Drejt dhënies me koncesion edhe lejet e qarkullimit të automjeteve

Shërbimi i lejeve të qarkullimit të automjeteve do të jepet me koncesion. Sipas mediave burime zyrtare thanë se në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës ka mbërritur një ofertë e pakërkuar nga një kompani që kërkon të marrë kontrollin dhe verifikimin e mjeteve përpara regjistrimit dhe më pas lëshimin e lejes për to. Aktualisht ky shërbim sot jepet nga Drejtoria e Transportit Rrugor. Një grup pune në nivel teknik është ngritur për të vlerësuar ofertën. Pjesë e grupit është edhe Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve. Baza ligjore për dhënien e këtij shërbimi te privati ka nisur që në tetor të vitit 2015, ku përmes një vendimi, Këshilli i Ministrave i dha të drejtë Ministrisë së Transportit që të përzgjedhë një firmë private, e cila do të licencohej për të bërë kontrollin përpara regjistrimit të mjetit. Burimet thonë se tarifa që firma ka propozuar do të jetë në të njëjtat nivele, ndërsa grupi i punës është drejt finalizimit të vendimit për t’i dhënë një përgjigje ofertës që ka ardhur. Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve tha se është në pritje të vendimit të Ministrisë së Transporteve për hapjen e tenderit, i cili në këtë rast nuk pengohet nga urdhri i kryeministrit për bllokimin e prokurimeve publike, pasi aty nuk përfshihen koncesionet dhe format e tjera të partneritetit publik privat.

Artikulli paraprakVeriu vijon të jetë zona më e varfër në Shqipëri
Artikulli tjetërBie ndjeshëm kredia për ekonominë më 2017-n