Dil e ngrije zërin

Besmir SEMANAJ

Ankohen, qahen, shajnë, denoncojnë, dënojnë, bëjnë moral, japin mend, ngrijnë zërin me gërma kapitale, shpërndajnë, pëlqejnë.
Po pastaj?
Pas të gjitha këtyre nëse nuk ju mbaron bateria, nëse komshiu nuk ka fikur Wi-Fi që nga padituria e ka pa kod sigurie, nëse paketa e internetit ka aq sa për të komunikuar në whats up. Dalin nga Facebook, instagram, Twitter dhe flenë gjumë.
Flenë qe telefoni të karikohet, komshiu të zgjohet, babai t’i dërgojë një rimbushje të re, miku virtual që kish harruar të bëjë like të kujtohet në mëngjes në mënyrë që kauza të quhet e përmbushur dhe të mburret me arritjet e gishtave që nuk pushojnë asnjëherë, duke shtypur ekranin e sheshtë me dritë të pakët që mos të konsumojë bateri.
E kam për ty miku im që je i mbushur me mllef, e kam për veten time që gjen ngushëllim nga sasia e pëlqimeve që të ledhatojnë egon personale të atij zëri të vaktë pas një teknologjie që nuk i mban dot hapin.
Zgjohu, jo nga gjumi për nga plogështia e të përditshmes, lëviz, bëhu aktiv, dil bërtit, ngrije zërin, ngrije zërin që të dëgjojë dhe komshiu 60-vjeçar që nuk ka Facebook, të të dëgjoj ai që po të shkel çdo të drejtë me këmbë, që po të grabit çdo ditë, që po të vret shpresën, të ardhmen, që të ka futur frikën deri në palcë.
Dil e ngrije zërin për të drejtat e tua, ta kuptojë ai që është sot dhe ai që do vijë nesër. Shqipëria do të bëhet. Do e bëjnë shqiptarët. Nuk do bëhet nga Facebookm por nga rruga e demokracisë që prindërit tanë e hapen me aq mund dhe vuajtje.
Ngrihu, lëviz, shkunde veten, nuk je vetëm, jemi të gjithë së bashku në rrugën e së drejtës, në rrugën e drejtësisë dhe ndryshimit. Ato që shkruan, shpërndanë dil dhe thuaji aty ku do të dëgjojë i madh dhe i vogël, aty ku fjala jote do marrë kuptim.
Jo, nuk do të them më dil, por hajde, hajde shkojmë bashkë.

Artikulli paraprakKëlliçi: Lëvizja do çmontojë sistemin e korruptuar
Artikulli tjetërFaqja e pare