Detyrim dhe penalitete ligjore mediave nëse janë të njëanshme

Marrëveshja mes Ramës dhe Bashës përveç aspekteve politike, ka vendosur dhe hartimin e një projektligji sa i përket transmetimit të reklamave gjatë periudhës së fushatës.
Dy forcat e mëdha ndër të tjera kanë hartuar një projektligj sipas të cilit radiot dhe televizionet private do të detyrohen që të transmetojnë falas reklama për subjektet zgjedhore gjatë fushatës elektorale.
Radiot dhe televizionet private kombëtare, vendore apo satelitore, detyrohen që të vendosin në dispozicion falas për subjektet zgjedhore për reklama politike, respektivisht vetëm 90 minuta për partinë më të madhe të shumicës parlamentare dhe partinë më të madhe të pakicës parlamentare, 45 minuta për partitë e tjera parlamentare dhe 10 minuta për partitë joparlamentare.
Partitë politike dhe çdo subjekt tjetër e ka të ndaluar bërjen e reklameve politike kundrejt pagesës gjatë fushatës zgjedhore.
Ndryshimet bëhen, sipas arsyetimit të projektligjit, me qëllim reduktimin e shpenzimeve të partive politike.
Ligji u miratua në fund të seancës së jashtëzakonshme, (22 maj 2017) me 118 vota pro dhe 2 kundër.
Ligji parashikon edhe ndëshkim me gjobë për radiotelevizionet që kundërshtojnë ligjin. Në rast shkelje të detyrimeve të parashikuara në paragrafin 1 të këtij neni apo transmetimit të reklamave politike kundrejt pagesës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjobit operatorin radioteleviziv vendor apo satelitor me 4.000.000 lekë, operatorin radioteleviziv kombëtar me 8.000.000 lekë dhe partinë politike me 3.000.000.
Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përbën titull ekzekutiv dhe zbatohet nga zyra e përmbarimit gjyqësor.
Ende pa u diskutuar, marrëveshja politike përmes këtij projektligji u bënë me dije operatorëve se ankimi ndaj vendimit nuk pezullon ekzekutimin e tij.
Në rast shkelje, KQZ-ja urdhëron Autoritetit e Mediave Audiovizive të bëjë bllokimin e transmetimit të operatorit radioteleviziv për 48 orë.
Bllokimi vendoset jo më vonë se ora 18.00 e ditës pasardhëse.
Projektligji, i cili vjen si rezultat i diskutimeve të gjata mes kryeministrit Rama dhe kryetarit të opozitës Basha nuk është konsultuar me operatorët televizivë, palë në ekzekutimin e këtij projektligji.
Deri kohë më parë vetëm Radio Televizioni Publik ishte i detyruar të transmetonte përmbajtje politike falas. Kjo ka nxitur reagime te mediat, të cilat e konsiderojnë të papranueshme detyrimin që iu vendos ky amandament ligjor.

Artikulli paraprak22 miliardë lekë transferohen jashtë vendit
Artikulli tjetërKosovë, zgjedhjet e parakohshme tkurrin buxhetin