Drejtori i Velinës, tre tendera për motrën

Advanced sh.p.k, është kompania që zotërohet nga motra e drejtorit të Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, Taulant Fusha, ka fituar vetëm për këtë vit tre tendera nga Bashkia e kryeqytetit.
Janë katër kontrata, përmes të cilave Advanced sh.p.k ka përfituar rreth 70 milionë lekë ose mbi 500 mijë euro nga kontratat e Bashkisë së Tiranës.
Sipas dokumenteve, njëri nga tenderat është akorduar nga Tirana Parking, ndërsa dy të tjerët nga Drejtoria e Konvikteve të Shkollave të Mesme. Të dy këto institucione janë nën varësinë e Bashkisë, duke ngritur dyshime të forta për konflikt të hapur interesi. Aq më tepër që sipas dokumenteve rezulton se dy prej tenderave janë dhënë pa garë, por me negociata të drejtpërdrejta.

Tenderat

Sipas dokumenteve të zotëruara, tenderi i parë i fituar nga kompania Advanced sh.p.k është ai i ndërtimit të një sistemi sigurie për Konviktet e Shkollave të Mesme të kryeqytetit. Kjo kontratë ka pasur një vlerë të vogël prej 850.4 mijë lekësh dhe është nënshkruar në datën 8 gusht të këtij viti.
Por një javë më vonë, ajo është pasuar nga një tjetër tender, po nga ku Drejtoria e Konvikteve të Shkollave të Mesme, po me të njëjtën procedurë, kërkesë për negocim, pra pa garë. Këtë radhë vlera ka qenë më e lartë, përkatësisht 5.3 milionë lekë ose rreth 45 mijë euro, ndërsa objekti i kontratës ka qenë “Lyerje me bojë për Konviktet e Shkollave të Mesme, Tiranë”.
Tenderi i fundit i fituar nga kompania në pronësi të motrës së drejtorit të Punëve Publike në Bashki është ajo e prokurimit të një numri sistemesh parkimi automatike. Ky tender është akorduar nga agjencia Tirana Parking, e cila do të menaxhojë parkingjet me pagesë të kryeqytetit. Për këtë kontratë, kompania Advanced sh.p.k ka përfituar 63.7 milionë lekë ose mbi 460 mijë euro.
Bashkia e Tiranës ka mohuar që këto kontrata të përbëjnë një konflikt interesi në shkelje të ligjit. Përmes një reagimi të dhënë për BIRN, agjencinë që ekspozoi tenderin e parkingjeve, Bashkia mohoi që ky ishte një rast konflikti interesi, duke nënvizuar që Tirana Parking është një institucion më vete dhe se motra e drejtorit nuk përfshihet në rastet e parashikuara nga ligji.

Ish-kompania e Tushës

Kompania Advanced Sh.p.k është themeluar në shkurt të vitit 2008 me emrin Advanced Security Systems, duke pasur si objekt të aktivitetit të saj projektet elektronike, sigurinë publike dhe instalimet e automatizuara. Ajo liston mes klientëve të saj disa nga kompanitë kryesore në Shqipëri si Vodafone, AMC, Tirana Bank, por edhe Bashkinë e Tiranës, për të cilën shkruan në faqen e saj në ueb se ka shërbyer si nënkontraktor në disa projekte ndriçimi.
Akti i themelimit të kompanisë tregon se në fillim ka pasur katër aksionerë, të cilët kishin secili nga 25% të aksioneve. Dy nga aksionerët, Viktor Mitrevski dhe Teodor Begov, janë qytetarë maqedonas, i treti ka qenë greku Stefano Papazios dhe i katërti shqiptari Taulant Tusha, i cili sot ushtron detyrën e drejtorit të Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës.
Më 8 maj 2008, Stefano Pazios dhe Taulant Tusha, ia kanë shitur kuotat e tyre në kompani shqiptares Edlira Hoxha për 50 mijë lekë. Të dhënat e regjistrit civil dhe të aktit të shitjes tregojnë, që Hoxha është motra e madhe e Taulant Tushës.
Më vonë, në vitin 2010, Hoxha ka blerë dhe aksionet e dy ortakëve të tjerë maqedonas, duke u bërë pronarja e vetme e kompanisë. Në vitin 2013, kompania ka ndërruar emrin nga Advanced Security Systems, në Advanced Sh.p.k.
Tusha është emëruar si drejtor i Punëve Publike në Bashkinë Tiranë në shtator të vitit 2015, pas zgjedhjes në krye të Bashkisë të Erion Veliajt. Më përpara, ai ka shërbyer si drejtor i Shërbimeve Mbështetëse në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, nga tetori 2013 deri në shtator 2015, kohë kur Veliaj ka shërbyer si ministër.

