kusht të hynin të parët në Berlin dhe mendonin se ashtu siç u tërhoqëm ne për të pasur si zonë të pushtimit veriun dhe veri-perëndimin e Gjermanisë, pas kundërshtive të pandërprera të britanikëve, ashtu edhe do të mund të tërhiqemi për t’i hapur rrugë ushtarëve britanike për të marrë Berlinin në autostradë, edhe para sovjetikëve”.[3]

Gjenerali George Marshall, do t’i përgjigjej me një ton shumë të qetë marshallit Brooke duke i shkruar se “asgjë nuk ka ndryshuar në strategjinë e bashkëpunimit midis amerikanëve dhe britanikëve në fushën e betejës… Ai ndjente shumë keqardhje për dyshimet e britanikëve”.

Kryeministri britanik dyshonte për një marrëdhënie jo të sinqertë të amerikanëve ndaj britanikëve, nisur edhe nga disa vonesa apo edhe mospërgjigje të amerikanëve ndaj britanikëve. Churchill nuk kishte dijeni për gjendjen shumë të rënduar shëndetësore të presidentit amerikan. Bashkëpunëtorët e tij kujdeseshin që të mos i përcillnin gjithçka dhe të mos e shqetësonin me “ngutin e përgjigjeve” që prisnin britanikët.

Më vonë, Churchill, në kujtimet e tij do të shkruante se “unë besoja se në të gjithë ato vite, telegramet e mia të gjata i shkonin mikut tim të besuar dhe kolegut… Por, siç duket, shumë duar përziheshin së bashku, për të dhënë përgjigje në emër të tij. Rooswelti largpamës tani jepte vetëm direktiva të përgjithshme. Ishin javë shumë të ngarkuara për të gjithë.”[4]

Është shkruar shumë se kryeministri britanik dyshonte në marrëdhënien e njëanshme të amerikanëve me sovjetikët, sidomos nga fundi i luftës. Në fakt, nga sovjetikët ishte shkelur një marrëveshje që avionët bombardues të aleatëve të uleshin në bazat ajrore të sovjetikëve. Kishte shkelje të marrëveshjes edhe për sa i përket transportimit të robërve të çliruar amerikanë dhe britanikë për kthimin në atdhe. Sovjetikët i kishin hedhur poshtë këto dyshime.

Stalini, pak ditë më parë, rreth fundit të marsit, kishte bërë një deklaratë se “robërit sovjetikë të luftës ishin keqtrajtuar dhe ishin përndjekur, madje edhe ishin vrarë në kampet amerikane dhe britanike”. [5]

Sovjetikët do të reagonin ashpër edhe kundër përpjekjes së gjermanëve dhe italianëve për bisedime të fshehta për kapitullimin e trupave të tyre. Me anë të një note proteste, sovjetikët akuzuan aleatët si “tradhtarë të bisedimeve të fshehta me armikun, mbas shpinës së Bashkimit Sovjetik, që po mban ngarkesën më të madhe të luftës kundër Gjermanisë naziste”.[6]

Në të gjithë këtë kuadër, kryeministri britanik, vazhdonte të komentonte, edhe pas përgjigjes së marrë nga gjenerali George Marshall se letra e Eisenhower-it për Stalinin ishte “një përzierje shumë e rrezikshme në strategjinë e politikës globale”.

Duke synuar Berlinin, me një kuptim themelor politik, Churchill-i do të bindej se gjenerali Eisenhower qëllimisht nuk e vlerësonte Berlinin për ta marrë të parët aleatët perëndimorë, se ishte ai (Eisenhower) që pak kohë më parë kishte thënë se “Berlini nuk ishte më një qëllim i rëndësishëm ushtarak”.[7]

Përsëri, më 30 mars 1945, natën vonë, i shqetësuar për Berlinin, kryeministri britanik do t’i telefonojë gjeneralit Eisenhoëer dhe do t’i lutet që të japë disa shpjegime më të hollësishme për planin e tij të ofensivës. Churchill e dinte rëndësinë e marrjes i pari të Berlinit dhe kishte porositur gjeneralin Montgomery, jashtë strategjisë së përbashkët amerikano-britanike, që të lërë mënjane ofensivën në Veri dhe të synojë Berlinin para se atë ta kishin pushtuar sovjetikët”.[8]

