Drogë nga Shqipëria në Greqi, dy të arrestuar

Një sasi prej 31 kg drogë e llojit marijuhanë është sekuestruar nga policia greke ditën e djeshme në Janinë. Bëhet e ditur se gjatë operacionit janë arrestuar dy persona. Siç raportojnë mediat greke, në pranga është vënë një 41-vjeçar shqiptar dhe një 43-vjeçar rumun, në një operacion në fshatin Negradhes në Janinë. Droga, 30 kg e 900 gr, e ndarë në 3 paketime, është gjetur në një makinë që raportohet se vinte nga Shqipëri.
Para dy ditësh policia greke sekuestroi 75 kg drogë të futur në rajonin e Neraida-s, Thesproti dhe vuri në pranga një shqiptar. Bëhet e ditur se shtetasi shqiptar, rreth 30 vjeç, u arrestua nga Policia e Prevezës, Njësia për Parandalimin e Trafikut të Drogës dhe ndihmën e asaj të Igumenicës. Shqiptari akuzohet tani për posedim dhe trafik droge.
Policia e identifikoi të riun në aksin e vjetër kombëtar Igumenicë-Janinë. Policia i bëri shenjë të ndalonte, por ai nuk iu bind dhe e shtoi shpejtësinë, duke bërë që policia ta ndiqte dhe pas një farë kohe, ta bllokonte në rrugën Egnatia dhe ta arrestonte.
Duke kontrolluar makinën, policia e gjeti drogën në ndenjëse dhe në bagazh. Makina e shqiptarit ishte në pronësi të një kompanie që i jepte me qera; ajo u sekuestrua si dhe telefoni celular i tij. Shqiptari do të hetohet nga Prokuroria e Thesprotisë.

Artikulli paraprakFshati Xherie në Cërrik, pa rrugë dhe ujë të pijshëm
Artikulli tjetërKrimi rritet frikshëm, 21 të vrarë në 4 muaj