Diego Simeone drejt Premier League në 2018

E ardhmja e Diego Simeones është në Premier League. Kështu shkruan tabloidi britanik “The Mirror” që thekson se vendimin e ka marrë vetë trajneri argjentinas i Atletico Madrid, kontrata e të cilit me “Los Colchoneros” skadon në vitin 2018. “El Cholo” synon që të ndryshojë ambjent dhe sipas tij, Anglia është destinacioni ideal, pasi në Premier League punojnë disa nga strategët më të mirë të kësaj loje si Pep Guardiola, Jose Mourinho apo Jurgen Klopp dhe ideja për t’u përballur me ta e josh së tepërmi. Pak muaj më parë, klubi spanjoll dhe trajneri e reduktuan me dy vjet kontratën pas bisedimeve të stërzgjatura edhe pse Simeone po bën një punë të mirë, pasi skuadra e tij nuk njeh asnjë humbje në Champions dhe kryeson klasifikimin e Kampionatit Spanjoll. Dy disfatat në finalet e Champions League ndaj Realit të Madridit kanë lënë një shenjë të thellë te argjentinasi. Aktualisht, hipoteza më e mundshme për të ardhmen e tij është skuadra e Chelseat që ka shfaqur shumë interes për të në të shkuarën, por nuk përjashtohen edhe destinacione të tjera, në varësi të ecurisë së klubeve të mëdha. Vendimi i Simeones për t’u zhvendosur në Angli shuan praktikisht shpresat e Interit dhe Paris Saint Germain, dy klube që ëndërrojnë të fitojnë shërbimet e argjentinasit, i cili mund të punojë gjithashtu për të bindur edhe Griezmann ta ndjekë në aventurën e tij të re.

Artikulli paraprakBrazili, Tite: Argjentina po më lë pa gjumë!
Artikulli tjetërRusia dhe Turqia, dy perandori para pasqyrës