Destruksioni i mitit të Itakës në poezinë e Frederik Rreshpjes

Nga dr. Yzedin Hima

Poeti Frederik Rreshpja në tesktet e tij poetikë më së miri ka realizuar destruksionin e mitit të Itakës. Uni i tij poetik nuk i beson Itakës në botën e trillimit artistik, sikurse poeti Frederik Rreshpja nuk i beson Itakës në botën e njëmëndësisë. Itaka për unin poetik është sajim, ajo nuk ekziston. Në poezinë e tij ka një odise të vetme, odiseja estetike. Uni poetik udhëton në gjuhë. Të gjitha peripecitë i ndesh aty. Edhe magjepsjen e ka po nga gjuha. Realiteti i njëmëndtë me banalitetin, me dhunën që vinte nga lart, nga anash, nga poshtë, me hipokrizinë, me zvetënimin, tjetërsimin dhe poshtërimin e njeriut, që fillon te tjetri dhe vazhdon edhe te vetë poeti, e tmerrojnë artistin Frederik Rreshpja, ndaj ai e refuzon realitetin e njëmëndtë si refuzim edhe të njeriut Frederik nga poeti Frederik, duke u strehuar aty ku ndihet sovran dhe shok ka veten, në gjuhë. Në librin e tij poetik “Erdhi ora të vdes përsëri”, cikli i parë titullohet “Nuk jam një Odise i shpikur” Më pas kemi poezinë “Ulisiada” në tekstin e të cilës miti i Itakës destruktohet si një mit që fsheh të vërtetën, dhe ngrihet mbi gënjeshtrën. Janë katër pyetje retorike që thyejnë mitin e mallkimit të Odisesë, apo Ulisit, i cili endet detrave jo për t’u kthyer në Itakë, por në kërkim të Trojave të tjera, pikërisht për t’i shkatërruar ato: Cili Poseidon të ka mallkuar? Cila perëndi deti? Nga cili ankth ujrash dole? Cilën Trojë kërkon të shkatërrosh tani?/ Ihitiozaur i mallkuar! / Sa shfaqesh në horizont /Dëgjojmë galopin e drurit që ëndërronte / krime… /

Në këtë tekst miti i endjes së Odiseut nëpër detra për t’u kthyer në shtëpi bie. Odiseu thirret me emrin e një peshku prehistorik monstër, ihitiozaur. Poezia përfundon me tre pyetje të tjera retorike dhe një konkuzion, ku Odiseu vizatohet si një shpifës: “Cili Polifem banon këtu? / Po atje? / Kush i hëngri detarët e mi?” / Shekuj të tërë ke shpifur për gjigandët e botës. /

Poeti Frederik Rreshpja beson te udhëtimi, te ikja, por nuk beson te rikthimi, nuk beson te Itaka si shenjë e intertekstit, por beson te Itaka që ka shpikur vetë, një atdhe poetik të krijuar nga ai, sipas shijeve personale dhe preferencës së njohur për vetmi. Përdorimi i fjalës ishull në vargun se kam nevojë për ishuj do të thotë se uni poetik kërkon ishullin si veçim, si vetmi: Zot, jam tmerrësisht i vonuar! / Tani duhet të isha diku përtej shiut. /… Përditë më duhet të nxitoj drejt diçkaje që nuk është, / Por nuk jam një Odise i shpikur. / Eh, Itakën time e kam shpikur vetë, / Se kam nevojë për ishuj. /

Më poshtë, në strofën e fundit sqarohet se udhëtimi i unit poetik ndodh, jo në kërkim të Itakës së të gjithëve, por në kërkim të Itakës së unit poetik, Itakës së krijuar nga ai vetë, vetmisë: Më vështron me sytë prej uji, / Te dritarja, fëmija lakuriq. / Bien itakat e legjendave, / Pas bregut madhështor të vetmisë. /
Dimesioni që uni poetik i jep vetmisë në këtë varg tregon se Itaka e tij, bregu madhështor i vetmisë, është atdheu ideal. Udhëtimi i unit poetik është një udhëtim në kohë, në një kohë të pakufizuar si kohë burgu, si kohë dënimi, por ai udhëton nëpër kohë për t’u larguar nga kjo kohë, të cilën e quan të padenjë për t’u jetuar, kohë të padenjë për t’u kënduar. Homeri qe i madh se jetoi një kohë të madhe, me heronj të vërtetë. Në tekstin e poezisë “Shtëpia e këngës” thuhet: … Por koha jonë ka Kuaj Prej Druri, / Koha jonë nuk ka Iliadë / Ç’të këndojmë iliada të stisura? Ç’të këndojmë Akilët e gënjeshtërt? Homerin e bënë heronjtë, / Homerin nuk e bëri talenti./

Udhëtimi i unit poetik është në kohë dhe në hapësirë. Hëna është shenjë në tekstet poetikë të Frederik Rreshpjes. Janë të pakta tekstet poetikë ku mungon fjala hënë. Hëna si mit zanafillor është ishulli i vetmisë së unit poetik, është bregu madhështor i vetmisë. Po pse hëna? Mendojmë se hëna përdoret si shenjë e refuzimit të tokës, si refuzim diellit apo dritës së fortë. Pothuajse në të gjitha tekstet poetikë të Frederik Rreshpjes, siç kemi nënvizuar edhe më lart, mungon fare fjala diell dhe është e pranishme mjaft shpesh fjala hënë: Hëna e artë mesdhetare / Vijnë ciganët me daulle dhe me hënë/, Hëna mbi lumë vizaton / Hënëzat që hëngrën dhëntë e vjeshtës /, Ti erdhe nëpër udhën e hënës / Kasolle prej hëne! Tutje shtrihet hëna /,Ndoshta shkallët e kësaj nate deri te hëna /, Tani te hëna shkoj i vetëm /, Rreth drurëve të galvanizuar me hënë /, Hëna po shuhet në pëllëmbët e gjetheve / Do të shkoj të rri pranë zjarrit të hënës /, Një hënëz argjendi e larë me flori / Me një qiri hëne në dorë, /,Hëna ikën nëpër mjegulla / Tingulli i këmbanës si gjëmim hëne / Nën një hënë që nuk di të buzëqeshë ,/ Hëna hidhet flokëlëshuar katarakteve, / Për llambadhën e shuar të hënës, / Hëna e shuar nga shiu, etj. etj.

