Marrëveshja nuk e frenoi delegjitimimin e zgjedhjeve

Martin DEDA

Basha ka mbërritur në Pallatin e Kulturës “Dedë Ndue Lazri”, në orën 12.00. Ka patur më shumë pjesëmarrës dhe ovacione kur ka mbërritur, si dhe gjatë kohës kur ai po shpaloste platformën e tij për të rimarrë një mandat të dytë në drejtimin e PD.
Fjalimin përpara demokratëve lezhjanë z. Lulzim Basha e ka filluar me një adresim falënderimi dhe mirënjohjeje për të gjithë demokratët dhe demokratet e Lezhës, komisionerët dhe numëruesit të të gjithë armatës së qëndresës dhe përballjes me vendosmëri me kundërshtarët politikë në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, si dhe për kontributin e dhënë në katër vitet e qëndrimit në opozitë, në mbrojtje të idealit të lirisë dhe demokracisë, që janë dy shtyllat kryesore të programit të PD, mbi të cilat ajo u ngrit që në ditët e para të themelimit të saj.
Basha dekaroi se kauza e protestave dhe qendresës si dhe paralajmërimi se krimi dhe paratë e mafies do të përfshiheshin në fushatë ishin qëndrime të drejta. Për të parën herë Basha ka deklaruar para demokratëve se ndonëse marrëveshja me Ramën kishte si qëllim të frenonte blerjen e votave, kjo nuk u arrit dhe ai e konsideroi atë si të dështuar, pasi nuk mundi të ndalë delegjitimimin e zgjedhjeve.
“Në këto zgjedhje u pranua se kauza jonë për dekriminalizimin, luftën kundër drogës dhe grupeve kriminale ishte e drejtë. Plani i tyre ishte të mos lejonin zgjedhje të lira e të ndershme. Lezha pati pjesën e saj epike në qëndresën që organizuam së bashku për tre muaj në çadrën e lirisë. E nisëm këtë betejë me synimin e rikthimit të besimit tek shqiptarët, e përshkallëzuam betejën, por pa mundur të arrinim qëllimin e saj. Marrëveshja që bëra me Edi Ramën legjitimoi drejtësinë e kauzës tonë, por ajo që nuk u arrit ishte frenimi dhe delegjitimimi që iu bë zgjedhjeve”, tha Basha.
Për Bashën zgjedhjet e 25 qershorit janë të ngjashme me ato të vitit 1991. Duhet kujtuar se këto zgjedhje u kontestuan nga shqiptarët dhe ndërkombëtarët dhe sollën zgjedhjet e reja brenda një viti. A po paralajmëron Basha zgjedhje të reja parlamentare pas një viti si pasojë e delegjitimimit edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë të 25 qershorit?
“Ashtu si në vitin 1991, këto nuk ishin zgjedhje. Ne u futëm në këto zgjedhje në një fushë të minuar, ku qindra e mijëra votues ishin blerë kohë më parë. Ato kishin blerë varfërinë dhe nëpërkëmbur dinjitetin e shqiptarëve. Si askund tjetër ky fenomen ndodhi në Lezhë që arriti deri edhe në përplasjen e bandave të pushtetit me njëra-tjetrën. E vetmja forcë politike që nuk u përfshi në blerjen e votës, por që luftoi fort në mbrojtjen e saj ishte Partia Demokratike. Të tjerët u sollën si banda me këto zgjedhje, ndërsa ne ishim e vetmja forcë politike që ofruam program konkret për daljen e Shqipërisë nga kriza ku e kanë pllakosur bandat dhe krimi nga keqqeverisja e dyshes Rama-Meta dhe qëndruam dinjitozë në mbrojtje të votës së lirë”, tha Basha.
Për Bashën më 25 qershor nuk ka humbur vetëm PD, por e gjithë Shqipëria.
