Detaje të reja për zbulimin e 700 kg kokainë në Greqi me destinacion Durrësin

Autoritetet greke kanë dhënë detaje pasditen e sotme, lidhur me sekuestrimin e 700 kg kokainë, përfshirë edhe 137 kg që kishin si destinacion portin e Durrësit, që u bllokuan në Pire, ku ngarkesa e drogës u zëvendësua me miell orizi.

Përfaqësues të policisë dhe të doganës greke u shprehën se pastërtia e kokainës së nisur nga Ekuadori ishte 85% dhe vlera e saj në treg kapte vlerën e 10 mln euro.

Autoritet greke deklaruan se ishin sinjalizuar nga shërbimet e huaja lidhur me ngarkesën e kokainës, e cila ishte fshehur në kontenierët me banane. Më pas autoritetet greke komunikuan me zyrën e DEA-s në Athinë, dhe më pas njoftuan edhe autoritetet shqiptare.

Droga u zbulua përmes ekzamimimeve me rreze X-Ray. Në disa raste droga ishte fshehur brenda mureve të konteinerëve, e në disa raste të tjera në motorët e frigoriferëve.

Në vendet ku ishte fshehur kokaina, kishte edhe aparate GPS, me qëllim që dërguesit të dinin në çdo moment vendndodhjen dhe të njoftonin pritësit e ngarkesës.

Autoritetet greke e kanë cilësuar gjithë operacionin si një sukses të jashtëzakonshëm dhe kanë bërë të ditur se në pesë porte të vendit kanë instaluar aparate X-Ray, me qëllim që t’u heqin çdo shans rrjeteve të krimit të organizuar që të përdorin portet greke për veprimtaritë e tyre të paligjshme.

Artikulli paraprakPolicët civilë e filmojnë protestuesit e Unazës së Re për t’i arrestuar në mesantë (Foto)
Artikulli tjetërFacebook kundër Biden: Nuk e ndalojmë fushatën e Trump, respektojmë procesin demokratik