Dy të prekurit me koronavirus banorë të Tiranës, kanë lëvizur nëpër qytet

ISHP zbuloi dy raste pozitive me koronavirus në Shqipëri. Bëhet fjalë për babë e bir, V.K dhe P.K përkatësisht 54 dhe 28 vjeç.

Ky i fundit kishte ardhur nga Firence e Italisë dhe kishte infektuar babanë. Mësohet se 28-vjeçari i infektuar me inicialet P.K ka hyrë në territorin shqiptar nga pika e Kalimit Kufitar të Hani të Hotit.

Ai ka hyrë në territorin shqiptar më 26 shkurt, ndërsa babai i tij 54 vjeç nuk rezulton se ka hyrë në pikat e kalimit kufitar, që do të thotë se rrëzohet informacioni i dhënë nga Ministria e Shëndetësisë.

Nga të dhënat mësohet se i riu 28 vjeç ka udhëtuar jashtë Shqipërisë në janar dhe është rikthyer në 26 shkurt nga Pika e Kalimit Kufitar të Muriqanit.

Mësohet se të infektuarit janë banorë në kryeqytet, në zonën e njohur si Irfan Tomini.

Izolohen të afërmit

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu raportoi në mbledhjen e qeverisë për dy personat e parë që rezultuar me koronavirus në vendin tonë. Manastirliu deklaroi se të infektuarit janë babë e bir banues në Tiranë. Ajo shton se janë marrë të gjitha masat dhe janë izoluar dhe kontaktet e afërta që ata kanë pasur.

“Janë konfirmuar dy rastet e para me Covid-19. Bëhet fjalë për dy qytetarë të moshave 54 dhe 28 vjeç, banues në Tiranë. Njëri është rast i importuar që ka hyrë nga Firence në Shqipëri nga pika kufitare e Hani i Hotit më 26 shkurt, ndërkohë që babai është rast i konfirmuar si kontak i ngushtë. Është kontaktuar numri 127 i Urgjencës Kombëtare, menjëherë sipas protokolleve janë marrë mostrat djalit dhe babait të cilët kanë pasur shenja klinike. Mostrat janë dërguar në laboratorin e virologjisë ku rezultuan pozitive. Pas daljes së rezultateve ekipi ka kryer identifikimin, izolimin e kontakteve të ngushta, morën mostrat e tyre dhe kontaktet e ngushta janë izoluar. Të dy qytetarë po marrin shërbim pranë Infektivit në QSUT”, tha Manastirliu.

Ndërkohë, Abc News zbuloi se dy personat e prekur jetojnë në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë dhe janë babë e bir. Djali ka hyrë në Shqipëri më datë 26 shkurt.

Që nga ajo ditë, ata kanë patur kontakte të vazhdueshme me qytetarë të tjerë. ISHP njoftoi më parë se janë duke kontaktuar me personat të cilët mund të kenë patur kontakt me dy personat e infektuar për të parë nëse ka apo jo shenja tek ata.

Ka një shqetësim të madh për faktin se ata mund të kenë infektuar edhe të tjerë, por deri më tani nuk ka asnjë për të tillë. Në një lidhje live me studion e Abc News nga spitali Infektiv, gazetarja Ajgena Korbi informoi se janë futur në karantinë edhe të afërmit e personave të prekur.

Artikulli paraprakQeveria e papërgatitur për Coronavirusin. Mungon transparenca dhe fondet, Tritan Shehu rendit faktet
Artikulli tjetërMjeku i njohur jep 10 këshilla si t’i bëni ballë Koronavirusit