Churchill, në telefonatat dhe telegramet me amerikanët shtronte përherë çështjen që Berlini duhet ta marrim ne të parët, aleatët perëndimorë, ndërsa gjeneralit Montgomery i jepte porosinë që, në kuadër të aleancës, të ishin trupat britanike ato që duhet të merrnin të parët Berlinin…

Gjeneral Eisenhower do të habitej nga ky qëndrim i Churchill-it, e sidomos do të surprizohej nga porosia që i kishte dhënë Montgomery për të mos sulmuar në veri. Gjenerali mendonte se ky ishte edhe një reagim ndaj propozimit të tij (në letrën e Stalinit) “që ushtria të bashkohej me ushtrinë sovjetike duke nisur nga drejtimi Erfurt – Leipzig – Dresden”. Gjenerali amerikan kishte menduar për sulmin e aleatëve perëndimorë me ushtrinë britanike, drejt veriut dhe për të mbrojtur portet shumë të rëndësishëm dhe industrinë e njohur në atë zonë, nga zbatimi i urdhrit të Hitlerit për të shkatërruar gjithçka.

Përveç bisedës telefonike, gjenerali Eisenhower, të nesërmen me shumë korrektesë, do t’i dërgonte një letër kryeministrit britanik. Këtë letër do t’ia përcillte për dijeni edhe Ëashingtonit. Ai do të komunikonte edhe me gjeneralin Marshall dhe do t’i thoshte se “nuk arrinte të kuptonte këto qëndrime protestuese të Londrës”. Ai ishte i bindur se me sovjetikët “duhet të bisedonte për koordinimin e veprimeve luftarake drejt Berlinit”. Ai i shpjegon gjeneralit Marshall se “asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e tij” dhe se “ishin britanikët ata që më parë kërkonin të sulmonin në veri, e që tani kanë kundër sulmit në veri”.

Mbasi i flet gjeneralit Marshall për shumë kundërshti të britanikëve, ai e siguroi se “qëllimi im dhe iu bashkëpunëtorëve të mi, ka qenë dhe mbetet që kjo luftë të fitohet sa më shpejt”.

Gjenerali Marshall, mbas kësaj bisede me gjeneralin Eisenhower do t’i dërgonte një protestë shtabeve të përgjithshme ushtarake britanike. Ai do ta mbështeste gjeneralin Eisenhower se “larg çdo qëndrimi politik, qëllimi i vetëm është fitorja e afërt dhe e plotë e luftës”.

Ndërkohë, marrëdhëniet e Eisenhower-it me Montgomerin, edhe tani në prag të sulmit frontal kundër ushtrive naziste, ishin të tensionuara. Eisenhower do të komunikonte me Montgomery-n vetëm “kur ishte tepër e domosdoshme”.

Në kujtimet e tij, gjenerali Eisenhower do të shkruajë për raportet me marshallin Montgomery: “Përpjekjet e Montgomery-t për të shmangur amerikanët, dhe sidomos mua, kishin përherë formë personale dhe kishin të bënin shumë pak me vetë luftën, për të cilën unë doja bashkëpunim me të”.[9]

Gjeneralë të shtabit amerikan do ta përshkruanin gjeneralin Montgomery si një njeri “egocentrik, jo i qetë dhe që në front ishte i ngadaltë”. Edhe vetë gjenerali britanik John Whitely, njëkohësisht zëvendësshef në Shtabin e Përgjithshëm të forcave aleate, do të shkruajë se “për Montin do të ishte më mirë që ta kishte rrugën e bardhë për të goditur Berlinin… ai nuk e kishte ndjenjën se diçka duhej bërë shpejt e shpejt”.[10]

Një tjetër gjeneral britanik, Sir Frederick Morgan, do të shprehej për gjeneralin Montgomery se “në këtë kohë, Monty do të ishte i fundit që do të gjykonte për sulmin ndaj Berlinit… Montit do t’i duheshin të paktën 6 muaj për t’u përgatitur”.[11] Krejt ndryshe vlerësohej gjeneral Eisenhower, jo vetëm nga amerikanët, por edhe nga britanikët dhe francezët ushtarakë, por edhe të sferës politike.

