Brazili, Tite: Argjentina po më lë pa gjumë!

Trajneri i Brazilit, Titte, është në ankth për sfidën kundër Argjentinës. Numri një i stolit të “Selecaos” është duke përgatitur listën me emrat e 23 futbollistëve që do të grumbullojë për takimin kundër përfaqësueses “albiceleste”. Supersfida e Amerikës se Jugut është e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”. Pesë herë kampionët e botës do të kenë dy përballje të vështira, ku perveçse do të presin Argjentinën në një sfidë zjarri, do të luajnë edhe me Perunë në transfertë. Tekniku Titte ka përjashtuar mundësinë, se tek Brazili do të ketë emra të rinj, për shkak se janë dy sfida shumë delikate dhe 55-vjeçari nuk dëshiron të rrezikojë. Sidoqoftë duket se ish-trajneri i Corinthiansit shqetësimin më të madh e ka për përplasjen me Argjentinën e Lionel Mesit. Praktikisht, kjo përballje klasike konsiderohet Derbi i Amerikës Latine. Madje, Titte është shprehur se ankthi është  aq i madh, saqë ka kaluar edhe disa netë pa gjumë, pasi kërkon ta përgatisë ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme. “Shqetësimi për takimin kundër Argjentinës më ka lënë pa gjumë. Është një ndeshje që ka shumë peshë për ne, sepse bëhet fjalë për një klasike të futbollit amerikano-latin. Për ne është e rëndësishme të zhvillojmë një 90 minutësh shumë të mirë. Sigurisht që do të kërkojmë fitoren. Në takimet e fundit kemi arritur disa rezultate pozitive. Kështu që edhe në këtë sfidë, misioni është i qartë, të rrëmbejmë fitoren”, u shpreh Tite.
Momentalisht, Brazili kryeson grupin në kuotën e 21 pikëve, ndërsa Argjentina ka 16 pikë. Super Sfida do të luhet më datë 11 nëntor, ku padiskutim spektakli do të jetë i garantuar.

Artikulli paraprakMou sfidon Chelsin
Artikulli tjetërDiego Simeone drejt Premier League në 2018