Do të zbardhet e vërteta rreth krimeve të luftës

Prokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka konfirmuar përmes një komunikate për mediat se ka pranuar katër shkresa nga ana e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në lidhje me zbardhjen e krimeve gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
“Prokurori i Shtetit, edhe një herë konfirmon përkushtimin e tij kushtetues dhe ligjor në ndjekjen, hetimin dhe dërgimin para gjykatave e të gjithë atyre që kanë kryer vepra penale”, thuhet në komunikatë.
Në këtë drejtim, vijon komunikata, janë bërë hapa konkretë në luftimin e shumë dukurive negative, kurse Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka marrë vendim me të cilin ka themeluar Departamentin për Krime Lufte në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka caktuar dy prokurorë në Departamentin e Krimeve të Luftës, me qëllim të rritjes së resurseve brenda Prokurorisë Speciale e me fokus të posaçëm në hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës.
Aty bëhet me dije se janë 167 raste me 456 persona, nga prokurorët e EULEX-it, kurse janë transferuar 69 raste me 218 persona tek prokurorët vendorë në Departamentin e Krimeve të Luftës.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërKosova me rezolutë kërkon lirimin e Nehat Thaçit