Dhe nuk do të mbetej me kaq raporti aspak i mirë, në ato momente të fundit të luftës, midis Churchill-it dhe gjeneralit Eisenhower. Kryeministri britanik do t’u dërgonte një letër memorandum gjenerali Eisenhower dhe për dijeni kryekomandantëve të tij, në të cilën do të merrej përsëri me gjeneralin amerikan, duke kundërshtuar strategjinë dhe aksionin e tij. Ai shkruan: “Nëse armiku, siç ju besoni vazhdimisht, nuk do të jetë në gjendje të mbahet më gjatë, atëherë përse nuk kapërcejmë Elbën dhe të përparojmë sa më shumë drejt lindjes? Kjo do të kishte një rëndësi të madhe politike, sepse duket krejtësisht e qartë që ushtria ruse do të marrë Vjenën dhe do të marshojë mbi Austri… Nëse ne do t’i lëmë rusët që të marrin vullnetarisht Berlinin…, atëherë do t’u japim mundësinë që të thonë me bindje se… ata bënë çdo gjë vetë. Unë mendoj se Berlini në asnjë mënyrë nuk e ka humbur rëndësinë ushtarake, dhe aq më shumë atë politike…. unë nuk mbështes planin tënd për t’u bashkuar në drejtimin e Dresdenit me ushtritë sovjetike. Berlini, për mua, është pika më e rëndësishme e Gjermanisë, për aq sa do të mbahet nga gjermanët. Prandaj, unë do të dëshiroja më shumë që të përmbahemi në një plan, sipas të cilit, mbasi të kemi kapërcyer Renin, të përqendrohemi, mbi të gjitha, në armatën e 9-të armike, së bashku me atë të 21-të drejt Elbës dhe prej andej, të marshojmë drejt Berlinit”.[12]

Kryeministri britanik do të komunikonte vazhdimisht me gjeneralin Montgomery, duke kërkuar të dinte për qëndrimin dhe planet e Eisenhoëerit për sulmin drejt Lindjes. Gjenerali amerikan kishte vendosur, në morinë e përplasjeve të deritanishme, të evitonte çdo konflikt, të kapërcente me qetësi çdo situatë nervoze dhe të bashkonte forcat për marshimin e përbashkët drejt Lindjes, me planet që kishin miratuar bashkërisht dhe jo me ndryshime të njëpasnjëshme e me qëndrime politike. Gjenerali Eisenhower ishte i qetë edhe mbas mbështetjes që udhëheqësi sovjetik i kishte dhënë planit të tij… Mbi të gjitha, në këtë pikë, nuk do të kishte përplasje.

______________________________

[1] Churchill Winston Sir, Der zweite Weltkrieg, Erinnerungen,
Scherz, 1948, f. 176
[2] Po aty, f.178
[3] Eisenhoëer, Dwight D. Krenzung in Europa, Amsterdam,
1948, f. 201
[4] Churchill Winston Sir, Der zweite Weltkrieg, f. 178
[5] Cornelius Ryan, Der Letzte Krieg, Berlin 1945, f. 179
[6] Po aty, f. 180
[7] Po aty, f. 181-182
[8] Po aty, f. 185
[9] Eisenhower, Dwight D. Krenzung in Europa, 1948, f. 234
[10] Cornelius Ryan, Der Letzte Kapmf, 1945, f. 286
[11] Po aty.
[12] Churchill Winston Sir, Der zweite Weltkrieg, f. 186
[13] Po aty, f. 180

Artikulli paraprakPo rrallohen burrat! Sociologët: Më shumë gra, edhe pse ka ende abort selektiv
Artikulli tjetërTallja e pushtetit/ Pasi u prishi banesat, Blerim Shera sorrollat 17 familje të Vorës