Diego Costa rikthehet te Atletico

Tashmë është zyrtare. Chelsea dhe Atletico e Madridit kanë arritur marrëveshjen për rikthimin e Diego Costës në kryeqytetin spanjoll. Kartoni i sulmuesit me origjinë braziliane, por që luan për përfaqësuesen spanjolle i ka kushtuar Atleticos rreth 60 milionë euro. Diego Costa do të firmosë me Los Colchoneros një kontratë deri në vitin 2021. Bomberi realizon kështu dëshirën e tij për t’u larguar nga Chelsea dhe për t’u rikthyer te klubi ku u bë i famshëm për t’u vendosur sërish nën urdhrat e trajnerit Diego Simeone. Në orët e ardhshme, 29-vjeçari do të udhëtojë drejt Madridit për të zhvilluar vizitat mjekësore.
Diego Costa mund të jetë në tribunat e stadiumit “Wanda Metropolitana”, të shtunën për të ndjekur sfidën e Atleticos ndaj Sevillas. Los Colchoneros mbyllën me sukses një operacion merkatoje për të cilin po punonin prej tre muajsh që nga momenti që Diego Costa prishi çdo raport me trajnerin e Chelsea-t, Antonio Conte.
Megjithatë debutimi i 29-vjeçarit me Atleticon do të ndodhë në janar edhe pse sulmuesit do t’i jepet leja për të nisur stërvitjen me skuadrën bardhekuqe që tani në mënyrë që të rifitojë formën e humbur. Ndeshja e fundit zyrtare në të cilën është aktivizuar Diego Costa është sfida kualifikuese për Botërorin Rusi 2018, mes Spanjës dhe Maqedonisë e luajtur qershorin e kaluar. Në 3 sezonet e tij me Chelsea, Costa luajti në total 120 ndeshje, realizoi 59 gola, ndërsa fitoi dhe 2 tituj kampion në Premier League.

Artikulli paraprakLorik Cana mund të rikthehet tek Lazio
Artikulli tjetërE vërteta pas Himarës, klientelizmi qeveritar solli revoltën shoqërore