Dita kur Trump hyri në histori

Donald Trump bëri histori. Ai i dha papritur fund “lojës së luftërave” në Gadishullin korean, teksa bindi liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un të “çarmatosë plotësisht” vendin e tij në marrëveshje të shkruar. Presidenti i Shteteve të Bashkuara tha se, stërvitjet ushtarake të përbashkëta ndërmjet SHBA-ve dhe Koresë së Jugut ishin “tepër provokative” dhe “jashtëzakonisht të kushtueshme”, duke hequr kështu dorë nga një politikë tepër e kushtueshme për amerikanët. Trump aludoi edhe për mundësinë që një ditë të tërhiqen dhjetëra mijëra trupat amerikane në Korenë e Jugut, edhe pse u tregua i matur, duke thënë se një hap i tillë është ende i largët dhe do të shqyrtohet me shumë kujdes.
Të dy këto ndryshime politike janë pritur me padurim nga qeveria e Koresë së Veriut dhe janë refuzuar deri tani nga administrata Trump. Megjithatë, politikat në fjalë do të jenë rezultat i një çarmatosjeje tërësore nga ana e Koresë së Veriut dhe teksa fliste për fundin e “lojës së luftërave” Presidenti amerikan këmbëngul se Korea e Veriut do të duhet të braktisë më shumë gjëra se amerikanët për të arritur këtë marrëveshje.
Gjatë deklaratës së tij pas samitit të Singaporit, Presidenti Trump tha: “Kjo është një ditë fantastike, një moment i jashtëzakonshëm në historinë e botës”. Ai parashikoi se, Kimi do të nisë shumë shpejt procesin e çarmatimit dhe deklaroi se lideri i Koresë së Veriut kishte rënë dakord të shkatërronte vendin e testimeve raketore.

Marrëveshja historike
Pika më kulminante e takimit Trump-Kim, i pari në histori ndërmjet dy liderëve të Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara, ka qenë padyshim firmosja e marrëveshjes së përbashkët. Deklarata me 400 fjalë ishte rezultat i katër orësh bisedime, së pari, të bisedimeve private kokë më kokë të dy liderëve dhe më pas me një grup më të gjerë këshilltarësh. “Presidenti Donald Trump dhe kryetari Kim Jong Un zhvilluan një shkëmbim të thellë, gjithëpërfshirës dhe të sinqertë opinionesh për çështjet e marrëdhënieve të reja të Shteteve të Bashkuara dhe Republikës Demokratike Popullore të Koresë dhe ndërtimit të një regjimi të fortë paqeje në Gadishullin korean. Presidenti Trump është zotuar të ofrojë garanci sigurie për Republikën Demokratike Popullore të Koresë dhe kryetari Kim Jong Un, riafirmoi zotërimin e tij të qëndrueshëm dhe të palëkundur për çarmatim të plotë të Gadishullit korean”, shkruhej në deklaratë.
Deklarata vazhdonte me renditjen e zotimeve specifike për të cilat kishin rëndë dakord Trumo dhe Kim. I pari, ishte që të dy vendet të vendosnin “marrëdhënie të reja” në përndjekje të paqes dhe prosperitetit, një përpjekje kjo për t’i dhënë fund ofendimeve dhe kërcënimeve të një viti më parë. I dyti, ishte që Shtetet e Bashkuara dhe Korea e Veriut të bashkonin përpjekjet për të ndërtuar një regjim paqeje të fortë në Gadishullin korean.
Natyrisht zotimi më i rëndësishëm ndërmjet palëve ishte çarmatimi i plotë bëthamor i Koresë së Veriut, i cili ishte edhe pretendimi kryesor dhe i panegociueshëm i palës amerikane. Korea e Veriut gjithashtu ra dakord që eshtrat e ushtarëve amerikanë të rënë në fushëbetejë gjatë Luftës koreane do të riktheheshin në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Trump tha se ishte një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe se çarmatimi i Koresë së Veriut do të ndodhë shumë shpejt. Megjithatë, kritikët thonë se në marrëveshje nuk janë dakord për afatet e sakta dhe mënyrën se si do të bëhet çarmatimi.
Fraza “çarmatim i plotë, i verifikueshëm dhe i pakthyeshëm” nuk është shfaqur në dokument, nuk janë bërë premtime specifike se cilat pjesë të programit bërthamor do të dorëzohen dhe ekzistojnë shqetësime për frazën e përdorur shpesh nga Penjani “çarmatim i Gadishullit korean”.
Megjithatë, shqetësimet e ngritura nga kritikët kanë marrë përgjigje të menjëhershme nga ana e presidentit Trump, i cili tha se procesi i çarmatimit kërkon një kohë të gjatë nga ana shkencore dhe përcaktimi i afatit mund të jetë i vështirë, por sanksionet ekonomike nuk do të hiqen dhe nuk do të vendoset një ambasadë amerikane në Penjan deri sa të ekzistojnë prova të qarta të çarmatosjes.
Pala amerikane dhe ajo e Koresë së Veriut kanë rënë dakord për mbajtjen e bisedimeve të radhës, të cilat nga ana e Shteteve të Bashkuara do të drejtohen nga Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo. Presidenti Trump tha se do të ftojë Kim Jong Un në Shtëpinë e Bardhë dhe shprehu entuziazëm për të vizituar Korenë e Veriut, por tha se nuk janë vendosur data.

