Drejtori i projektit për Qeverisjen Vendore në USAID: Bashkëpunim të shkëlqyer me bashkinë Kamëz

Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, priti drejtorin e Projektit të USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore (PLGP), Peter Clavelle, pasardhësin në këtë detyrë, Kevin McLaughlin, si dhe përfaqësues të tjerë të këtij institucioni. Kryetari i Bashkisë, tha se: “Ky është një takim të cilin unë me shumë dëshirë e kam iniciuar, që ju të ishit të pranishëm në Bashki, sepse realisht jo vetëm institucioni i USAID-it, por edhe ju si drejtor i projektit PLGP keni dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për qytetin tonë dhe ne realisht krenohemi për këtë bashkëpunim që kemi pasur. Shqipëria, edhe Kamza, ndoshta më shumë, është mjaft sensibël ndaj partnerëve të huaj, sidomos ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E vlerësoj maksimalisht ardhjen tuaj, bashkëpunimin dhe ndërkohë shprehim edhe gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar më tej në të mirë të qytetit”.
Drejtori i projektit të USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore Clavelle, duke falënderuar kryebashkiakun Mziu për ftesën tha se: “Kam jetuar dhe punuar në Shqipëri për më shumë se katër vjet. Ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme. Kam pasur shumë eksperienca të jashtëzakonshme gjatë jetës sime, përfshirë edhe funksionin e kryetarit të Bashkisë për shtatë mandate; për fushatë elektorale për guvernator të shtetit, por eksperienca e Shqipërisë mbetet një nga më të mirat e jetës sime dhe një nga arsyet kryesore mbetet fakti që Shqipëria është një vend shumë i hapur dhe ne kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë me të gjithë partnerët tanë”. Zoti Clavelle shfrytëzoi këtë takim në Bashkinë Kamëz për të prezantuar edhe pasardhësin e tij, z. Kevin McLaughlin. “Jam i kënaqur që zëvendësi im si drejtues i projektit do të jetë Kevin McLaughlin dhe jam i bindur që Kevin do të forcojë më tepër marrëdhëniet me Kamzën. Kevin ka qenë në Shqipëri që nga viti 1994 si vullnetar i Korpusit të Paqes. Ka jetuar dhe punuar këtu përreth shtatë vjet dhe zotëron një aftësi që unë nuk e kam, flet mirë gjuhën shqipe dhe në 15 muajt e ardhshëm do të ketë mundësinë që ta eksplorojë më shumë gjuhën shqipe”. Duke folur për Kamzën, Clavelle tha se: -Bashkia ka qenë një bashkëpunëtor shumë i mirë. Kemi pasur shumë bashkëpunëtorë, por më lejoni të them që Kamza ka qenë një bashkëpunëtor shumë i mirë. Kur njerëzit më pyesin se cilat janë bashkitë që menaxhohen më mirë në Republikën e Shqipërisë, Kamza është gjithmonë në një listë të tillë”.
Më pas Clavelle vijoi duke theksuar: “Kemi punuar me ju dhe administratën tuaj për t’ju mundësuar, për t’ju dhënë disa instrumente dhe këto instrumente përfshijnë sistemin e informatizuar të taksave, të financave dhe gjithashtu faturimin e ujësjellësit. Fatkeqësisht jo të gjitha bashkitë i përdorin instrumentet të cilat u janë vënë në dispozicion, por jam i kënaqur që Kamza i ka përdorur këto instrumente dhe ka më shumë të ardhura nga tarifat dhe taksat vendore. Gjithashtu jam i kënaqur nga fakti që ka goxha progres në konsolidimin e Kamzës dhe Paskuqanit. Besojmë dhe shpresojmë që në muajt në vijim do t’i forcojmë këto lidhje që gjithashtu edhe qytetarët e Paskuqanit të përfitojnë nga ky konsolidim”. Duke folur për marrëdhëniet me qytetarët dhe dëgjimin e zërit të tyre, Clavelle vlerësoi përpjekjet e Bashkisë Kamëz për të dëgjuar zërin e tyre. “Presim vazhdimin e bashkëpunimit në muajt në vijim”, ishin fjalët e Clavelle, i cili përfundoi fjalën e tij me një mesazh politik: “Ne e dimë që kryebashkiakët e djathtë nuk janë në mazhorancë në numër, prandaj është e rëndësishme që palët të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për të krijuar kushte më të mira për qytetarët, përfshirë edhe kryetarët e bashkive, majtas apo djathtas.
“Shpresojmë që muajt në vijim të zhvillohet dhe të miratohet një ligj për financat e qeverisjes vendore. Ashtu siç keni bashkëpunuar në të shkuarën shpresojmë që do të vazhdojmë të bashkëpunoni në mënyrë që edhe zëri i qytetarëve të Kamzës të dëgjohet në këtë proces. E dimë që vijnë shumë sfida me reformën territoriale dhe gjithashtu jemi të vetëdijshëm që sfidat më të rëndësishme lidhen me decentralizimin fiskal. Shpresojmë që muajt në vijim të krijojmë një ‘arkitekturë’ më të fortë për qeverisjen vendore, për financat vendore, më të fortë nga ajo që është tani” tha z. Clavelle. Më tej takimi vijoi në sallën e Këshillit Bashkiak, aty ku edhe palët nënshkruan marrëveshjen dhe kryetari i Bashkisë, Xhelal Mziu, në shenjë nderimi i dha drejtorit të projektit PLGP, Clavelle, certifikatën “Mirënjohja e Qytetit” për kontributin e dhënë në zhvillimin e qytetit, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e rëndësishme me projekte konkrete në dobi të komunitetit dhe të institucionit të Bashkisë Kamëz.

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetërBasha-Fajon: Pa zbatimin e vendimeve të Kushtetueses nuk ka asnjë lloj dialogu