Dhoma e Përfaqësuesve voton për rihapjen e qeverisë

Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët, votoi për rihapjen e qeverisë federale dhe për të financuar Departamentin e Sigurisë Kombëtare deri në muajin shkurt.
Por, asnjëra nga masat e miratuara nga Dhoma e Përfaqësuesve nuk përfshinë 5 miliardë dollarët e kërkuar nga presidenti Donald Trump, për murin përgjatë kufirit jugor të Shteteve të Bashkuara, gjë që me siguri nuk do të miratohen në Senatin e kontrolluar nga republikanët dhe pothuajse me siguri do të përballen me veton e presidentit Trump.
Ideja e masave është rihapja e qeverisë ndërsa çështja e murit të lihet për negociata të veçanta.
Presidenti Trump i ka ftuar udhëheqësit e Kongresit për një takim tjetër në Shtëpinë e Bardhë të premten për të diskutuar rrugët e rihapjes së qeverisë, mbyllja e pjesshme e së cilës është duke hyrë në javën e tretë.
Bisedimet e së mërkurës nuk çuan askund meqë të dyja palët ngulën këmbë: presidenti Trump duke kërkuar 5 miliardë dollarë për murin dhe demokratët duke thënë jo, asnjë qindarkë.
“Ne mund të shkojmë poshtë e lartë”, tha kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi për NBC News. “Sa herë duhet të themi jo? Asgjë për murin”.

Zonja Pelosi akuzoi presidentin Trump se po e mban peng qeverinë federale për shkak të premtimit të tij gjatë fushatës për ngritjen e murit për të cilin kishte thënë se do të paguaj Meksika.
“Kjo është qesharake. Nën a: Meksika nuk po paguan për të dhe nën b: ne mund të kemi një përdorim më të mirë të fondeve për të ruajtur kufijtë. Presidenti e di këtë”, tha zonja Pelosi.
Udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell, i cilësoi ‘teatër politik” ligjet e miratuara nga Dhoma e Përfaqësuesve.
Derisa presidenti Trump nuk e përdori fjalën “veto”, këtë e bënë zyrtarë të tjerë të Shtëpisë së Bardhë. Një zyrtar tha se presidenti u ka thënë udhëheqësve demokrat se do të dukej ‘i marrë’ nëse do t’i jepte fund mbylljes së qeverisë.
Presidenti Trump fajëson demokratët për situatën aktuale.
“Mbyllja e qeverisë ka të bëjë vetëm me zgjedhjet presidenciale të vitit 2020”, shkroi ai të enjten në twitter. “Demokratët e dinë se nuk mund të fitojnë për shkak të të gjitha arritjeve të Trumpit, kështu që ata janë përqendruar në murin dëshpërimisht të nevojshëm dhe sigurinë e kufirit…Për ta është thjeshtë politikë”.
Presidenti Trump tha se vendi ka nevojë për mbrojtje dhe tërhoqi vërejtjen se krimi, drogat dhe bandat po vërshojnë në Shtetet e Bashkuara nga Meksika.
Ai tha se më shumë se 35 milionë emigrantë të paligjshëm janë në Shtetet e Bashkuara duke rënë në kundërshtim me ekspertët që pohojnë se ky numër është shumë më i vogël.
Ndërkohë, 800 mijë punonjës federal janë çuar në shtëpi ose punojnë pa pagesë tashmë dy javë.
Pirgjet e mbeturinave po rriten në parqet kombëtare, të cilat janë mbyllur zyrtarisht, sikurse edhe shumica e atraksioneve më të mira turistike të Uashingtonit.

Artikulli paraprakHakerat sulmojnë politikanët gjermanë, mes tyre edhe Merkel
Artikulli tjetërMbi 15 mijë biznese falimentuan, reagon Berisha: Regjimi i instaluar nga Rama vrasës i bizneseve