Dëmtimi i lopëve nga dermatoza, uli prodhimin e qumështit vitin e kaluar

Përhapja masive e sëmundjes së dermatozës nodulare te gjedhi ka ulur rendimentin e prodhimit të qumështit vitin e kaluar. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2016, sasia e qumështit të grumbulluar është rreth 125 mijë tonë duke shënuar rënie me 0,17%, krahasuar me 2015. Gjatë kësaj periudhe, sasia e qumështit të lopës të grumbulluar është rreth 103 mijë tonë, duke shënuar një rënie me 2,25%, krahasuar me 2015.
Nga ana tjetër, në vitin 2016, sasia e grumbulluar e qumështit të deles është rreth 13 mijë tonë, duke shënuar rritje me 0,12%, krahasuar me një vit më parë. Sasia e grumbulluar e qumështit nga dhitë është rreth 9 mijë tonë, duke shënuar një rritje me 0,06%, krahasuar me vitin 2015.
Në vitin 2016, sasia e qumështit të prodhuar për konsum është rreth 11 mijë tonë, në rënie me 1,13%, krahasuar me 2015. Ndaj sasisë gjithsej të qumështit të prodhuar në vitin 2016, qumështi gjysmë i skremuar përbënte rreth 35,97%, qumështi i plotë i përpunuar 58,5%, qumështi i papërpunuar 4,86% dhe qumështi i skremuar 0,67%.
Sasia e prodhuar e djathit sipas origjinës në vitin 2016 u rrit me 5,37%, krahasuar me një vit më parë. Sasia e djathit të përpunuar u rrit me 9,32%. Prodhimi i gjalpit të shkrirë ka shënuar një rritje me 56,19%, ndërsa prodhimi i gjalpit tradicional shënoi një rënie me 15,7%, krahasuar me një vit më parë. Në vitin 2016, struktura e prodhimit ishte përkatësisht djathë i butë 62,5%, djathë gjysmë i fortë 33,4% dhe djathë i fortë 4,1%.

Artikulli paraprakMarrëveshja nuk e frenoi delegjitimimin e zgjedhjeve
Artikulli tjetërSi po qarkullon miliona tregu i veshjeve të përdorura