Destrojeri amerikan në ishullin e “Kinës”

Një destrojer i Marinës amerikane lundroi në një distancë prej më pak se 12 miljesh pranë një ishulli të vogël në Detin e Kinës Jugore, territor për të cilin kanë pretendime tri vende aziatike. Sovraniteti mbi Ishullin Triton pretendohet nga Kina, Tajvani dhe Vietnami.
Kina nisi dje anije dhe avionë ushtarakë drejt zonës në fjalë dhe e akuzoi destrojerin amerikan “USS Stethem” për shkelje të ujërave territoriale.
Një zyrtar i qeverisë së Shteteve të Bashkuara tha se destrojeri Stethem po kryente një stërvitje “për të drejtën e kalimit të lirë”, që kishte si qëllim demonstrimin e lirisë së lundrimit në këto ujëra.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lu Kang, deklaroi se kjo lëvizje amerikane përbën “një provokim serioz politik dhe ushtarak” dhe se operacione të tilla “shkelin sovranitetin dhe kërcënojnë sigurinë e Kinës”.
Autoritetet thonë se lundrimi i destrojerit në një rreze prej më pak se 12 miljesh detare nga ishulli në fjalë synoi të japë sinjalin se SHBA-ja nuk i njeh pretendimet territoriale për këtë ishull.

Artikulli paraprakMasat ndaj sulmit masiv kibernetik
Artikulli tjetërProvokim i ri bërthamor i Koresë së Veriut