Delegjitimim si në vitin 2001

Bledi KASMI

Një Ramë me 74 mandate në Parlament do të duhej të ndjehej një supermen politik sot. Aq më tepër nëse i shtohen edhe tre votat e çamëve të përbetuar se kauza e tyre e shenjtë edhe pa qenë çam fare zgjidhet nga bashkimi i votave me socialistët. Në fakt situata nuk duket të jetë aq shumë entuziaste për mazhorancën.
Intervista e djeshme e Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit, Hoyt Brian Yee mund të ndihmojë për të kuptuar një situatë politike të re përtej asaj që prodhoi 25 Qershori. Departamenti amerikan i Shtetit ende nuk ka uruar fituesin e zgjedhjeve edhe pse kanë kaluar disa javë nga shpallja e rezultatit. OSBE/ODIHR ka provuar së paku 7 mandate të vjedhura nga mazhoranca, ndërsa ka njollosur zgjedhjet për blerjen e votave dhe kërcënimet.
Nuk jemi në një realitet të pa shkelur. Jemi kthyer politikisht 16 vite pas në zgjedhjet e vitit 2001. Çfarë ndodhi atëhere? Një manipulim masiv i rezultatit të zgjedhjeve nga qeveria socialiste e asaj kohe. Shumica  e mandateve u trafikuan nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese, e cila në atë kohë drejtohej nga Fehmi Abdiu një ish-deputet i PS nën kontrollin e plotë politik të socialistëve, i cili i hiqte mandatet e deputetëve opozitës dhe i’a jepte ato qeverisë.
Një situatë e ngjashme sot, ku qëllimi i vjedhjes së pushtetit është arritur sërish, vetëm se me metoda dhe armë të reja nga ato të 16 viteve më parë. Nuk është më Fehmi Abdiu, por mekanizmi i blerjes së votave. Nuk ndodh manipulimi në kutitë e votave dhe vendimet e gjykatave, por tek paratë e pista të krimit të organizuar dhe korrupsionit nën rrogoz.
Rama nuk ka hequr dorë nga vesi i socialistëve për të vjedhur zgjedhjet, vetëm se e ka perfeksionuar mekanizmin e krimit elektoral. Por nëse nga njëra anë kemi të njëjtën panoramë të vjedhjes së votave si 16 vite më parë, në anën tjetër po ndodh po ashtu edhe i njëjti fenomen politik për të delegjitimuar një pushtet të grabitur.
Çfarë ndodhi 16 vite më parë? Vjedhja masive e votave u denoncua fuqishëm nga opozita e atëhershme në të gjitha kancelaritë diplomatike. Pas një denoncimi disa mujor të opozitës, Parlamenti Europian vendosi të mos njohë numrat fiktivë të mazhorancës qeverisëse të socialistëve.
Brukseli ndërhyri duke i hequr legjitimitetin qeverisë së majtë në zgjedhjen e Presidentit, e cila kishte rrjedhoja të tjera politike në institucionet që kontrolloheshin nga pushteti presidencial në atë kohë.
Partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë e imponuan mazhorancën e asaj kohe të arrinte marrëveshje me opozitën për gjetjen e Presidentit konsensual. Ky ishte delegjitimimi i mandateve të grabitura nga socialistët në atë kohë. Po ku është ngjashmëria me atë që po ndodh sot?
Intervista e djeshme e Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit, Hoyt Brian Yee mund të konsiderohet si një ndër mesazhet më të forta politike që Rama ka marrë nga Shtetet e Bashkuara pas zgjedhjeve. Legjitimiteti i tij pranohet për kortezi, por ajo që zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit ka propozuar dje është në të vërtetë një zgjidhje përtej asaj që ka prodhuar rezultati i deformuar i 25 Qershorit.
Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar dje se kërkojnë reforma me opozitën dhe jo të njëanshme. Kanë deklaruar se kërkojnë nga qeveria që të gjejë zgjidhje të jenë të pranueshme për të gjithë, ose për një pjesë sa më të madhe të popullsisë që të jetë e mundur, por që kalon përtej numrave të pushtetit të Ramës.
“Ne shpresojmë që të ketë një qëndrim përfshirës, që qeveria të bëjë përpjekje të punojë me opozitën dhe palë të tjera që nuk janë në partinë ose koalicionin në pushtet, në mënyrë që të gjejë një mënyrë për të arritur konsensus të mjaftueshëm në vendime të rëndësishme”, thuhet në deklaratën e Hoyt Brian Yee.
Mesazhi i djeshëm amerikan është thuajse i njëjtë me qëndrimin e Parlamentit Europian pas zgjedhjeve të manipuluara të vitit 2001. Po kërkohet një zgjidhje e re politike. Kjo është edhe rënia e butë e 25 Qershorit.

Artikulli paraprakDio Guardi, kongresmeni që ka dalë në shitje nga skema e Ramës
Artikulli tjetërProdhuesit në Kosovë synojnë të jenë të barabartë me ata të rajonit