Si është parë takimi në Korenë e Veriut
Portretizimi i takimit historik ndërmjet Presidentit Donald Trump dhe liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un ka marrë natyrisht një mbulim të jashtëzakonshëm mediatik kryesisht me nota pozitive, por si është duke u komentuar ai brenda mbretërisë koreane? Të gjitha mediat, aq të kufizuara sa janë, në Korenë e Veriut janë të kontrolluara nga shteti. Për këtë arsye përshkrimet e samitit janë të gjitha pozitive.
Gazeta e Koresë së Veriut, “Rodong Sinmun”, publikoi një sërë fotografish ndërmjet presidentit Trump dhe Kim Jong Un, duke shtrënguar duart dhe duke qëndruar pranë njëri-tjetrit në faqen e parë, një ditë pas samitit. Në kryetitull lexohet: “Samiti i shekullit i hapi rrugën marrëdhënieve të reja SHBA-RDPK”, me nëntitull “Deklarata e përbashkët mes liderëve”.
Në tërësi, gazeta shkruan sikur çarmatosja e plotë e vendit të mos ishte çështja thelbësore e takimit. Artikulli i shkruar në rend kronologjik ku përshkruhet dita e saitit me lavdërime të jashtëzakonshme për madhështinë e Kimit dhe sa mirë kishte kaluar ai me Presidentin amerikan.
“Lideri ynë i dashur i madhërishëm tha se kanë dalë në pah shumë probleme nga mungesa e thellë besimit dhe armiqësisë që ekzistonte ndërmjet dy vendeve dhe për të arritur paqen dhe stabilitetin në Gadishullin korean dhe çarmatimin, të dy vendet duhet të premtojnë të kenë mirëkuptim dhe të mos jenë armiqësorë me njëri-tjetrin, duke vendosur masa ligjore sistematike për ta garantuar këtë”. Artikulli vazhdonte për katër nga gjashtë faqe gazete ku gjendeshin 33 fotografi me ngjyra nga samiti.
Prezantuesja më e famshme e lajmeve në televizionin korean, Ri Chun Hee, e njohur gjithashtu si “zonja rozë”, deklaroi rezultatet e samitit Trump-Kim ditën e mërkurë në orën 4 të mëngjesit, duke nënvijëzuar zotimin e Presidentit Trump për t’i dhënë fund stërvitjes së përbashkët ushtarake ndërmjet SHBA-ve dhe Koresë së Jugut, për të ofruar garanci sigurie për Korenë e Veriut dhe për të hequr sanksionet pas përmirësimit të marrëdhënieve të përbashkëta”. Detaje për heqjen e sanksioneve natyrisht nuk janë dhënë, pasi Presidenti Trump qartësoi mirë se nuk do të hiqeshin, në një derklaratë për shtyp menjëherë pas samitit.
“Ndajnë të njëjtën trashëgimi, gjuhë, zakone, kulturë dhe fat, por për të pasur një të ardhme të përbashkët dhe për t’u ribashkuar me familjet, kërcënimi i armëve bërthamore do të duhet të zhduket”, tha Trump, duke iu referuar të gjithë Gadishullit korean. “Ndërkohë, sanksionet do të qëndrojnë në fuqi. Ne ëndërrojmë për një Kore ku të gjithë koreanët të jetojnë sëbashku në harmoni, ku familjet të ribashkohen dhe shpresa të rilindë dhe ku drita e paqes të dëbojë përfundimisht errësirën e luftës”. Lideri i mazhorancës së senatit, Mitch McConnell, tha të njëjtën gjë përpara reporterëve: “Marrëveshja mes palëve është firmosur pa heqje të sanksioneve”.
Trump e përshkroi samitin si një sukses të jashtëzaknshëm pak orë para se të nisej nga Singapori. Ai postoi në Twitter falënderime për Kim Jong Un nga avioni presidencial Air Force One, duke theksuar se takimi ishte i paprecedent dhe historik. Trump mbërriti në Uashington të mërkurën në orën 5 të mëngjesit.
“Bota ka bërë një hap të madh mbrapa nga një katastrofë e vërtetë bërthamore! Nuk ka më lëshime raketash, testime bërthamore apo kërkime! Pengjet janë rikthyer në shtëpi me familjet e tyre”, shkroi Presidenti Trump në Twtter. “Faleminderit Kim, dita jonë së bashku ishte historike!

