Doja Kavanin dhe Nasrinë tek Interi

Gjatë një ndërhyrjeje që bëri në emisionin francez “Telefoot”, Roberto Mançini dha opinionin e vet mbi një sërë çështjesh delikate. 53-vjeçari tregoi emrat e dy lojtarëve që nuk kishte mundur të afronte tek Interi pas rikthimit në Milano, si dhe u mundua t’u shpjegonte francezëve si mund ta kuptonin më mirë Mario Balotelin. Të gjitha këto me në sfond zërat që gjithmonë e më shumë flasin për një transferim të tij të mundshëm në Paris, ku shumë ekspertë futbolli e shikojnë si pasuesin e Unai Emerisë.
Mançini foli edhe për Balotelin. “E kam ndjekur me kujdes atë çfarë bëri në ndeshjen mes Nisës dhe Bastias. Mendoj se disa futbollistë ndikohen shumë prej tifozëve, të cilët herë-herë edhe i nervozojnë ata. Në këtë pikë, Mario duhet që të bëjë kujdes e mos bjerë pre e provokimeve. Është 25 vjeç dhe ka shumë cilësi. Ai ka luajtur 7 ndeshjet e fundit të sezonit, kur fituam titullin me Interin, edhe pse ishte vetëm 17-vjeçar, prandaj jam shumë i dhënë pas tij”.
“Nëse më pyesni se kush kanë qenë lojtarët më të fortë që kam stërvitur, unë ju përmend emra si Aguero, Jaja Ture dhe sigurisht Ibrahimoviç. Ky i fundit është një lojtar i madh, i cili bën diferencën edhe sot. PSG-ja humbi shumë me largimin e tij. Mendoj se në Paris u mungon shumë një si Ibra, edhe pse kanë një lojtar si Kavani, i cili shënon shumë gola. Kam shumë simpati për uruguaianin dhe desha ta afroja edhe tek Interi, por kushtonte shumë. E njëjta gjë vlen edhe për Nasrinë”.
“Nuk kam pasur asnjë kontakt me drejtuesit e atij klubi, por në të ardhmen nuk e di se çfarë do të ndodhë. Parisi është një qytet i bukur, ndërsa PSG-ja ka një trajner të madh”.
Italiani ka folur edhe për konfliktin me Murinjon. “Nëse Zhoze Murinjo do të më ftonte për darkë, unë do të refuzoja. Nuk kam përse të jem hipokrit e të them të kundërtën”.
Në një intervistë të publikuar dje nga portali serb “Mondo”, Stevan Jovetiç, tregon edhe një herë se ende nuk di arsyen përse Roberto Mançini “e përjashtoi” nga planet e tij. “Tek Interi nisi gjithçka mirë, shënova gola decizivë në fillim të aventurës, por në një moment e pashë veten jashtë planeve të trajnerit. Nuk e di përse Mançini nisi që të më zëvendësonte në çdo ndeshje sapo fillonte pjesa e dytë”, tha Jo-Jo.

Artikulli paraprakCikalleshi te Akhisar
Artikulli tjetërAty ku reflektohet për botën