Drejtori i ri i FBI-së do emërohet brenda javës

Presidenti Donald Trump thotë se drejtori i ardhshëm i FBI-së mund të emërohet që brenda javës së ardhshme.
Presidenti i bëri komentet dje, vetëm katër ditë pasi shkarkoi drejtorin e mëparshëm, James Comey. Zoti Trump tha se po shqyrton kandidatët për postin e drejtuesit të ardhshëm dhe se mund ta bëjë zgjedhjen edhe para turneut të parë ndërkombëtar që do të zhvillojë në Evropë dhe në Lindjen e Mesme.
Sipas burimeve të afërta me administratën, ndër kandidatët që po analizohen janë: Alice Fisher, ish-zyrtare e lartë në Departamentin e Drejtësisë gjatë administratës së George Bushit: drejtori aktual në detyrë, Andrew McCabe; agjenti special i FBI-së, Adam Lee, i cili aktualisht drejton zyrën e FBI-së në Richmond të Virxhinias dhe senatori republikan, John Cornyn.
Shkarkimi i drejtorit të FBI-së, James Comey nga Presidenti Donald Trump ishte pika kulmore e një marrëdhënieje të vështirë njëvjeçare mes tyre.
Edhe në momentet më të mira, për Donald Trumpin ishte një marrëdhënie e dyfishtë dashuri-urrejtje.
Armiqësia e presidentit me drejtorin e FBI-së, James Comey filloi gjatë fushatës … kur zoti Comey nuk pranoi të ngrinte akuza kundër rivales së zotit Trump, Hillary Clinton, për përdorimin e një serveri privat e-mail-esh, kur ishte sekretare Shteti.
“Nuk kemi prova që të mund të mbështesnin ngritjen e akuzave”.
Kandidati i atëhershëm Trump u indinjua, duke argumentuar se zonja Clinton duhet të ishte futur në burg për e-mail-et.
Por qëndrimi i zotit Trump ndryshoi vetëm 11 ditë para zgjedhjeve, kur zoti Comey njoftoi se FBI-ja po analizonte një grup tjetër e-mail-esh të zonjës Clinton, një deklaratë që shumë demokratë thonë se kontribuoi në fitoren e zotit Trump.
“E respektoj faktin që drejtori Comey arriti të bënte një kthesë pas veprimit të tij të mëparshëm. E respektoj këtë jashtë mase”.
“Ai e rifitoi reputacionin e tij, e rifitoi”. “FBI-ja po bën punë të mirë”.
Por kur mori detyrën, toni i tij ndryshoi përsëri. Veçanërisht pasi zoti Comey konfirmoi se po drejtonte një hetim për të zbuluar nëse zyrtarët e fushatës së zotit Trump kishin bashkëpunuar me Rusinë për të ndërhyrë në zgjedhje.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se shkarkimi i zotit Comey nuk ka të bëjë fare me hetimin. Ata përmendin një letër të Departamentit të Drejtësisë, ku kritikohet mënyra se si e trajtoi ai çështjen e e-mail-eve të zonjës Clinton.
Por shumë ligjvënës nuk e besojnë këtë arsyetim, duke shtruar pyetjen se pse Presidenti Trump do ta shkarkonte zotin Comey për të njëjtat veprime që më parë i kishte përshëndetur.
Senator demokrat, Chuck Schumer:
“Pyetja e parë së cilës duhet t’i përgjigjet administrata është: ‘pse tani?’”. Por zoti Trump nuk është penduar. I pyetur dje se pse e shkarkoi zotin Comey, ai u përgjigj. “Sepse nuk po bënte punë të mirë. Është e thjeshtë. Nuk po bënte punë të mirë”.

Artikulli paraprakTillerson: I paqartë ndikimi i ndërhyrjes ruse
Artikulli tjetërSi e lanë të kalonte kamionin me 2.2 ton drogë doganierët e Vorës