Kandidatura për Çmimin Nobel të Paqes
Politikanët norvegjezë e kanë kandiduar Presidentin Trump për Çmimin Nobel të Paqes pas takimit të tij historik me liderin e Koresë së Veriut për të diskutuar çarmatimin bërthamor. Kandidatura erdhi nga dy anëtarë të Partisë Progesit në Norvegjisë, partia e tretë më e madhe në vend dhe që konsiderohet gjërësisht si e majtë me qëndrime liberale.
“Ajo që po ndodh tani është historike”, tha anëtari i Partisë së Progresit, Per-Willy Amundsen. “Po zhvillohet një proces që do të garantojë paqen në të ardhmen. Është një proces delikat dhe ne duhet të bëjmë çështë e nevojshme për ta ndihmuar këtë proces dhe për të sjellë rezultate të mira”. Kandidatura fatkeqësisht nuk e ka kapur dot afatin e çmimit të këtij viti, ndaj Presidenti Trump do të duhet të presë një vit për të pasur mundësi të fitojë Çmimin Nobel të Paqes.
Për çmimin e vitit 2018 ka pasur një numër rekord prej 330 kandidaturash. Çmimi, një nga prestigjiozët në botë është i hapur për lider, akademie dhe studiues në të gjithë botën.
Me takimin e tij në Singapor, Trump u bë Presidenti i parë amerikan në detyrë që takohet me Kim Jong Un dhe me një anëtar të kësaj familjeje që ka sunduar mbi Korenë e Veriut për dekada me radhë. Të dy vendet ndodheshin shumë larg arritjes së një marrëveshjeje, madje edhe zhvillimit të bisedimeve, përpara ardhjes së Presidentit Trump në pushtet, pra arritja e kësaj jave në Singapor dhe deklarata e përbashkët e dy liderëve shfaqin aftësitë e Presidentit amerikan për të negociuar dhe talentin e tij diplomatik.
Menjëherë pas samitit në Singapor, Sekretari i amerikan i Shtetit, Mike Pompeo fluturoi drejt Koresë së Jugut për të diskutuar takimin që ishte mbajtur ndërmjet Presidentit Trump dhe liderit korean Kim Jong Un. Duke folur përpara reporterëve, ai tha se përveç gjërave të përfshira në deklaratën e përbashkët të dy liderëve pas takimit, janë diskutuar edhe shumë çështje të tjera për të cilat është arritur parimisht dakordësi.
Pompeo tha se të dy palët kanë në plan të rivendosin së shpejti marrëdhëniet diplomatike, por nuk është saktësuar se kur do të ndodhë kjo. Politikanët norvegjezë nuk janë të parët që mendojnë se Presidenti Trump duhet të fitojë Çmimin Nobel të Paqes për punën e tij në Korenë e Veriut. Edhe Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in dhe republikanët e Kongresit kanë thënë se, kandidatura e tij duhet të merret në konsideratë.

Artikulli paraprak24 qershor, Turqia në votime
Artikulli tjetërPunon nën tavolinën e Veliajt dhe shkruan kundër artistëve… dhe një dedikim nga Bleona: E dashur k…