“Më 25 qershor nuk ka humbur PD, por ka humbur gjithë Shqipëria. Ndaj së bashku ashtu në vitin 1991 duhet të bashkohemi për t’u ringritur dhe kur të jemi të bashkuar të jeni të sigurtë se s’ka asgjë që të na ndalë në triumfin tonë”, tha Basha.
Basha është ndalur tek fitorja në Bashkinë e Kavajës dhe ka analizuar arsyet që e çuan tek fitorja, duke nënvizuar bashkimin dhe luftën për çdo votë.
“Dëshmia më e qartë e kësaj që them është rasti i Kavajës me fitoren që arritën me marrjen e Bashkisë së Kavajës. Basha ndër faktorët e fitores këtu radhiti dy nga faktorët më të rëndësishëm:
Së pari: Në Kavajë u bashkuan të gjithë faktorët politikë dhe pas tetë vjetësh PD arriti të kthehej forcë e parë politike në Kavajë, duke triumfuar mbi bandat kriminale të Arben Ahmetajt, të cilat përdorën lloj-lloj metodash pa mundur të triumfonin përballë forcës së madhe të demokratëve të bashkuar kavajas. Në një degë që ndër vite kishte rezultate të dobëta dhe ku të majtët kishin deklaruar shkrirjen e PD në Kavajë, bashkimi dhe përballja, puna e strukturave lokale të PD me në krye kryetarin e partisë, i cili tashmë është edhe kryetari i bashkisë, ishin çelësi dhe dëshmia se aty ku bashkohen faktorët ne triumfojmë”, tha Basha.
Duke u ndalur tek arsyeja e dytë e fitores në Kavajë, Basha tha se ishte lufta për çdo votë dhe se tani kërkohet forcë dhe vendosmëri për të arritur sërish tek fitorja.
“Së dyti: Afërsia me demokratët dhe bashkëbisedimi me to bëri të mundur bashkimin e të gjithë faktorëve dhe mundësoi fitoren. U luftua për çdo votë. PD në Kavajë me shembullin që dha jo vetëm i theu, por e ndau në dysh kampin e mafiozëve. Ndaj ne na duhet forcë dhe vendosmëri në përballjen me zuzarët dhe të projektojmë arritjen e fitores në betejat e ardhshme elektorale”, tha Basha.
Ndërkohë z. Basha u shpreh koshient për disa gabime është shprehur se: “Vij me përgjegjësinë e gabimeve, të cilat kanë qenë politike. Por ju siguroj se çdo gjë që unë kam bërë ka qenë në shërbim të fitores dhe vetëm fitores. E vetmja rrugë është vazhdimi i betejës që së bashku nisëm, e cila në fund të saj do të ketë një fitues, të mirën ose të keqen. Ne do të fitojmë mbi të keqen sepse jemi shpresa e shqiptarëve. Ne do të japim shembullin e një rezistence të paparë deri më sot. Ndaj duke pranuar përgjegjësitë e mia dhe siguruar në riparimin e tyre, unë ju kërkoj votëbesimin për ta drejtuar PD dhe ju bëj thirrje që të bashkohemi ashtu siç u bashkuam pas atyre zgjedhjeve të vitit 1991, të cilat ashtu si këto të 25 qershorit 2017, veçse zgjedhje nuk ishin dhe të ringrihemi denjësisht përballë padrejtësive dhe blerjes së votave. Ne të bashkuar kemi mundësi ta bëjmë këtë. Ndërkohë që edhe z. Basha ju është përgjigjur pyetjeve të adresuara ndaj tij dhe ashtu si dhe konkurrenti tjetër Selami, ka premtuar një ndryshim rrënjësor të Statutit të PD dhe ka siguruar se do të ketë një analizë të detajuar dhe të hollësishme në çdo seksion dhe strukturë partie sipas hierarkisë”.

Artikulli paraprakSelami: Nuk funksionojnë meritokracia e kontributet
Artikulli tjetërDëmtimi i lopëve nga dermatoza, uli prodhimin e qumështit vitin e kaluar