Delegacionet e dy Koreve takohen për Lojërat Olimpike Dimërore

Koreja e Veriut do të dërgojë një orkestër me 140 instrumentistë për të interpretuar gjatë Lojërave Olimpike Dimërore në Korenë e Jugut muajin e ardhshëm, në një gjest zbutjeje të marrëdhënieve pas një periudhe me tensione lidhur me programin bërthamor.
Zyrtarë koreano-jugorë thanë se vendimi u mor gjatë takimit të delegacioneve për të dytën herë brenda një jave në fshatin Panmunjom, ndërkohë që palët përpiqen të sqarojnë detajet e pjesëmarrjes së Koresë së Veriut në Olimpike.
Palët kanë rënë dakord se orkestra do të interpretojë në Seul dhe në Gangneung pranë kompleksit ku do të zhvillohet Lojërat në Piongçang. Sipas një njoftimi të nxjerrë pas takimit, orkestra do të luajë pjesë folklorike si dhe muzikë klasike dhe se ka gjasa që orkestrat e dy vendeve të luajnë një koncert të përbashkët.
“Moti duket më i ngrohtë dhe mendoj se pranvera do të vijë më shpejt këtë vit. Ardhja e trupës tonë artistike në Jug do të jetë në momentin e duhur, kur lind pranvera plot ngrohtësi”, deklaroi kreu i delegacionit të Koresë së Veriut, Kwon Hyok-Bong, zyrtar i lartë i Ministrisë së Kulturës.
“Moti ka qenë tepër i ftohtë deri sot. Ashtu siç do të ngrohet moti, parashikoj se nga bisedimet e sotshme do të vijnë rezultate të mira”, tha kreu i delegacionit të Koresë së Jugut, Lee Woo-Sung.
Veriu ka njoftuar se në delegacionin e tyre në Lojërat Dimërore në Pjongçang do të ketë artistë, zyrtarë, gazetarë dhe sportistë. Po diskutohet ende mundësia e një ekipi hokei të përbashkët të femrave Jug – Veri.
Ministria e Unifikimit e Koresë së Jugut tha se përmasat e delegacionit të Koresë së Veriut do të përcaktohen më 20 janar, kur Korea e Veriut të takohet me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.
Kjo lëvizje pajtuese e Koresë së Veriut shikohet gjerësisht si një përpjekje për të lehtësuar tensionet e krijuara nga provat bërthamore dhe të raketave të zhvilluara vitin e kaluar.

Artikulli paraprakOrganizatat ndërkombëtare dënojnë vrasjen
Artikulli tjetërLëvizja Vetëvendosje drejt ndarjes