Motra fiton para edhe tek konviktet

Të dhënat e siguruara tregojnë se një tjetër tender është fituar më 21 korrik të këtij viti, pa shumë zhurmë nga kompania në pronësi të motrës së drejtorit të Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, Taulant Tusha.
Bëhet fjalë për një tender të zhvilluar nga Drejtoria e Konvikteve të Shkollave të Mesme që është në varësi të Bashkisë së Tiranës për “blerjen e sistemit të sigurisë me kamera”.
Sipas specifikimeve teknike të tenderit të fituar, në Drejtorinë e Konvikteve, e cila përbëhej nga Konvikti i Ekonomikut, Konvikti i Hoteleri Turizmit dhe Konvikti i Elektrikut, do të vendoseshin 28 kamera të brendshme dhe 20 kamera të jashtme me një fond limit deri në 10 milionë lekë (të vjetra). Pas mbylljes së procedurave të prokurimit, fitues i këtij tenderi është shpallur kompania ADVANCED Sh.p.k me një ofertë prej 9.5 milionë lekë (të vjetra) ose 95% e fondit limit.
Kompania, ADVANCED Sh.p.k është në pronësi të Edlira Hoxhës, motra e drejtorit të Punëve Publike në Bashkinë Tiranë, Taulant Tusha, çfarë ngre pikëpyetje për një konflikt të mundshëm interesi në procesin e prokurimit të kontratës. Kjo edhe për faktin, se Drejtoria e Konvikteve të Shkollave të Mesme është nën varësinë e Bashkisë së Tiranës.
Ligji i konfliktit të interesit i vendos një kufizim të vazhdueshëm zyrtarëve të lartë të njësive të qeverisjes vendore dhe disa prej familjarëve të tyre, për sa i përket lidhjes së kontratave me institucione nën juridiksion.
Shtojca 7 e dokumenteve standarde të tenderit, e cila lidhet me deklaratën e konfliktit të interesit të operatorit ekonomik, parashikon se “zyrtar i nivelit të lartë drejtues të një njësie të qeverisjes vendore, ndalimi për shkak të interesave private të zyrtarit, të përcaktuara në këtë pikë, zbatohet vetëm në lidhjen e kontratave, sipas rastit, me bashkinë, komunën ose Këshillin e Qarkut, ku zyrtari ushtron këto funksione. Ky ndalim zbatohet edhe kur palë në kontratë është një institucion publik, në varësi të kësaj njësie”, siç është dhe Drejtoria e Konvikteve të Shkollave të Mesme.
Sipas ekstraktit të QKR-së, kompania ADVANCED Sh.p.k është themeluar në shkurt të vitit 2008 me emrin ADVANCED SECURITY SYSTEMS, duke pasur si objekt të aktivitetit të saj projektet elektronike, sigurinë publike dhe instalimet e automatizuara. Ajo liston mes klientëve të saj disa nga kompanitë kryesore në Shqipëri si Vodafone, Telecom, Tirana Bank, Intesa San Paolo, Bankers Petroleum, por edhe Bashkinë e Tiranës nëpërmjet ECO Parking.
Akti i themelimit të kompanisë tregon, se në fillim ka pasur katër aksionerë, të cilët kishin secili nga 25% të aksioneve. Dy nga aksionerët, Viktor Mitrevski dhe Teodor Begov janë shtetas maqedonas, i treti ka qenë shtetasi grek Stefano Papazios dhe i katërti shtetasi shqiptar Taulant Tusha, i cili sot ushtron detyrën e drejtorit të Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës.
Më 8 maj 2008, Stefano Pazios dhe Taulant Tusha, ia kanë shitur kuotat e tyre në kompani shtetases shqiptare Edlira Hoxha për 50 mijë lekë. Të dhënat e regjistrit civil dhe të aktit të shitjes tregojnë që Hoxha është motra e madhe e Taulant Tushës. Më vonë, në vitin 2010, Hoxha ka blerë dhe aksionet e dy ortakëve të tjerë maqedonas, duke u bërë pronarja e vetme e kompanisë. Në vitin 2013, kompania ka ndërruar emrin nga ADVANCED SECURITY SYSTEMS, në ADVANCED Sh.p.k.
Tusha është emëruar si drejtor i Punëve Publike në Bashkinë Tiranë në shtator të vitit 2015, pas zgjedhjes në krye të Bashkisë të Erion Veliajt. Më përpara, ai ka shërbyer si drejtor i shërbimeve mbështetëse në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë-nga tetori 2013 deri në shtator 2015, kohë kur Veliaj ka shërbyer si ministër.
Drejtoria e Punëve Publike është drejtoria më e rëndësishme në Bashkinë Tiranë, duke përfshirë në përgjegjësitë e saj, përveç punëve publike dhe investimeve, prokurimet, transportin rrugor dhe emergjencat civile.
Ky është rasti i dytë, kur motra e Tushës përfiton një tender nga Bashkia e Tiranës, pas tenderit të “Tirana Parking” që zbuloi BIRN pak ditë më parë.

Enton DACI

Artikulli paraprakPresidenti që do të risjellë ëndrrën amerikane
Artikulli tjetër45 milionë USD tendera për 11 miq