Përdorimi kaq i shpeshtë i fjalës hënë krijon një mit të hënës në poezinë e Frederik Rreshpjes. Në një nga tekstet e poezisë uni poetik e konsideron hënën të vetmin ishull të denjë dhe të vërtetë vetmie, ku mund të gjejë prehje për shpirtin e tij. Në fragmentin e tekstit që vijon pohohet qartësisht ajo që nënvizuam më lart, moskthimi. Uni poetik shpjegon këtë moskthim si mungesë besimi a humbje e besimit te të gjithë brigjet e kthimit: …Tani jam bir i ajrit si në ditën e parë të botës, / I mallkuar në mënyrë biblike. / Jo nuk ka Itakë në këtë botë. / Tani jam bir i hënës, tërë ishujt e tjerë janë të rremë. / Shpirtrat e ujit të shtyrë nga dhembja / Vështrojnë që prapa shirave, / Po unë s’kam për t’u kthyer më kurrë; / Më kurrë nuk kam besim në asnjë breg. /

Udhëtimi i i unit poetik në botën e trillimit artistik, në një kohë tjetër nga jona, në një kohë prej gjuhe, ndodhi. Rikthimi i unit poetik gjithashtu ndodhi, si rikthim prej gjuhe, në trajtën e këtyre tekste të pazakontë poetikë të Frederik Rreshpjes, ku fjala hënë është edhe shenjues në tekstet e tij, si e kuqja e Onufrit te pikturat e tij.

Destruksioni i mitit të Itakës në tekstet e poezisë së Frederik Rreshpjes, për mendimin tonë, është rrjedhojë e koncepteve që ka poeti për botën, individin dhe fatin e tij. Rikthimin ai e sheh si ndryshim të rrjedhës së fatit me dhunë nga individi, gjë që ai nuk e beson dhe nuk i pëlqen të ndodhë. Rrjedha e fatit për të është një proces i pandryshueshëm, i paracaktuar dhe i pakorrigjueshëm( ose i padhunueshëm ). Në tekstin e poezisë së tij “Testament” dallojmë qartë rrjedhën e fatit të unit poetik, të cilën ai ( uni poetik) nuk ia uron askujt, kur pas çdo strofe përdor vargun: Mos e pastë njeri këtë fat! Që nga fëmijëria, rinia, e deri në fund uni poetik ka qënë i mallkuar me art, që do të thotë se kishte një perceptim krejt origjinal për botën, gjë që e pengonte të jetonte normalisht si të gjithë njerëzit e tjerë normalë Mallkimi me art është për unin poetik, me sa kuptojmë, mungesa e pragmatizmit, gjë që në këtë shoqëri shihet si anormalitet. Në tekst pohohet se kjo natyrë e unit poetik gjatë udhës së tij mbeti e pandryshueshme, e pamodifikueshme që nga fëmijëria, rinia e burrëria e tij.

Fëmijëria: Që fëmijë e kam kuptura se kisha lindur / I mallkuar me art. / Gjërat i shihja ndryshe: / Nëpër shirat e vdekur Peshqit fluturonin drejt çerdheve, te yjet. / Në vend të borës binin zogj në çdo dru. / Era si ketër brente degët. / Qante mbi mua nëna, shënmëria ime. Ave nëna ime! / Mos e pastë njeri këtë fat! /

Rinia: Kam dashuruar një Afërditë në Olimpin e trëndafilave / Pastaj erdhe ti tërë ikje. / Më vonë vije vetëm në ëndërra, si perënditë ilire / Kështu iku edhe rinia, filigrami i djalërisë, / I mallkuar me art. Mos e pastë njeri këtë fat!

Burrëria (pleqëri nuk pati ): Tani që po vdes ëndërroj vetëm një kryq te koka, / dhe të harrohem, se nuk dua që edhe pas vdekjes / Të më ndjekë mallkimi i artit. / Mos e pastë njeri këtë fat!

Pasvdekja: Po kur të vdes, portreti im ka për t’u shfaqur nëpër gjethe, / Se unë kam patur miqësi me çdo dru. / Në stinët kur bien gjethet do bien sytë e mi. / Tani e tutje shirat do të jenë lotët e mi. / Mos e pastë njeri këtë fat! /

Siç shihet, pas vdekjes ka një rikthim të unit poetik, një rikthim në formën e gjetheve, në formën e shiut. Sikurse thuhet dhe tekste të tjerë të Frederik Rreshpjes uni poetik shndërrohet në vjeshtë, shndërrohet në dimër, shndërrohet në natyrë. Po metamorfoza më e madhe është shndërrimi i tij në gjuhë, në një gjuhë poetike plot magji.

Artikulli paraprakFJALËT NUK JANË TË PAFAJSHME
Artikulli tjetërQëllimet e Moskës në rajon, studiuesi austriak: Rusia nxit destabilitet në Ballkanin Perëndimor